Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Dita Evropiane e Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare dhe Autoritare

300772425_10225379917278107_4171293166435465442_n
Nga Mishel Kociu
Sot në 23 gusht është Dita Evropiane e Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare dhe Autoritare – Nazizmit, Fashizmit dhe Komunizmit, e njohur ndryshe edhe si Dita e Shiritit të Zi.
Po si dhe pse është caktuar kjo datë?
Në këtë ditë të vitit 1939, BRSS dhe Gjermania naziste ranë dakord dhe frimosën një protokoll sekret për një “pakt mossulmimi” që në thelb ishte një marrëveshje e fshehtë për të ndarë Evropën Lindore mes tyre.
Më 1 shtator, Gjermania pushtoi Poloninë nga Perëndimi. Më 17 shtator BRSS pushtoi Poloninë nga Lindja.
Ushtritë e dy shteteve totalitare agresore u takuan në mes të Polonisë së pushtuar dhe festuan së bashku agresionin e tyre.
Protokolli sekret ishte drita jeshile që i duhej Hitlerit për të nisur luftërat masive të agresionit që ai dëshironte me aq pasion.
Ndryshe nga cilēsimet e propagandës së mëvonshme sovjetike, Stalini nuk hyri ne valle për të fituar kohë. I verbuar nga dëshira për copën e tij të tortës ai u bë një partner në krim me Hitlerin.
Kështu BRSS i kishte tani duart e lira për të pushtuar kombet që kishte kërkuar. Ajo sulmoi Finlandën, Estoninë, Letoninë, Lituaninë. Tre të fundit u aneksuan dhe u bënë të lirë vetëm në 1992. Prandaj data e 23 gushtit si burimi i së keqes, është ngulitur përgjithmonë në kujtesën e tyre kombëtare.
Falë Bashkimit Sovjetik, Gjermania pati dorë të lirë për të drejtuar të gjitha forcat e saj drejt Evropës Perëndimore. Ajo pushtoi Danimarkën, Norvegjinë, Holandën, Belgjikën, Luksemburgun dhe Francën.
Në këtë ditë të 23 gusht, ndërsa kujtohen milionat e njerëzve të vrarë nga regjimet totalitare në mbarë botën, le të përkujtojmë e të përkulemi për ata dhjetra mijra shqiptarë, viktima të një prej regjimeve më të egra staliniste të Europës, të cilët përgjatë më shumë se katër dekadave u vranë e persekutuan nëpërmjet terrorit, torturës, internimit, urisë e punës së detyruar në vendin tim, në Shqipëri.
Ende sot nuk dihet numri i saktë i viktimave të komunizmit në Shqipëri, ndonëse janë bërë të ditur emrat e 6000 personave të ekzekutuar nga komunistët. Të paktën 34 000 u burgosën (1 000 prej të cilëve vdiqën në burg nën tortura) dhe 59 000, duke përfshirë 10 192 gra dhe fëmijë, u burgosën në kampet e përqëndrimit.
Edhe pse Shqipëria arriti ta lërë pas komunizmin pas rënies së regjimit në 1991, trashëgimia e tij për fat të keq është ende e pranishme.
Sot Shqipëria, vendi im, anëtar i NATOS dhe kandidat për në BE, është sërish një vend ku të gjitha pushtetet, qëndrore dhe lokale i ka sërish vetëm një parti. Ironikisht partia trashëgimtare direkte e Partisë Staliniste të Punës. Trashëgimtare e drejpërdrejtë në burime njerëzore, pasuri, seli, organizim e idelogji!
Le të kujtojmë gjithmonë se “liria nuk është kurrë larg më shumë se një brez nga zhdukja”.

Leave a comment