Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Gabimi i para 3 vjetëve që po i kushton Kurtit në Konferencën e Sigurisë në Mynih

-640-0-1672224438xkurti-675

Në botë nuk ka asnjë organizim më të mëdha të natyrës së njëjtë sesa Konferenca e Sigurisë së Mynihut.

Eventi që zhvillohet që nga viti 1963 në Bavari të Gjermanisë, është një mbledhje e parvjetshme me politikanë, e liderë vendimmarrës të fushave të ndryshme.

Me moton “paqe përmes dialogut”, konferenca provon që të afrojë platforma të ndryshme komunikimi mes liderësh dhe të zhvillohen diskutime të cilat më pas mund të çojnë në marrëveshje eventuale.

Pse Konferenca e Sigurisë së Munihut është treguar kaq e suksesshme nder vite ka të bëjë edhe me setin e bisedimeve në tavolina takimesh.

Të dizajnuara nën “Chatham House Rule”, komunikimi bëhet lirshëm, sepse bashkëbiseduesit pajtohen që çfarë thonë brenda takimit nuk ekspozohet jashtë.

E gjithë ideja e rregullave të “Chatham House” është që ka pajtim xhentëlmenësh që asnjë nga të pranishmit nuk do të citohet se çfarë ka thënë brenda takimit dhe çfarëdo teme që të hapet do të pranohet për shqyrtim pa pasojnë e takimeve formale të natyrave të tjera.

Në vitin 2020, Albin Kurti, po merrte pjesë për herë të parë në Konferencën e Munihut si kryeministër i Kosovës dhe për herë të parë ishte pjesë e një tavoline me rregulla të tilla.

Në këtë takim ishin të pranishëm liderë botërore dhe gjithashtu edhe, liderët e Ballkanit Perëndimor.

Albin Kurti, Edi Rama, Aleksandër Vuçiç, Miroslav Lajçak, Josep Borrell, por edhe shumë të tjerë kishin mundësinë të shpreheshin më lirshëm dhe më gjuhë më të drejtpërdrejtë për qëndrimet e tyre.

Krejtësisht kundër rregullave, dikush nga ekipi i Kurtit kishte incizuar fjalimin e tij dhe ai u bë publik në Kosovë.

Fjalimi i Kurtit ishte cilësuar heroik, meqë ai “po ua thoshte në fytyrë” se cili ishte qëndrimi i tij për tema të ndryshme.

Përtej heroizmit lokal, veprimi përbënte shkelje të rëndë të rregullave të takimit dhe protokollit të konferencës. Gjithsesi, për Kurtin i rëndësishëm në atë kohë ishte elektrifikimi i masës në prag zgjedhjesh.

Tri vjet më vonë, Kurti dhe ekipi i tij po e ka vështirë të realizojë takime të nivelit të lartë. Madje, ai nuk ka arritur as nivelin e takimeve që ka siguruar presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe kjo në një kohë kur Serbia vazhdon të mos i vë sanksione Rusisë, siç ka bërë e gjithë bota perëndimore.

Derisa Vuçiç është takuar me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken, Kurti nga amerikanët ka takuar senatorin, Bob Menendez.

Vuçiç ka zhvilluar takim edhe me presidentin francez, Emmanuel Macron, derisa Kurti vetëm ministren për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Catherine Colonna.

Takimi më i rëndësishëm i Kurtit ka qenë ai me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe me zyrtarët e Bashkimit Evropian, Josep Borrell e Miroslav Lajçak, por këto ishin takime në vazhdën e bisedimeve për propozimin franko-gjerman.

Këtë vit nuk ka pasur takime të stilit “Chatham House Rule”, ose të paktën jo për ndonjë që është bërë i ditur.

Por, çfarë dihet me siguri, është se organizime me traditë, siç është Konferenca e Sigurisë në Munih, janë shumë strikte në respektimin e rregullave dhe protokolleve rreth të cilave organizon takimet.

Çfarë kishte thënë Kurti në vitin 2020 në Munih që deshi me patjetër ta publikojë…

Në atë kohë ende ishte i freskët debati për ripercaktimin eventual të kufijve, të cilën e kishte propozuar presidenti Hashim Thaçi.

Në Kosovë do refuzohej kategorikisht kjo ide me parulla si “kjo është ndarje e Kosovës”.

Ishte krijuar edhe një version se si për këtë janë marrë vesh, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Kurti kishte shfrytëzuar këtë rast dhe kishte deklaruar në Munih se “duhet të përgatitemi mirë, me principe të mira, për dialogun e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Duhet të jenë, le të themi tri principe në këtë dialog për të shëruar plagët e projektit të dështuar të shkëmbimit të territoreve. E para është, s’ka marrëveshje pa dialog. E dyta, s’ka dialog me harta. E treta, s’ka harta me presidentë sipër tyre”.

Në Kosovë kjo do pritej si heroizëm. Kurti “ua tha në fytyrë të vërtetën edhe perëndimorëve”.

Më pas, duke marrë referencë disa pasuese nga filozofi Ukshin Hoti, Kurti kishte deklaruar se si “20 vjet më parë gati të gjithë ju keni ndihmuar për ta çliruar Kosovën nga Serbia. Tani mendojë se është koha që ta ndihmoni Serbinë të çlirohet nga Kosova”.

Ukshin Hoti, derisa qëndronte në burg nën regjimin serb, në një nga shkrimet e tij kishte thënë se “një Serbi që e mban të pushtuar Kosovën nuk është as vetë e lirë. Liria e vërtetë e Kosovës është një premisë themelore edhe për lirinë e vërtetë të Serbisë. Kosova për Serbinë është kulti i robërisë së vetvetes, nëse nuk bëhet shans i lirisë dhe i evropeizmit të saj të ardhshëm”.

Edhe sivjet…

Skandalet në aspektin e politikës së jashtme nuk kanë munguar as kët vit.

Një skandal banal ndodhi dhe gjatë këtij muaji, ditën e pavarësisë së Kosovës madje.

Nën udhëzimet e Ministres Gërvalla, ambasadori i Kosovës në Tiranë Skënder Durmishi, ka bërë një gabim trashanik, duke ftuar Sali Berishën në pritje të ambasadës për 15 vjetorin e pavarësisë.

Meqë Berisha është i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Britania e Madhe, festa e ambasadës së Kosovës u bojkotua nga pothuajse të gjithë ambasadorët perëndimorë, veçanërisht nga ambasadorja amerikane.

Opozita kritike

Mungesa e takimeve të Kurtit në Munih u ka hapur gojën kritikëve të tij nga opozita.

Një nga më të zëshmit, ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku.

“Dikur, në takime të rëndësishme ku ishte SHBA-ja, Kosova ishte palë, e jo temë. Sot, palë është Serbia e temë Kosova, ndërsa krerët e institucioneve tona, sillen korridoreve për të shtrënguar simbolikisht ndonjë dorë, sikur të ishin turistë të interesuar për fotografi e jo përfaqësues të një shteti që i duhet përkrahja e SHBA-së”, shkruan ajo në Facebook.

“Me liderët e sotëm të institucioneve, jo vetëm që s’janë hapur dyer të reja, por kanë filluar të mbyllën edhe dyert që Kosova i kishte të hapura”, përfundon komenti i saj thumbues./ Albanianpost.com

Leave a comment