Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

E para ishte fjala

pexels-pixabay-164960-1

Blerina Shalari                                                                                                                                                                                                                                                                  Aktuale.. E para ishte fjala: domethënë: Teatri në mikrofon.
Radio Tirana ka filluar sërish të transmetojë radiodramatizimet e saj të famshme, ose më mirë të them, legjendare. Askush atëherë kur shkëlqenin, po as tani që ato prapë rezatojnë, por nuk kanë këllqe ti shohin, për këto shfaqe të bekuara nuk foli njeri. Asnjë artikull gazete, asnjë kronikë, qoftë edhe radiofonike për to, asnjë rresht në shtyp, por, ato ishin, janë dhe do të jenë një shkollë e vërtetë. Në radio Tirana, kanë bërë karierë të vërtetë që nga aktorët e brezit të parë, deri tek më të rinjtë. Të gjithë emrat e mëdhenj të skenës shqiptare, e kanë kthyer atë mikrofon historik në një arenë përleshjesh, gladiatorësh, shpatash, përqafimesh, puthjesh, vizitash, letrash miqsh dhe armiqsh, dhe të gjitha këto, na shëtisnin në mbarë botën. Unë, dhe shumë të tjerë, duke dëgjuar këto drama të fuqishme, të sinqerta, madhështore, dhe nuk e teproj kur e them, kam qenë në Afrikë, në Antraktidë, në Amerikë, në anie, në avion, nën tokë, në nëndetëse e ku të doni ju. A e di ndonjëri nga ju se lotët e atyre aktorëve, ishin lotë të vërtetë, dhimbjet e personazheve të atyre dramave, ishin edhe dhimbjet e tyre, gëzimet e forta ishin edhe të tyret, dhe të gjitha këto i dhuronin pa asnjë shpërblim për ne njerëzit e zakonshëm. Nuk më harrohet Tre shokët, Ishulli i koraleve, Në zemër të shkretëtirës, Histori dashurie, Xinxifillua e Kutelit, Kështjella e Kadaresë, e plot të tjera që dua një natë dimri të shkruhen. Për këtë arsye, që Radio Tirana realizonte këto drama, thjeshtë me efekte, por me shpirt, thjeshtë me një magnetofon super të vjetër, por me mendësi novatore, në të, kanë dhënë zemrën e tyre penat më të shkëlqyera: Odise Grillo, Naum Prifti, Petraq Xhillari, kanë dhënë frymën e tyre që nga Naim Frashëri e Violeta Manushi, e deri tek Ndriçim Xhepa Roland Trebicka, Mërkur Bozgo etj. Për të mos folur për formulimin e tyre muzikor i cili ia kalonte çdo pune të Holllivudit. Merrni guximin të dashur miq dhe bëni një shetitje 5 sekondëshe në youtube, dhe do të gjeni shumë nga këto kryevepra. Formuluesit e muzikës si: Floriana Paskali, Violeta Pecani, Donika Pasho, kanë qenë piktorë të vërtetë të kornizës dramatike në radio. Këta mjeshtra që, bashkë me regjizorët: Xhelil Aliu, Kristaq katundi, Engjëll Nazari, e plot të tjerë, bënë atë që quhet saga radiofonike shqiptare. Më besoni miq, është vërtetë një sagë. Mund të flas edhe për emocionet që ndjej akoma edhe sot me këto drama. Të pafunda kanë qenë. Sa herë mbetesha pa drekë, pa gjumë, pa mësuar për shkak të transmetimit të këtyre kryeveprave shqiptare e botërore. Sikur ta dinin Heminguei, Hasheku, Çehovi, Gorki, Hygoi, Sartri, Defoja, Kadareja me shokë, se si këta aktorë të mëdhenj iu kanë dhënë jetë librave të tyre, me siguri do të kishim tre apo katër fishin e veprave që shkruan ata në kohën kur jetuan. Nuk është e tepërt të them se duhet ngritur një monument për dramën radiofonike shqiptare. Çfarë karakteresh, fëmija, aktori, gjykatësi, polici, mjeku, roja, shoferi, fshatari dhe intelektuali, fshesari dhe rrobaqepësi, e gjithë jeta qendisej në një mikrofon të vetëm. Sipas thënjes së aktores Margarita Xhepa:
…. “Kur luanim në radio Tirana, mungonte vetëm kamera, dhe kuadri skenik ishte i plotë”.
Rolet e saj të nënave, nuk rreshtën as në radio. Nëna e Perinës, tek romani i Hektor Malosë, “Në familje, roli i nënës tek libri “Piciruku dhe Kalsoni, njeriu që banonte mbi çati, roli i Shotës tek drama për Azem Galicën, e plot të tjerë, dhe kryeroli i Migenës tek “Lulet e mollës së Golsëorthit.
Kjo ishte vetëm një e njëqinda e asaj që ka luajtur Margaritari Xhepa në radio. Të njëjtën rrugë ndoqi edhe xhevahiri tjetër i Xhepajve, Ndriçimi. I kam të gjalla në mendje rolet e tij si:
Roberti te “Tre shokët”, Jecku tek Gjahtarët e gorrillave, Martini tek drama “Pas provimit”, Fredi tek “Bashkëshortët”, pa llogaritur këtu fjalën artistike në të cilën Çimi ka bërë namin bashkë me të tjerët.
E ç’të thuash më parë për këto mrekulli o miq. Nga kjo arenë e vërtetë kanë ngjitur shkallët njerëz si: Sokol Balla, Artan Santo, Gent Strazimiri, e plot të tjerë që sigurisht që s’i mbaj mend. Po të isha në vend të atyre artistëve, aktorë, regjizorë që japin mësim tek artet, do ti çoja studentët, vullnetarisht, të luanin dramë në radio Tirana. Vetëm kështu mundet që të kemi shpresë për artistë në të ardhmen. Të njëjtën gjë do të thosha për ata të muzikës. Studentët e kompozimit mund të shkruanin po prapë, vullnetarisht muzikë për këto drama, dhe kështu do të bëheshin fare shpejt pjesë e lojës.
Unë kam parë filma me zë në radio, iu betohem për këtë, i kam parë. Mirëpo që kur u zhdukën padrejtësisht nga mikrofoni, mbeta dhe unë pa filma. Ato drama kanë qenë, dhe janë, veshi dhe syri im, frymëzimi im, muza ime, që vetëm mosekzistenca do të më ndajë prej tyre. E ai arti pastër, shpirtëror, i sinqertë që mbinte e rritej thjeshtë e vetëm në një kutizë radioje, të thotë se vlera e madhe e ka të vështirë të tretet. Teatri në mikrofon, është fraza që më marros, më fton të arratisem me marsh të pestë, më deh, dhe kam dëshirë që edhe të tjerët të dehen prej këtij refreni. Tv-të e varfër, politikë, me poza pa kuptim, bosh, s’më thonë asgjë. Unë dua verën e vjetër:
Iu flet Tirana: Tani do të ndiqni: Teatri në mikrofon.

Related Posts

Leave a comment