Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Si duhet kritikuar një shfaqe artistike?

tri-motrat-675x450

Nga Blerina Shalari

Shkasë nga një kritikë e zotit Dashnor Kokonozi për shfaqen “Ivanov” vënë në skenë nga teatri kombëtar.

 

Kam vite të tëra që shkruaj në lidhje me shfaqet artistike që vihen në skenën shqiptare. Kam shkruar për shfaqe teatri, muzike, koncerte, film, muzikal etj. Në përgjithësi jam përkrahur për idetë dhe kritikën time, jo sepse kam shkruar mirë, por sepse jam munduar me të gjitha mënyrat për të folur thjeshtë me ndjesitë që më krijon shfaqja kur e shoh në skenë. Sëpari, unë nuk shkruaj kurrë për një shfaqe që s’e kam parë direkt në skenë. Kjo për shumë arsye, por, dua të jap mendimin tim sa i takon mënyrës se si duhet të jetë një kritik arti ose qoftë edhe një njohës arti kur të shkruajë për të dhënë mendimin e tij mbi një shfaqe artistike. Kur merr guximin të shkruash për një shfaqe, dije se po flet për një punë, e mirë apo e keqe qoftë, ajo është një punë, dhe si e tillë duhet çmuar ndër aktet shoqërore që e meritojnë të quhen punë. Duhet pasur kujdes, se ndërsa shkruan, flet për njerëz, për përpjekje, për lodhje, për ngjitjen e një shkalle vështirësisht të ngjitëshme, nga ato që pamëshirësisht t’i ofron skena e madhe. Kur e kritikon këtë shfaqe, medalja ka dy anë, por edhe kjo varësisht nga arritja që ka shfaqja, se ka gjasa të jetë një shfaqe jo dhe aq e mirë, ose ka përsëri gjasa që shfaqja të jetë e shkëlqyer. Tëdyja këto duhen pranuar dhe duhen njohur si të tilla, flas këtu për njohës dhe krijues artistë. Ti si kritik/ njohës/ adhurues arti, ke shijet e tua, por kujdes: Dritëro Agolli ka thënë se gjërat rreth e rrotull teje nuk maten me shijen personale, pra, ti ke shijen tënde, por në rastin konkret, shija që ke, nuk duhet të dëmtojë të vërtetën, ose atë që duket sheshit, pra: Salla plot, heshtja gjatë lojës, duartrokitjet dashamirëse, dëshira për ta parë më tepër se një herë, janë shumë nga arsyet se përse ti si adhurues/kritik/njohës arti duhet të bashkohesh me frymën e përgjithëshme. Se këtu lind një pyetje:
A mund ta detyrojë njeri publikun të mbushë me se s’bën sallën e teatrit? A mund ta detyrojë ndokush publikun të duartrokasë 20 minuta në fund të shfaqes? Po a mund ta detyrojë ndokush një të verbër, që ta ndjejë, ta shohë, ta kuptojë jetën më mirë se tek Ivanovi i Çehovit? Nëse ka gjëra që nuk të pëlqejnë, ose të duken tepër, ose do të doje të mos ishin, atëherë gjej stilin, rrugën, mënyrën, t’i thuash/shprehësh por kujdes sërish, flet për artistë, për shpirtra të ndjeshëm, shumë të mërzitur prej dhuntisë së talentit, edhe më tepër të shkatërruar për ndjenjën që duhet t’i japin spektatorit, po flas për artistë të vërtetë, se jo kushdo që del në skenë quhet artist. Kam qenë e mirëpritur si kritike sepse, jam munduar sëpari të ndjej mirë për një shfaqe, jo të jem konformiste. Kush më njeh e di mirë se s’jam aspak konformiste. Jam mirëpritur sepse, s’kam urrejtje për arritjen e të tjerëve, kolegë artistë qofshin ose përtej tyre. Jam e mirëpritur gjithashtu sepse, kur kritikoj, e le mënjanë individualizmin, tendenciozitetin, egon malinje, antivyrtytin që të ndan njëherë e mirë nga bota e artit. Mund të ketë vërejtje për një shfaqe, sa të duash. Po të kërkosh gjen, por, nëse i konstaton, mos e bëj vërejtjen qëllim në vetëvehte, sepse del në pah qëllimi, jo ana kritike e domosdoshme për artin. A keni dëshirë të dëgjoni një vërejtje si duhet bërë vërejtja? Për shembull ju mund të shkruanit:
Do të ishte mirë që loja me kungulleshka të mos përfshihej në shfaqe për x arsye, pasi për mendimin tim teksti aristokrat i Çehovit nuk e përtyp dot si truk artistik. Kështu, ju, as keni dëmtuar kënd, as keni cënuar kënd, dhe as keni shfaqur ndonjë tendencë, thjeshtë keni thënë mendimin tuaj. Kur flisni për Ivanovin e Dritan Boriçit, e kritikoni ndoshta qëndrimin në skenë, ngrirjen siç e quani, por asesi nuk mund të krahasohet një shpirt i ngurosur brenda vehtes për shkak të mynxyrave të kohës, i cili kërkon të shpërthejë jashtë trupit, me gjithë forcën duke e kthyer trupin në një armë vetëvrasëse, me betonin…, është diçka brutale ta thuash këtë qoftë edhe si metaforë, sepse ajo ngurosje në fakt, është dëshirë për të shpërthyer, për të hedhur tutje frymën e keqe, toksikun që na rrethon, dhe këtë e ndjen më tepër se kushdo një intelektual. Pra, edhe aktori që e luan Ivanovin, e ka në shpirtin e tij atë dramë, se në këtë botë jeton, vuan, qan, qesh, aktron, megjithëse në këtë rast por edhe në shumë të tjerë në skenë ky artist e ka hedhur poshtë mitin e aktorit thjeshtë për lojë. Ai shfaqet i vërtetë, i dhimshëm deri në gjak, i poshtëruar nga realiteti ashtu si edhe në jetë, i vetëvrarë po të doni, por i ngushëlluar nga fakti se është talent, por talenti paguhet shtrenjtë duke lënë në çdo shfaqe, një copë shpirti, që pak nga pak do soset një ditë, por do të mbetet frymë në shpirtrat e të tjerëve më pas. Për gjumëvënien që teatri iu ndjell disa njerëzve, praktikisht ajo nuk ju vjen prej shfaqes së gjatë, as prej Çehovit që i zbërthen brinjët këtij realiteti, por jam e sigurt se e dini mirë se jetojmë në një kohë përtacie mendore, intelektuale. E keni vënë re kur shpesh mezi matemi për të kapur përtacisht një gotë ujë ndërsa jemi duke ngrënë? Pra, kur kritikoni flisni nga pozita aktuale, jo nga shija ose nga disa anë subjektive që nuk rëndojnë më tepër se e vërteta ashtu siç është. Kam njohur intelektualë, të cilët, duke vuajtur nga komplekset e inferioritetit, shprehen për Beethovenin se është i tejkaluar, shprehen për Stanislavskin se është anakronik. Po sikur t’iu thuhej se edhe ajo që ata bëjnë është e tejkaluar, e vjetërruar etj? Skenaristi Jani Duri, i cili për vite të tëra ka përshtatur për radio me qindra dramatizime, madje ka shkruar edhe vetë, në gjykimin tim realist, edhe pse kanë kaluar rreth dy dekada nga puna e tij në radio, asesi s’më duken të vjetëruara. Përkundrazi, më duken një shkollë e vërtetë arti, në çdo aspekt, edhe pse sot ato incizime janë dëmtuar sepse janë bërë me shirit, por kjo nuk e eklipson kurrë atë punë madhështore. Për transparencë po përmend vetëm dy punë të këtij skenaristi të talentuar, po e theksoj, shumë të talentuar: Dramatizimi “Ishulli i koraleve”, dhe emisioni satirik “Unë them mendimin tim, ti tund kokën tënde në bashkëpunim me Vangjel Kozmain, një penë tjetër e talentuar. Edhe z. Dashnor Kokonozi e njoh dhe e çmoj pafund për ato mrekullira, dhe të cilat shumë prej tyre i kam në arkivin tim në kompiuter. I solla këta shembuj, sepse dua të them se unë si krijuese, nuk kam frikë nga talenti i të tjerëve, nuk kam frikë nga suksesi i të tjerëve, i cili nuk më hidhëron por më lumturon pafund. Nuk ndihem keq për një vulë të bukur dhe të dhimbshme që ka lënë Dritan Boriçi tek Ivanovi, asesi, por e kam si pikë referimi që të mundohem t’i ngjaj ndoshta diku në krijimtarinë time. Më bëhet zemra oqean për arritjet e të tjerëve, qaj nga gëzimi për atë art i cili më bën të qaj fisnikërisht, jo që të m’i shtojë hallet. Po edhe nëse teatri më bën të vuaj, unë e ndjej vuajtjen si Migjeni, që thoshte se vuajtja nuk e sëmur, por e bën njeri. Kështu, të gjithë duhet t’i besojnë dikujt që e sheh si unë teatrin me syrin e brendshëm, sepse, ky sy sheh shumë më shumë se syri përmbi trup, dhe kjo është e provuar. Se gjithë letërsia e kësaj bote pa dritë nga Iliada dhe Odisea, të cilave ai diell s’do t’iu fiket kurrë. Kështu, mllefi, smira, intriga, lëndimi, subjektivizmi, zilia, xhelozia, nuk janë gurët e duhur për një gjerdan kritik. Ky gjerdan duhet ndërtuar me gurë të çmuar, si:
pranimi i suksesit të tjetrit, joshja e bukur për ta arritur si sukses, përulja ndaj punës së tjetrit, qoftë edhe sa një therrime, dashamirësia për talentin e tjetrit, sepse talenti s’është një fjalë goje, pse jo, edhe adhurimi për një aktor nëse me lojën e tij të bën ta adhurosh, por ti e kursen këtë se shpirti s’ta pranon. Sa për Çehovin e tejkaluar, ky gjeni i artit rus e ka gjithëkohësinë në gjeninë e tij, sepse ai flet për jetën, për vrazhdësinë e saj, dënon vesin, por edhe përpiqet ta kurojë atë, me vetëpastrim. Kështu pra, e mirëkuptoj Ivanov-Boriçin, kur thotë se “kritika duhet ta shtyjë përpara artistin, dhe jo ta deprimojë”. Në fund po them se: Ky…., “i tejkaluari Çehov”, po na mëson çdo herë që e ndeshim se sa të tejkaluar jemi si shoqëri, kur, për arsye të kompleksit të së resë, “e vjetra”, domethënë Çehovit i ka skaduar…. vakti….,…, …, …, …,
p.s: Meqë ra fjala, “Ivanovin mund ta shihni edhe 4 netë me radhë tek “Turbina”, dhe mos harroni ta ndiqni, sepse 4 grimca shpirtërore shumëzim për 15 aktorë të lëna bujarisht këto në skenë, nuk janë pak. #ejaneteater!

Related Posts

Leave a comment