Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

VEXHI BUHARAJA, ERUDITI I NJË KOHE TË ERRËT

306717120_193541443063145_3297518306769146277_n
Me poezinë “Përpara Tomorit”, 22-vjeçari Vexhi Buharaja, do të fitonte çmimin e parë, në konkursin letrar të 1 janarit 1942. Poeti i ri i sapokurorëzuar fitues, shkruante:
“Zog i shpirtit tundi krahët mbi Tomorin fluturo!
Shpuz’e mallit po valvitet, trete helmin, ligjëro!
Thuaja si ia thot’ bariu, kur dëgjon zën’ e gugashit.
Shko si shkon syr’ i gjahtarit nëpër udhën e larashit,
Qesh, si qesh një shtizë hënë përmbi faqen e dëborës,
Ndrit, si ndrin një fije ari, mu në buzën e kurorës…”
Në maj të vitit 1975, Vexhi Buharaja, intelektuali atdhetar, dijetari, njohës i dhjetë gjuhëve kryesore lindore dhe perëndimore, poeti dhe shkrimtari, përkthyesi, historiani, studiuesi dhe hulumtuesi u pushua nga puna: Buharaja u dëbua nga Instituti i Historisë në Tiranë, si njeri i “padëshirueshëm”.
U lind më 12 maj 1920, në lagjen “Murat Çelepi” në Berat. Rrjedh nga një familje intelektuale, me trashëgimi të pasur fetare, kulturore dhe atdhetare. Babai i tij, Ibrahim Efendi, ishte hoxhë, myderriz, atdhetar, si edhe gjyshi Ismail Efendi, që të dy, burra të përmendur për dituri, në Berat e nëpër Shqipëri. Mësimet fillestare i kreu në vendlindje. Më pas, vazhdoi studimet në Medresenë e Përgjithshme në Tiranë, ku u diplomua në vitin 1940, si një nga studentët më të dalluar. Menjëherë pas diplomimit, në moshën 20-vjeçare, u punësua në redaksinë e revistës “Kultura Islame”, e përmuajshme fetare, diturore, artistike, letrare, organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Tiranë.
Në vitin 1944 u largua nga Tirana, për shkak të rrethanave të vështira të luftës dhe qëndroi në vendlindje, Berat, pranë familjes së tij. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, nëntor 1944, për pak kohë punoi në Berat, si referent në Shtëpinë e Kulturës. Një ditë, në vitin 1946, komunistët e porsaardhur në pushtet, e burgosin, duke e akuzuar se bënte propagandë kundër qeverisë komuniste të Shqipërisë. Pasi doli nga burgu, edhe pse ishte në liri, si ish i burgosur politik, ende konsiderohej prej udhëheqësve të partisë, si armik. U detyrua të bëjë punë të rënda fizike, për të mbijetuar.
Vexhi Buharaja, ky njeri i rrallë, të gjitha vështirësive u bëri ballë. Ky njeri i madh, poet, përkthyes, shkrimtar, historian, orientalist, studiues, hulumtues, u pranua në punë si mësues. Në vitin 1965 e pranuan në Sektorin e Historisë së Mesjetës, pranë Institutit të Historisë në Tiranë. Me punën e tij hulumtuese, kërkimore-shkencore, ai dha rezultate optimale. Puna që bëri në Institutin e Historisë i zbuloi shumë fshehtësi Shqipërisë.
Vexhi Buharaja mblodhi, përktheu në shqip, transkriptoi rreth treqind mbishkrime turko-osmano-arabe, me vlerë të madhe. Duke u mbështetur në këtë material, ai ka shkruar studimin me titull: “Mbishkrimet turko-arabe në vendin tonë si dëshmi historike”, të cilën e ka lexuar si kumtesë në Konferencën e Dytë Shkencore të Studimeve Albanologjike, që i zhvilloi punimet në Tiranë, më 12-18 janar 1968. Ka përkthyer një varg përkthimesh të tjera që i përkasin periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, siç janë aktet dhe memorandumet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, manifestin “Ujanallem” (“Të zgjohemi”) 1899, hartuar nga Dervish Hima, letërkëmbimin e tij me dr.Ibrahim Temon, i përbërë prej 64 letrash, që përfshihet në vëllimin e tretë (1900-1908) “Rilindja Kombëtare Shqiptare”.
Vexhi Buharaja, përveç dokumenteve historike, ka përkthyer nga gjuha turke dhe perse, edhe vepra të tjera shkencore dhe letrare. Ka përkthyer veprat shkencore të Hoxha Hasan Tahsinit, rektori i parë i Universitetit të Stambollit, dramën “Besa” të Sami Frashërit, “Shahnamenë” e poetit të madh të Persisë, Firdeusit, përmbledhjen poetike “Tahajjulat” (“Ëndërrimet” dhe “Katër stinët”) të poetit Naim Frashëri. Këto vepra të përkthyera nga Vexhi Buharaja, janë vlerësuar si perla në letërsinë shqipe. Ka përkthyer nga persishtja, veprën “Gjylistani dhe Bostani” të poetit të madh persian, Saadi Shirazi (1203-1291), i njohur ndryshe si “Shekspiri i Lindjes”.
Prof. Eqrem Çabej, kur e lexoi “Gjylistanin”, vlerësoi jo vetëm tekstin e shqipëruar, por edhe studimin hyrës dhe fjalorin përkatës enciklopedik të përbërë prej 110 zërash, që shoqërojnë veprën, duke cilësuar: “Mjaftonte vetëm studimi hyrës, shënimet sqaruese dhe fjalori enciklopedik, që Vexhi Buharaja të meritonte një gradë shkencore.”
Përveç qindra përkthimeve të dokumenteve historike, përkthimeve të kryeveprave botërore, si edhe veprave shkencore, Vexhi Buharaja ka shkruar e botuar edhe punime, studime historike, filozofike, islamo-mistike, si “Lufta e Qerbelasë, Haxhi, etj., që janë botuar në revistën “Zani i Naltë”, “Kultura Islame”, “Njeriu” gjatë viteve 1938-1944 etj…. Ndërroi jetë në vendlindje, në Berat, me 5 korrik 1987, në moshën 67- vjeçare, por pas tri vitesh, ai sikur u ringjall në kulturën shqiptare.
Pas rënies së diktaturës, emrit dhe veprës së Vexhi Buharasë iu rikthye shkëlqimi dhe dinjiteti i mohuar. Më 20 dhjetor 1993, intelektualit iu akordua titulli “Mësues i Popullit” (post mortum), ndërsa më 6 korrik 1994, biblioteka e qytetit të Beratit mori emrin: Biblioteka “Vexhi Buharaja”.

Leave a comment