Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Kushtrimi i padëgjuar i Kurdëve: Ringjallet ISIS

ISIS Wilayat Iraq May 2020 - Crop2
Nga Lorenzo CREMONESI-
Mos u gënjeni. Isis është I rrahur por jo i mundur. Nëse nuk na ndihmoni t’a luftojmë, do të rikthehet”. E thonin hapur milicët kurdë para gërmadhave të Baghouz, kështjella e fundit e Kalifatit në Sirinë Verilindore. Ishte marsi i vitit 2019: mbas pesë vitesh të një lufte të pamëshirshme kundër terrorit xhihadist, dhjetra mijë viktimash e një pështjellimi të fuqishëm të koalicionit të drejtuar nga amerikanët, kurdët e krahinës siriane gjysëm të pavarur, që ata e quajnë Rojawa, na paralajmëronin. Por bashkësia ndërkombëtare I dëgjoi pak, dukej një thirrje e interesuar. Faktet e kohëve të fundit provojnë se kishin arsye për të shitur.
Isis dhe skajshmëria islamike ngrenë kokën, godasin në Niger, në Mali, në Burkina Faso, deri n’Afganistanin taleban, përveç Irakut të ndarë në shiitë e sunitë, në kundërshtim me pakicën e saj kurde, e në vetë Sirinë e plagosur nga kriza ekonomike që i shkakton vështirësi të rënda diktaturës së Bashar Asadit. Zilja e kushtrimit më shqetësues ka qënë sulmi në stil të gjërë që, javën e shkuar, jetimët e Abu Bakr al Bagdatit zhvilluan kundër burgut të Gweiranit, një kompleks i gjërë i rrethuar nga mure të lartë në rrethinat e Hasakeh, ku janë burgosur më shumë se 5.000 të papenduar, ndërmjet tyre lulja e xhihadit ndërkombëtar. Të vdekurit janë më tepër se dyqind, nuk është e qartë se ç’është bërë me 600 fëmijë, bij të “martirëve” islamikë të betejave të Mosulit e të Rakës. Luftimi vazhdoi së paku gjashtë ditë, amerikanët dërguan përforcime. E gjithë bërthama qytetare e Hasakehut mbeti e paralizuar nga shtetrrethimi. Kurdët thonë se kanë fituar, por nuk është e qartë se sa kanë ikur e sa kanë arritur kampin e afërt të Al Holit, ku janë të burgosur pothuaj 60.000 ndërmjet grave dhe bijve të xhihadistëve. Ndërkaq qeveria e Bagdatit lajmëron rritjen e sulmeve të Isisit n’afërsi të Mosulit. Kurdët duhen dëgjuar.
“Corriere della Sera”, 30 janar 2022
Përktheu Eugjen Merlika

Leave a comment