Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Pse refuzohet kryetari i Shqipërisë?

-640-0-1660558480xbegaj-734

Lis Bukuroca

 

Nëse kryetari i Shqipërisë dëshiron të takohet me despotin, Shkëlqesinë e Tij Abdixhikun e
Parë, ai së paku tre muaj më parë duhet t’i drejtohet me një lutje me shkrim, jo me
kërkesë, ku përgjërohet me plot lepe e peqe për ditën, vendin, orën e takimit dhe
kohëzgjatjen.
Ekselenca kufizon minutat dhe tregon sa mund të humbë ai në një takim si i lutjes së
fundit. Zakonisht me liderët e Ballkanit ai nuk ofron më shumë se një çerek ore.
Pasi të shqyrtohet shumë seriozisht lutja, Kabineti i Kryetarit të LDK-së, pas 11 javëve i
dërgon një përgjigje jo diplomatike, me ton urdhërues dhe shumë konkret, a pranohet apo
refuzohet ajo. Nëse lutësi ka fat dhe i mundësohet takimi me Ekselencën, atëherë në
faqen e dytë shënohet adresa e selisë dhe temat për të cilat guxon vizitori të flasë. Ai
duhet të shfaqet para selisë së paku gjysmë ore dhe të presë derisa të ftohet brenda.
Arsyet pse mund të refuzohet një lutje si kjo e fundit mund të jenë të shumëfishta, por një
personalitet nga Shqipëria lutjes duhet t’i bashkëngjisë edhe një certifikatë me të cilën
dëshmohet pastërtia morale e takim-dëshiruesit, për shembull se nuk është kultivues i
cababis sativa. Jo vetëm këtë, por certifikata duhet të jetë e firmosur dhe e vërtetuar nga
personaliteti parahistorik Berisha dhe personaliteti historik Meta.
Përveç kësaj, për kryetarin e Shqipërisë ka edhe një kusht shtesë: ai duhet të ketë njohuri
elementare të gegnishtes. Nëse lideri i Kosovës historike e pyet: „A nirthe?“, ai nuk duhet
të sillet si shota në mjegull, por duhet ta kuptojë menjëherë dhe të përgjigjet: „Jo
Ekselencë, u kalla pi nxetit!“ Dhe, sa herë t’i drejtohet me „Ekselencë“ duhet të rikujtojë
Kryetarit historik të LDK-së se fjalën po e përdor me germën e madhe të shtypit, jo me të
voglën.
Po, pse u refuzua takimi shumë i dëshiruar me Ekselencën e LDK-së?
Ja shpjegimi i Kabinetit: „Lutja ishte arrogante dhe nuk ishte bërë sipas statusit të „partisë
së parë demokratike në Ballkan“. Nuk është pyetur se për çfarë mund të bisedohet dhe
Udhëheqësit nuk i është drejtuar me „Ekselencë“ por me „Zoti Abdixhiku! Ky artikulim jo
vetëm se është degradim, por poshtërim dhe tallje me Kryetarin e partisë së Rugovës.
Arsyeja tjetër e refuzimit është se lutja nuk është bërë tre muaj më herët. Në fakt ai takim i
shumëpritur dhe shumëdëshiruar nga pala shqiptare, ka qenë i pamundur sepse zoti
Begaj para tre muajve nuk ishte askush, kurse Abdixhiku qysh moti është Dikush, Dikush
me përvojë diplomatike!
Begaj nuk mund dje të bëhet kryetar, e sot të takohet me Abdixhikun e Parë, i cili udhëheq
partinë që është „vlerë nacionale“ e Kosovës.
E pastaj, ai duhet të skuqet e belbëzojë plot respekt kur përmend tri fjalët hyjnore „LDK“.
Kjo parti është parti e presidentit historik dhe i vendit më historik, që njeh kjo dynja, që kur
e krijoi i lumi i gjithëmëshirshmin dhe gjithëdijshëm.

Ky refuzim është vetëm një leksion pedagogjik dhe diplomatik, që i dhurohet kryetarit të
Shqipërisë, sesi duhet të sillet në diplomaci me parti, që kanë vlerë internacionale, peshë
prehistorike dhe rrënjë demokratike.
Fundi i fundit Ekselenca e tij nuk bën takime badihava, e as nuk merret me tema
irelevante…

Related Posts

Leave a comment