Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

PYLLI YNË PREJ BETONI DHE TREGIMI PËR NJË MONUMENT ANTIKORRUPSIONI

667B5FF6-01EA-4DEB-83D7-8855791158DC-1-thegem-blog-default

Thoma Nika

Nuk jemi larguar edhe aq në kohë, sa të harrojmë kohën e pallateve “kuti shkrepse”. Apo kohën e të tjerave, që ngriheshin me parafabrikate dhe mjerë kujt i binte të banonte në to, se ishin vapë në vapë e kallkan në dimër.
Shqiptarët mbyllën atë epokë dhe hapën tjetrën: të asgjësimit të pemëve për të mbjellë pyje pallatesh. Nga ato pallate, që në garën për të parë detin, shohin “një nga krushka, një nga mushka”, në një kakofoni të përkryer mes tyre. Fare pak shikon vila banimi trajtuar me finesë arkitekturore, që të quhet edhe “gjë e bukur”. Shikon Vilën “Duraku” dhe merr kënaqësi estetike nga ruajtja dhe evidentimi që u është bërë detajeve arkitekturore të ndërtesës origjinale, të njohur si Turizmi i Vjetër. Je duke zbritur shkallët nga Rruga “Skënderbeu” për te “Rruga e Flamurit” dhe merr të njëjtën ndjesi nga vila dykatëshe në të djathtë, të destinuar për banim. Kur kalon para apo hyn brenda ndërtesës ku aktualisht është vendosur “Tirana Bank”, gjen të njëjtën qasje ndaj të bukurës dhe respektim të elementëve tradicionalë në ndërtime. Të tjerat janë një katrahurë e përkryer, një garë për kate dhe për të shtuar metrakatrorë, pa u merakosur për dritën, diellin, distancat, rifiniturat.
Kjo puna e ndërtimeve tona, ka shumë histori shqiptare brenda. Ndërsa dynjaja, që di çfarë është dynja dhe që nuk ka qenë nën depresionin e zgjidhjeve për të “futur kokën”, ka ecur duke bërë ligj e shtet dhe urbanizim që mbetet e jeton me breza.
Po sjell dy detaje për këtë.
Në hyrje të Stambollit, kur vajta për herën e parë 20 vite të shkuar, më ra në sy një bllok pallatesh me të njëjtin projekt. Midis tyre një truall kishte mbetur i pandërtuar. Mësova se arësyeja ishte nga që pronari i tokës kishte refuzuar projektin tip, të ofruar nga Bashkia për atë zonë.
Detaji i dytë: Në Kosovë, na çuan edhe në një zonë kurorë e gjelbër. Na treguan për një truall të bërë gati për ndërtim, por të mbetur në tentativë. Arësyeja: Shefi i urbanistikës u bë pengesë për lejen në atë zonë. Ai nuk ishte tundur nga e tij (nga ligji), edhe karshi ofertës së majme financiare. “Bosi” nuk ia kishte kursyer plumbin dhe urbanisti nuk jeton më. Por edhe ndërtimi nuk ishte ngritur. Dhe trualli (i pazhvilluar) tregohej si monument antikorrupsioni. Kosova e ka.
Neve na mungon.

Leave a comment