Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Para pyetjes” si na shkoi kështu kjo jetë”…

Capo-Gjokutaj

Çapajev Gjokutaj

Mbrëmë duke kaluar nga një kanal televiziv tek tjetri hasa filmin ‘Rasti kurioz i Benjamin Button’. Të lindësh plak dhe gjithë jetën të udhëtosh drejt fëmijërisë. Subjekt interesant, thashë me vete.

Pastaj, si kisha kaluar tek një koncert, m’u kujtua se për herë të parë embrionin e këtij subjekti e kam hasur tek Mark Twain që, pak a shumë thotë se jeta do na dukej shumë më e lumtur, në se do lindnim 80 vjeçarë dhe gradualisht do u afroheshim të 18-ave.

Po mbase më këndshëm e ka shtjelluar Wody Allen. Jetën time të ardhshme, thotë ky burrë fare pak i bukur po tej mase i lezetshëm, dua ta jetoj sëprapthi. Ngjallem së vdekuri dhe ia nis nga një azile pleqsh, duke u ndier çdo ditë mirë e më mirë. Gëzoj rehatinë e pensionit dhe pastaj, kur e nis organizojnë një mbrëmje dhe më dhurojnë një orë ari. Pastaj punoj 40 vjet me radhë dhe kur rinohem mjaftueshëm lë punën dhe nis qejfet: harboj nëpër mbrëmje me shoqe, shokë, muzikë e alkol. Më tej shkoj në shkollë se jam bërë fëmijë e dua edhe të luaj. S’kam kurrfarë përgjegjësie se ndërkohë jam bebe në bebelino e po i afrohem çastit të lindjes. Por s’mbaron këtu, kaloj 9 muajt e fundit duke u llokoçitur në në një tip vaske luksoze dhe pastaj ohohooo jap shpirt në një orgazëm.

Pa e shijuar mirë trillin e vdekjes orgazëm, nis e vras mendjen: në një jetë që rrjedh siç e thotë Woody Allen, a do na pëlqente vargu i De Radës ‘si na shkoi kjo jetë, vall në ëndërr e pamë’?

( Nga cikli ‘Zgara e meditimeve të çastit’ )

Related Posts

Leave a comment