Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Konkurrenca e fuqive të mëdha në epokën e konflikteve gjeopolitike

b3735ba5-07b7-4dbc-9d2c-cb8d39650f72

Nga Aleksander Cipa

Prej vitesh është theksuar në mënyrë të përsëritur frika e një “Lufte të Ftohtë” të re, tashmë mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Kjo frikë është edhe më e përligjur në kohët e sotme, kur tensionet e shumëkahshme janë shfaqur, kur shantazhet, provokimet, demonstrimet dhe aktet transferuese të armatimeve kanë marrë një dimension tronditës dhe ndjekin një rrjet trafikimi ndërkombëtar të pakrahasueshëm me një apo dy dekada më parë.

Lufta në Ukrainë ishte një goditje e fortë ndaj besimit se marrëdhëniet e ngushta ekonomike mes shteteve të ndryshme do të ishin një siguri për parandalimin e luftërave. Pozicionimi i palëve dhe ndërkalljet e shpallura dhe të pashpallura ushtarake, apo grupimet sipas qasjeve të njohura gjeostrategjike, i kanë shtuar të gjitha premisat për konflikte dhe tjetërsim të sistemit ndërkombëtar. Në këtë situatë kaq delikate, frika e një “konkurrimi përleshës” mes dy fuqive më të mëdha ekonomike në botë, përkatësisht SHBA-së dhe Kinës, është përherë dhe më shqetësuese.

Zërat qetues të diplomacisë tradicionale, ose më saktë të qasjes konstruktive, duket se janë bërë më pak të dëgjueshëm dhe ndikues. Këta zëra, më herët kanë ripërsëritur apelimet për maturi gjeopolitike dhe respektim të normave që formësojnë sistemin ndërkombëtar. Një konkurrim jo-konfliktual mes dy vendeve mund të jetë një motor zhvillimi për dy ekonomi kaq të rëndësishme si ato të SHBA-ve dhe Kinës dhe të rezultojë i frytshëm botërisht.

Presidenti amerikan Biden është treguar në përgjithësi i kujdesshëm në mënyrën se si ai e ka adresuar marrëdhënien me Kinën. Që në fillim të presidencës së tij, ai ka theksuar se dëshironte të shmangen konfliktet e panevojshme mes dy vendeve. Thënë kjo, nën drejtimin e tij, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të privilegjojnë një qasje aktive në Azinë Juglindore, çka dëshmohet qartësisht dhe nga zhvillimet e fundit.

Kina ishin qartësisht në sfondin e samitit të mbajtur mes Shteteve të Bashkuara dhe Asosacionit të Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në muajin që lamë pas. Samiti SHBA-ASEAN ishte një sinjal se administrata Biden do të ruajë momentumin në strategjinë e saj për rajonin e Azisë Juglindore, përtej pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Gjuha e deklaratës së përbashkët pas samitit ishte e fortë për ato që SHBA i shikon si prioritete, duke përfshirë një angazhim për të përcaktuar në nëntorin e ardhshëm marrëdhëniet SHBA-ASEAN si “partneritet strategjik gjithëpërfshirës” (në të njëjtin nivel si marrëdhëniet me Kinën dhe Australinë).

Megjithatë, në analizat perëndimore nuk mungoi vështrimi kritik. Analisti Tobias Harris nga organizata liberale American Progress theksonte se samiti tregoi një angazhim amerikan me vendet ASEAN që karakterizohet nga mungesa e një vizioni përbashkues. Ai e krahasonte këtë me qasjen ndaj këtyre vendeve të Japonisë, duke e quajtur vizionin e kësaj të fundit të qartë, praktik dhe realist.

Nga ana tjetër, ishte dhe një event tjetër shumë i rëndësishëm që e kishte edhe më të theksuar fokusin ndaj Kinës: takimi “Quad” ndërmjet Shteteve të Bashkuara, Indisë, Japonisë dhe Australisë në kryeqytetin japonez.

Ky ishte takimi i katërt gjithsej dhe i dyti në person ndërmjet liderëve të këtyre katër vendeve dhe disa analistë amerikanë si Sheila Smith e organizatës prestigjioze Council for Foreign Relations në Uashington shkruante se ky format po bëhet me ambicioz në Indo-Pacifik.

Gjatë takimit, liderët e katër vendeve njoftuan disa iniciativa për të thelluar bashkëveprimin në rajon. Këto përfshinë projekte infrastrukturore, krijimin e një pakete të re për përshtatjen me ndryshimet klimaterike, ndërtimin e kapaciteteve të sigurisë kibernetike. Njëkohësisht, – dhe ndoshta iniciativa më praktike nga të gjitha sipas znj. Smith – u zyrtarizua një platforme për të luftuar peshkimin ilegal dhe për të përballuar fatkeqësitë natyrore nëpërmjet përmirësimit të teknologjisë dhe trajnimeve.

Megjithëse nuk e përmendën në mënyrë të drejtpërdrejtë Kinën, liderët e “Quad”-it theksuan vlerat e përbashkëta, duke përfshirë mbështetjen për zgjidhjen e konflikteve pa përdorimin e forcës dhe kundërshtimin e çdo përpjekjeje unilaterale për të ndryshuar statuskuonë. Kjo e fundit vjen qartësisht si referencë ndaj asaj që këta liderë e shikojnë si përpjekje të Kinës për të kundërshtuar kufijtë detarë dhe pronësinë e ishujve në Detin e Kinës Lindore dhe Detin e Kinës Jugore.

Në fakt, kjo ishte e pritshme. Përpara takimit, Kina shprehu pakënaqësinë e saj, mbi të gjitha për rolin e Japonisë në “Quad”, teksa Ministri i Jashtëm Wang Yi paralajmëroi homologun japonez Hayashi Yoshimasa se Japonia nuk duhet të rreshtohet me SHBA dhe të tjerë në përpjekje që do të dëmtonin “sovranitetin, sigurinë dhe interesin” e Kinës.

Është e qartë që këto zhvillime shpalosin një konkurrencë të fortë gjeopolitike të shpallur tashmë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Përpjekjet e rishta të Shteteve të Bashkuara shërbejnë për të sendërtuar marrëdhënie të reja dhe më të forta në rajonin e Azisë Juglindore dhe lindore në kurriz të Pekinit.

Megjithatë, është jashtëzakonisht e rëndësishme të theksohet se ky polarizim mes dy fuqive të mëdha duhet të ruhet brenda kontureve të konkurrencës gjeopolitike dhe të mos përshkallëzojë më tej. Ky mision do të kërkojë lidership nga të dy vendet, si dhe vizion për të krijuar linja konstruktive komunikimi dhe bashkëpunimi në raport me sfidat e përbashkëta të njerëzimit dhe përballjen e problemeve globale.

Në kushtet kur po shohim efektet shkatërrimtare të një konflikti si ai ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, vlera e paqes dhe stabilitetit duhet të jetë më e çmueshme se kurrë.(Foto:VCG)

Leave a comment