Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

KUSHTETUTA E EVROPËS DHE SHQIPËRIA

295650294_1197747941015238_6337453528081762282_n
Nga Eugjen Merlika
Pjesa I
Evropa ishte emri i një vajze të bukur që, në një lëndinë diku në brigjet aziatike të Mesdheut, mblidhte lule kur Zeusi me pamjen e një kau të mahnitshëm e rrëmbeu për t’a sjellë përgjithmonë në një tokë që ndodhej në veri të detit që do t’i jepte qytetërimit emrin e tij, ashtu sikurse ajo tokë do të merrte emrin e vajzës së zgjedhur të Zeusit.
Kështu legjenda na shpjegon origjinën e emrit të kontinentit ku bëjmë pjesë gjeografikisht e të cilin, për kohë shumë të gjata që herët e kemi zënë në gojë si Vendin nga do të na vinin liria, drita, qytetërimi, mirëqënia. Në përfytyresën kolektive të shqiptarëve në qindvjeçarë Evropa fillonte duke kapërcyer detin prej nga na vinte “bajlozi”, apo duke kaptuar malet që gjogu i Kostandinit përshkonte për të sjellë Dhoqinën e “martuar larg”…Në terma konkrete gjeografike kjo përfytyresë çuditërisht përputhet me kufijtë që sot Evropa e Bashkuar ka në Jugë e Juglindje.
Më 29 tetor 2004, në Romën e lashtë të Qezarëve e të Papëve, në sallën e Horacëve e Kuriacëve, një nga më të bukurat e më të njohurat e Bashkisë së saj, 25 kryetarë shtetesh e qeverish, së bashku me ministrat përkatës të punëve të jashtëme, vunë firmat e tyre në një libër të trashë prej 450 faqesh që ishte Traktati Kushtetues i Bashkimit Evropian. Në atë sallë luksoze, përfaqësuesit e zgjedhur me votat e lira të popujve të Evropës, nëpërmjet firmave të tyre, i vunë çatinë godinës së nisur 47 vite më parë në të njëjtin mjedis ku Burra Shteti si Alçide de Gasperi, Konrad Adenaueri, Robert Shumani, Pol Anri Spaku etj. patën guximin dhe largpamësinë t’i hapnin themelet.
Ishin dashur mijëvjeçarë të mbushur me luftëra, shkatërrime, urrejtje mes bashkësive të ndryshme të kontinentit, republika, mbretëri e perandori të fuqishme të ngritura e të shkërmoqura nën vringëllimën e shpatave e malet e kufomave, deri në shifrën makabre të 30 milion viktimave të luftës së dytë botërore, për të bindur përfaqësuesit e shteteve të Evropës se kishte ardhur koha të kthehej fleta e historisë. Lufta, me të gjithë përbërësit e saj, duhej të fshihej si term nga praktika e shteteve dhe psikologjia e popujve evropianë e vëndin e saj duhet t’a zinte Paqja, si ide parësore, sipërore dhe e patjetërsueshme në marredhëniet mes tyre. Ky vendim shënonte fillimin e një epoke të re jo vetëm në marredhëniet mes popujve e shteteve të pjesës perëndimore të Kontinentit, por edhe ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve që drejtonin jetën e tyre politike, shoqërore dhe ekonomike.
Filloi kështu sendërtimi i idesë së bashkimit të Evropës, që kishte qënë synimi i Romës Perandorake, i Karlit të Madh, i Napoleon Bonapartit, por kësaj here jo nëpërmjet forcës së armëve siç ishin përpjekur t’a bënin ata. Kësaj here do të zotëronte forca e arsyes, që do të ngrihej mbi trashëgiminë shumë shekullore të armiqësive, mosbesimit, urrejtjes, interesave të kundërta, prirjeve për pushtim e mbizotërim, motive që kishin përcaktuar epoka të tëra luftërash shkatrrimtare. U hap kështu një periudhë kohe e gjatë në të cilën demokracia, e sajuar mbi dymijë vite të shkuara në Athinën e lashtë të Perikliut e të Platonit, do të gjente sendërtimin e saj në Evropën Perëndimore. Fatkeqësisht pjesa tjetër e saj, në lindje të Oderit e të Adriatikut deri në hapësirat e pamata të Azisë e brigjet e Paqësorit, do të kthehej në “Perandorinë e së keqes”, në një sistem që Paqen do t’a trumbetonte me bujë si një flamur të reckosur, për të ndërtuar një botë ku fjalët “luftë”, “dhunë”, “diktaturë” do të lakoheshin në të gjitha format e mënyrat, duke shkaktuar tragjedi të pafundme brezash e popujsh të tërë.
Kjo qe tablloja e Evropës së ndarë në mes nga muret dhe perdet e hekurta, ku armët nuk do të luanin më simfonitë e tyre të tmerrit, por ku lufta pa to do të vazhdonte e ashpër, “e ftohtë”, mes dy sistemeve shoqërore e mes dy mënyrave të konceptimit e të sendërtimit të botës. Ky qe përfundimi i marrëveshjever të fituesve mes tyre, e ndarjes së “plaçkës”, e shpërblimit që një sistem diktature gjakatare do të kishte për ndihmesën e dhënë për thyerjen dhe asgjësimin e një tjetër sistemi diktature, të ngjyrosur tjetër soj. Kjo “luftë e ftohtë” mes dy sistemesh që kishin idhtarët e tyre edhe në fushat kundërshtare vazhdoi deri në vitin 1989.
Atëhere komunizmi, i brejtur nga krimbi i paaftësisë për t’u përtërirë në ide e për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme, në përputhje me parimet bazë të shkencës së saj, i infektuar në qelizat e tij nga urrejtja dhe dhuna e mbjellë e kultivuar për tre të katërtat e shekullit, u shëmb. Mbi gërmadhat e tij mbinë filizat e pemëve të lirisë së popujve të skllavëruar. Shpejt ata filiza do të rriteshin e zhvilloheshin, duke u pasuar nga ndryshimet e shpejta e rrënjësore në ecjen drejt modeleve të Shtetit të së drejtës, të demokracisë së zhvilluar, të kalimit nga varfëria në rrugën e gjatë e të vështirë drejt mirëqënies.
Rrëzimi i mureve dhe perdeve të hekurta i kujtoi evropianëve se ishin të gjithë banorë të të njëjtit kontinent, se ndanin së bashku historinë, kulturën, përparimin, se sfidat e botës së sotme e të ardhme i bënin thirrje të ecnin në të njëjtën rrugë, në atë të vlerave njerëzore të respektuara në Perëndim e të nëpërkëmbura në Lindje. Perëndimi i lirë dhe i kamur i kishte një detyrim moral Lindjes së skllavëruar e të varfër. Ai detyrim fillonte që në tryezat e Jaltës e të Teheranit e vazhdonte me vënien në jetë të vendimeve të tyre, që ishin sinonime të heqjes së lirisë e të drejtave njerëzore për popujt e Lindjes. Vazhdonte me indiferencën ndaj tankeve ruse në Budapest apo Pragë, me injorimin e gulagëve, të gjyqeve pa fund, të miliona viktimave, me përkrahjen e hapur apo nën rrogoz të regjimeve të diktaturës së kuqe si pasoje e Ost-politikës apo real-politikës, me marrëzinë e turmave shumëmilionëshe që mbushnin herë pas here sheshet e rrugët, duke mbajtur në dorë portretet e Çe Gevarës apo librushkat e Maos, duke sharë e mallkuar imperializmin amerikan, që në Vietnam, nëpërmjet gjakut të bijve të tij, mundohej të ndalonte sulmin e përgjithshëm komunist në botë.
Kështu Evropa që merrte frymë me dy mushkëri të ndara vendosi të bashkohej në një trup të vetëm, pa i vënë re me imtësi të gjitha detyrimeve të Traktatit të Mastrihtit që është Ungjilli ekonomik i saj. 29 tetori, mbas një majit të të njëjtit vit 2004, qe data e shënuar në historinë e Evropës që sanksionoi bashkimin e saj juridikisht, nëpërmjet një Kushtetute që do të shërbejë si ligji themeltar i saj.
Organizatorët e ceremonisë kishin menduar të ftonin jo vetëm përfaqësuesit e 25 vendeve firmuese por edhe ata të vendeve që presin të hyjnë si Rumania dhe Bullgaria ose të atyre që janë në paradhomën e bisedimeve si Turqia e Kroacia. Qëllimisht apo rastësisht ishin lënë jashtë kësaj ceremonie Shqipëria, Bosnja, Serbia, Kosova e Maqedonia, një lloj “trekëndëshi sunit” i Ballkanit, “fuçia e barotit” e Evropës Juglindore. Përfaqësuesit e këtyre Vendeve, që prej vitesh kanë shprehur vullnetin e synimin për t’u përfshirë në Evropë, nuk do t’a kishin prishur aspak dekorin e ceremonisë. Pjesëmarrja në të, qoftë dhe në rolin e vëzhguesit, do të kishte qënë një stimul për popujt e tyre, për të shtuar përpjekjet në rrugën e plotësimit të atyre kërkesave të domosdoshme për të “hapur” dyert e BE.
Si shqiptar, që jeton në Vendin organizator të ceremonisë së nënëshkrimit të Kushtetutës, mbeta keq kur, në më shumë se tri orë transmetim, dëgjova vetëm një herë emrin Shqipëri. E përmendi komentatori i njohur, shkrimtari italo-dalmat Enco Betica, kur diskutonte për problemin, aqë shumë të rrahur në opinionin publik evropian, atë të fillimit të bisedimeve për hyrjen e Turqisë në Evropë. Ishte fjala për aspektin fetar të problemit, që nxirrte si rrjedhojë dhe praninë e popullsisë myslimane në shumicë në Shqipëri e Bosnje, gjë që për mjaft evropianë përbën sot një shkëmb që frenon idenë e pranimit të këtyre vendeve në Bashkësinë.
Në një artikull të ditëve të fundit në të përjavëshmen italiane Panorama, të titulluar “Mrekulli në Ballkan”, kushtuar përfundimeve të votimeve për Kuvendin e Kosovës, vlen të vihet në dukje qëndrimi polemik i shkrimtarit e publiçistit të mirënjohur karshi një pjese të shtypit Perëndimor që, kur bëhet fjalë për Kosovën dhe ndërhyrjen e NATO-s më 1999 në të, kërkojnë t’a paraqesin atë si një veprim që ka sjellë vetëm të këqia. Ja si shprehet Betica:
“ ….Veç asaj media të ndryshme perëndimore kanë vazhduar t’a përshkruajnë Kosovën si një Far West të Evropës: një pështjellje bandash kriminale, kontrabandistësh, luftëtarësh të UÇK-së, të kthyer në kusarë, shkurt, një tokë të dëshpëruar, pa emër, pa shtet, pa ligje.
Por nuk kanë parë, nuk kanë dashur të shohin anën tjetër të medaljes. Nuk kanë parë për shembull maturinë e shumicës së një popullsie, në pjesën më të madhe myslimane që, megjithëse e nëpërkëmbur prej së paku një shekulli nga zotërues të krishterë, nuk ka rënë kurrë në prehrin e fanatizmit fetar, nuk ka ngatërruar kurrë fenë me luftën politike. Rruga kryesore e kryeqytetit Prishtinë është emëruar Klinton avenue, si falënderim për ndërhyrjen e NATO-s, me nxitjen e amerikanëve, në mbrojtje të shqiptarëve. Së fundi nuk i është dhënë gjithë pesha që meritonte suksesit të jashtzakonshëm zgjedhor të një njeriu të ekuilibrit e të marrëveshjes si Rugova, të cilit shumica e kosovarëve i ripohoi besimin e saj me 45% të votave….”
Një objektivitet i tillë na jep shumë kënaqësi kur e hasim në opinionin publik të huaj. Sigurisht do të kishim qënë edhe më të kënaqur sikur në Kosovë të mos ishin djegur e shkatërruar kishat dhe banesat e serbëve në këto vite, megjithëse jemi të ndërgjegjshëm se ai vandalizëm është vepër e një pakice shumë të vogël të kosovarëve që nuk duhet marrë si masë vlerësimi e tyre, ashtu sikurse nuk merret ofensiva e organizuar në shkallë planetare nga një pjesë e vogël e botës myslimane, që gjen shprehjen e saj në veprime terroriste të papranueshme e të papërligjura. Por nuk mund të mohohet se këto veprime ndikojnë për keq e përcaktojnë atë opinion që kundërshton Betica e që, për fat të keq, është ai i shumicës së evropianëve.
Duke lënë mënjanë konsideratat për problemin konkret që, simbas mendimit tim, nuk duhet të paraqesë vështirësi të pakapërcyeshme, po të mbahet parasysh fakti se në vetë nenin 2 të Traktatit Kushtetues thuhet: ” Shpallet respekti i jetës private e familjare, të lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të besimit, përveç barazisë ndërmjet burrave e grave dhe së drejtës për t’iu drejtuar një trupi gjykues apo një gjykatësi të paanshëm.”, “mungesa” e Shqipërisë në panoramën evropiane është motiv shqetësimi. Kjo “mungesë” është e përcaktuar nga dy faktorë: imazhi i Vendit dhe interesi për të. Faktori i parë varet kryekëput prej nesh, i dyti më pak.
Imazhin e ndërtojmë jo vetëm nëpërmjet Shtetit, politikës e institucioneve të tij, por edhe përmes sjelljes së përditëshme si qytetarë, në Shqipëri apo kudo ku jetojnë shqiptarët. Deri para pesëmbëdhjetë vitesh Shqipëria deri diku ishte një e panjohur për opinionin evropian. E mbyllur në sprovën e saj frymëmarrëse të komunizmit enverist ishte lënë në harresën e përgjithëshme, në absurditetin e regjimit të saj. Ballafaqimi i parë i madh me botën e huaj qe 2 korriku 1990, kur mijra qytetarë shqiptarë mësynë ambasadat e Vendeve më të mëdhenj evropiano-perëndimorë e iu desh Sekretarit të përgjithshëm te OKB-së të vinte në Shqipëri, për të bindur Qeverinë shqiptare të lejonte largimin e nënshtetasve të saj në drejtim të Vendeve që kishin zgjedhur për të mërguar. Më pas mësymja e detit në perëndim dhe e kufirit tokësor në jugë nga turma shumë mijra vetësh i tregoi Evropës se shqiptarët ishin një popull i mbajtur në zinxhirë e me t’u hequr ata kishin vetëm një synim: të largoheshin sa më shumë nga Vendi i tyre. Sigurisht përshtypja e parë nuk ishte e pëlqyeshme. Më tingëllojnë ende në vesh fjalët e gruas së ish Ambasadorit të Italisë në Tiranë, zotit Kardili, që në një bisedë të rastësishme në Shkodër, në prag të së parës meshë mbas ndalimit me Kushtetutë të besimit, u shpreh: “ Ju doni të gjithë të largoheni nga Vendi juaj, po kush do t’a rindërtojë atë?” Ka shumë për të diskutuar për këtë temë por nuk është në synimin e këtij shkrimi…Ky këndvështrim i dukurisë i la shkas opinionistëve keqdashës të instrumentalizonin ngjarjet duke ngjallur dyshime e mosmirëdashje.
Ja çfarë shkruante aso kohe regjizori i njohur italian Amelio edhe për filmin “ L’America” me subjekt pikërisht eksodin shqiptar:”…Ja Shqipëria, këta janë shqiptarët. Një popull i tërë i trumatizuar për dhjetëvjeçarë nga regjimi i kaluar i cili, të gjithë urrejtjen e grumbulluar kundër sistemit e shpreh me mohimin e atdheut dhe të origjinës së tij. Nuk kam takuar kurrë një shqiptar që, sinqerisht ose dhe me fjalë të jetë i lidhur me Shqipërinë…” Fjalë të rënda si shkëmbinj, përgjithësim i rasteve të veçanta me të cilat mund të jetë hasur autori, një tregues prirjeje për të paraqitur shqiptarët në një dritë të errët në sytë e opinionit publik italian e evropian. Do të quhej një shprehje bindjeje vetiake, e mund të pranohej edhe si një gjë normale, po qe se shtypi do të ishte i hapur edhe për opinione të kundërta apo të ndryshme nga ai. Fakt është se e përjavëshmja e së majtës “Avvenimenti” (Ngjarje), që kishte botuar artikullin, nuk pranoi të botonte përgjigjen time e në bisedën telefonike që pata me redaksinë, kjo e fundit u justifikua se ia kishte dërguar shkrimin tim z.Amelio…Domethënia ishte e qartë: rruga jonë për në Evropë do të ishte në të përpjetë…
Psikoza e mërgimit me çdo kusht u ushqye tërthoraz edhe nga strategjia e udhëheqjes komuniste që, në synimin të siguronte pushtetin në forma të tjera nga diktatura e hapur, nuk nguroi të bëjë çmos për të nxjerrë jashtë Vendit të gjithë ata që mendohej se mund të merrnin ndonjë copë prej tij. Interesa të mëdha e të vogla të pushtetarëve e kastës së tyre shtynin të përcillnin në Evropë dhe gjithë llumin e rrugaçërisë dhe të kriminalitetit sigurimas. Masa heterogjene që doli nga Shqipëria në vitet e para të ndrrimit të regjimit, me sjelljen e saj në Vende të ndryshme, përcaktoi dhe përshtypjet e para që popujt e Evropës krijuan për ne. Me keqardhje duhet të pranojmë se këto përshtypje nuk qenë të mira në sajë të akteve të rrugaçërisë, të përsëritura në mjaft Vende të kontinentit nga shqiptarët, nga prirja e mjaft prej tyre për të zgjedhur rrugët e lehta në fitimin e jetesës, nga shtypi që i jepte përparësi paraqitjes së këtyre dukurive, edhe nëse nuk ishin zotëruese në kontekstin e përgjithshëm të integrimit të tyre.
Nga ana tjetër imazhi i Shqipërisë ndjente zbrazësinë dhe mungesat e theksuara që një klasë politike e improvizuar, pas komuniste me fjalë, komuniste në mendësi, shpaloste çdo ditë në qeverisjen e Vendit. E paaftë të kapte çastin politik apo e detyruar të zbatonte një skenar famëkeq e të paracaktuar, nuk pati as zgjuarsinë, as kurajon dhe as vullnetin të kryente ato reforma rrënjësore e të domosdoshme për të vënë bazat e zhvillimit, nëpërmjet thithjes së kapitaleve të mëdha të huaja, rrjedhojë e një politike largpamëse konçesionesh. Ballafaqimi me botën e huaj në këtë drejtim nxori në pah një klasë drejtuese që e shikonte gjithë strategjinë e praktikën e daljes së Vendit nga gjendja katastrofale, në të cilën ndodhej, jo nëpërmjet vënies në shfrytëzim të aftësive potenciale ekonomike të tij, por nëpërmjrt “lëmoshave”, në formën e ndihmave, që institucionet ndërkombëtare apo shtetet e huaja do t’i jepnin Shqipërisë. Bilanci i tyre mbas gati pesëmbëdhjetë vitesh është “avullimi” i më se një miljard dollarësh në asistencën e një populli pa punë, pagesat e një administrate të fryrë dhe pa rendiment, ndoshta dhe në xhepat e pushtetarëve. Këto para, që janë një barrë në shpinën e brezave të ardhshëm që duhet t’i paguajnë, nuk u përdorën për të krijuar pasuri, por për të ruajtur një gjëndje palëvizshmërie ekonomike që duket se e ka paralizuar Vendin. Ajo që ishte më e rëndësishmja dhe më e keqja në sytë e të huajve që vinin në Shqipëri, ishte ideja se haptas ose tërthoras, përfaqësuesit e Shtetit shqiptar, në pjesën e tyre më të madhe, krijonin përshtypjen se interesoheshin më tepër për të mbushur xhepat e tyre se sa për të ringjallur Vendin e tyre të paralizuar nga një gjysëm qindvjeti keqqeverimi. Vite më parë një imprenditor italian, mbasi kishte qëndruar dhjetë ditë në Shqipëri për të parë mundësinë e ndonjë investimi, kur u kthye më tha: “ Në Vendin tënd populli merret me politikë e politikanët me biznes.” Ishin një përgjithësim i goditur ato fjalë për realitetin shqiptar, që paraqiste një pamje aspak joshëse për kapitalin e huaj.

Leave a comment