Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Një rast i paprecedentë në historinë e ekonomisë së lirë të tregut

download (19)

Ola Xama

Sot ka ndodhur një rast i paprecedentë në historinë e ekonomisë së lirë të tregut: dy drejtori dhe një shoqatë janë mbledhur dhe kanë vendosur të ketë një çmim të unifikuar për pajisjen me leje drejtimi të kategorisë B. Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor bashkë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Shoqatën e Autoshkollave kanë miratuar që çmimi për patentat të bëhet 85 mijë lekë nga 40-50 mijë lekë të rinj që kushton sot.
Po përse ky është një rast ndryshe nga të tjerët? Në historinë shqiptare dhe botërore të tregut të lirë ka marrëveshje “kartel”, por ato organizohen nga operatorët privatë që dominojnë segmente të tregut dhe mbajnë çmime të unifikuara me qëllim fitimin e sigurtë. Kur këto raste pikasen nga autoritetet, bizneset ndëshkohen. Një vit më parë Shqipëria aplikoi një tjetër model unik të përcaktimit të çmimit me ngritjen e Bordit të Transparencës për vendosjen e çmimeve të karburanteve. Por në ndryshim nga rasti i patentave, Bordi u nis nga synimi për të mbrojtur qytetarët nga abuzimi dhe formula e përcaktimit të çmimit u miratua nga Kuvendi.
Në tregun e autoshkollave nuk kemi asnjë ankesë se ka abuzim për çmimet, por sipas një interviste që kishte dhënë kreu i DPTRRSH, rritja e çmimit u dakordësua me qëllim zhdukjen e “sekserëve” dhe garantimin e cilësisë së mësimdhënies. Pra, Drejtoria e Transportit Rrugor nuk i kontrollon dot punonjësit e vet dhe korrupsionin, sepse në fund fare ata të japin provimin dhe patentën, dhe e zgjidh këtë duke rritur çmimin.
Në marrëveshje bënte pjesë edhe Drejtoria e Tatimeve. Palët që firmosnin binin dakord të deklaronin saktë orët e kursit dhe individët që hynin në autoshkollë. Pra na duhej kjo marrëveshje që autoshkollat ta dinë që duhet të paguajnë dhe deklarojnë në rregull taksat dhe duhej vendosur çmim dysheme që të paguhen të ardhurat në rregull. Këtej bizneset kanë vite që thonë na hiqni referencat, këtej shkojnë firmosin marrëveshje për çmime reference.
Por kush ka të drejtë të vendosë çmime në treg? Çmimet për tregje të caktuara dhe ku ka konkurrencë të kufizuar vendosen nga ente rregullatore apo institucione që ngarkohen me ligj dhe kanë detyrim garantimin e cilësisë së një malli/shërbimi dhe mbrojtjen e konsumatorit. Edhe formula e vendosjes së çmimit bëhet mbi metodologji të mirëstudiuara dhe konsultuara, e në asnjë rast çmimi nuk është i njëjtë, por duhet të ketë një koeficent. Një autoshkollë me 5 kursantë nuk mund të ketë të njëjtin çmim si një që ka 50.
Në këtë rast as Tatimet dhe as Drejtoria e Transportit Rrugor nuk ka të drejtë të vendosë çmime. Në statutin e DPTRRSH përcaktohet qartë se për çfarë i vendos tarifat dhe ato janë për mallrat dhe shërbimet që ofrohen nga kjo drejtori, e jo për tregun privat.
Po nëse është një organizatë në fushën e sigurisë rrugore që do të ofrojë kurse autoshkolle për të rinjtë falas do e ndalojë kjo marrëveshja?
Qershia mbi tortë është që marrëveshja do aplikohet në mars, pra pas 10 ditësh, dhe i komunikohet publikut me një intervistë që jepet në media. Aventure!

Related Posts

Leave a comment