Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Biden në vizitë të paparalajmëruar në Kiev

auto_01000000-0aff-0242-adc3-08db132c580e_w1023_r1_s1676890555

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, arriti për një vizitë të paparalajmëruar në Kiev.

Është ky udhëtimi i tij i parë në Ukrainë, prej se Rusia ka nisur pushtimin e këtij vendi gati një vit më parë.

Fotografitë e shpërndara në mediat sociale shfaqën presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke pritur homologun e tij amerikan në qendër të kryeqytetit Kiev, më 20 shkurt.

Ndonëse paraprakisht u dëgjuan sirena paralajmëruese, nuk u raportua për ndonjë sulm.

Zelensky tha se vizita e Bidenit “është një shenjë jashtëzakonisht e rëndësishme e mbështetjes për të gjithë ukrainasit”.

Biden tha se ndodhet në Kiev për të konfirmuar angazhimin e palëkundur të SHBA-së “ndaj demokracisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.

“Kur [presidenti rus, Vladimir] Putin nisi pushtimin gati një vit më parë, ai mendoi se Ukraina është e dobët dhe se Perëndimi është i përçarë. Ai mendoi se mund të na mposhtë, por e kishte gabim”, tha Biden.

Ai shtoi se SHBA-ja po përgatit një dërgesë të re të “pajisjeve kritike” për Ukrainën, e cila, siç tha, do të përfshijë municione artilerie dhe radarë të mbikëqyrjes ajrore.

Biden, po ashtu, paralajmëroi sanksione të reja kundër shtetit rus.

SHBA-ja është ndër ofruesit më të mëdhenj të ndihmave për ushtrinë ukrainase. Që nga fillimi i pushtimit rus, më 24 shkurt të vitit të kaluar, Uashingtoni i ka dërguar pajisje mbrojtëse dhe logjistike në vlerë prej dhjetëra miliarda dollarësh.

Vizita e Bidenit vjen në kohën kur forcat ruse janë duke sulmuar rëndë pozicionet ushtarake dhe vendbanimet civile në Ukrainën lindore dhe jugore.

Rusia kreu dhjetë sulme raketore dhe 25 sulme ajrore në rajonet lindore të Luhanskut dhe Donjeckut, si dhe në rajonin jugor të Zaporizhjes, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase në raportin e tij të përditshëm.

Sipas tij, sulmet lanë disa civilë të vrarë dhe të plagosur. Pa dhënë më shumë detaje, Shtabi paralajmërsoi se kërcënimi nga sulmet ruse mbetet i lartë në të gjithë Ukrainën.

Biden dhe Zelensky u takuan për herë të fundit në dhjetor, kur presidenti ukrainas qëndroi për vizitë zyrtare në Uashington.

Asokohe, Biden e siguroi homologun e tij se mbështetja e SHBA-së për Ukrainën “do të vazhdojë për aq kohë sa të ketë nevojë”./REL

Related Posts

Leave a comment