Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Humbja e rrënjëve

331731732_723949326031667_3496400369742936350_n
Nuk është e mundur të përmbushet nevoja e të vërtetës së një populli nëse në rradhët e tij nuk gjen burra e gra me shumica që e duan të vërtetën. Ndërtimi i rrënjëve është ndoshta nevoja më e rëndësishme dhe më e panjohura e shpirtit njerëzor dhe është ndër më të vështirat për t`u përcaktuar.
Nëpërmjet pjesmarrjes së qënësishme të dëshirës e nevojës për t’u përcaktuar si individ e në grupimin shoqëror, pranisë aktive dhe natyrale, ekzistencës së kolektivitetit që i ruan të gjalla disa thesare të së shkuarës dhe disa synime a përcaktime të së ardhmes, njeriu krijon dhe gjen rrënjët. Pjesmarrje natyrale ështe ajo e përcaktuar prej vendit, që në lindje, prej ambinetit rrethues e njerëzve ndërmjet të cilëve rritesh. Çdo njeri ka nevojë për rrënjë të shumëfishta prej të cilave pikësëpari njeh të tjerët rreth tij dhe dalëngadalë fillon të njohë dhe veten nëpërmjet dhe midis tyre, vendoset në mesin e atyre që i falin identitetin fillimisht personal, më pas familjar e së fundi kombëtar. Njeriu ka nevojë të fitojë në ambientin gjithëpërfshirës natyral ku rritet e formohet, moralin, ngritjen intelektuale dhe atë shpirtërore.
Shkëmbimet e influencave ndërmjet ambientesh shumë të ndryshme nga njëra tjetra janë po aq të domosdoshme sikurse rrënjosja dhe brumosja në ambientin natyral. Një ambient i caktuar duhet të jetë i influencuar nga jashtë jo për t`u pasuruar sesa për të stimuluar që jeta të jetë sa më e plotë, sa më intensive. Përplasja ndërmjet kulturave dhe qytetërimeve sjell progres atëherë kur njeriu ka fituar mjaftueshëm vetëdije dhe zotëron mjaftueshëm kulturë për të nxjerrë përfitim në ngritjen e tij intelektuale edhe prej përvojave në ambiente e qytetërime të ndryshme nga ai i rrënjëve të tij. Emigrimi dhe lëvizja e shpeshtë e njerëzve përgjatë historisë, pa harruar rrënjët ku përket, ka treguar se njeriun e ka pasuruar fillimisht me përvojë, me ide, me njohuri të cilat sjellin dhe rritjen e mirëqenies ekonomike. Ndërsa sot, siç vërehet rëndom nga largimet masive njerëzit interesohen kryesisht vetëm për këtë të fundit, shpesh duke fshehur dhe identitetin e tyre kombëtar e duke dëshiruar që ta ndryshojnë atë përgjithmonë, për shkak të kushteve ekonomike, politike e sociale në vendin amë. Kështu vdesin qytetërimet.
Kur një piktor i aftë shkon në një muze, origjinaliteti i artit të tij përforcohet, arrin të dallojë mes mijëra punëve të tjera ndryshimin ndërmjet tij dhe piktorëve të tjerë, përfiton në këtë mënyrë edhe rritjen e aftësive të tij duke kuptuar ku duhet ta përmirësojë penelin apo ku duhet të mos ndërhyjë në atë që e ka të rafinuar mjaftueshëm. E njëjta gjë ndodh me popullsitë e ndryshme që përjetojnë përplasje qytetërimesh dhe kulturash nëpërmjet lëvizjes dhe zhvendosjes së vazhdueshme.
Me procesin kur njeriu fillon të njohë rrënjët dhe të jetë i vetëdijshëm për to, ekziston dhe procesi i ç`rrënjësimit (humbjes së rrënjëve) dhe ky i fundit është minimal kur për shembull marrim rastin e një pushtimi të një populli dhe pushtuesit janë migratorë që instalohen në vendin e pushtuar dhe përzihen me popullsinë vendase duke zënë rrënjë aty. Ky ka qënë rasti i helenëve në Greqi, i keltëve në Gali, i arabëve në Spanjë etj. Por kur pushtuesi mbetet i huaj dhe nuk ka asnjë interes të përzihet me popullsinë vendase, ç`rrënjimi është një sëmundje pothuajse vdekjeprurëse për popullsinë e pushtuar. Vlen për t`u përmendur si shembull pushtimi francez në Oqeani e në shumë vende të tjera.
Ajo që është edhe më e rrezikshme sesa pushtuesit e huaj, është dominimi i parasë dhe dominimi ekonomik në përgjithësi të cilët imponojnë influencën e huaj deri në pikën që ndodh sëmundja e humbjes së rrënjëve (shkatërrimi i plotë në breza i identitetit familjar e kombëtar). Paraja është sëmundje më vete dhe ndër më të rrezikshmet sa kohë arrin të shkatërrojë rrënjët kudo ku penetron duke zëvendësuar çdo lloj dëshire tjetër perfitimi si atë moral, artistik, kulturor, shkencor etj. Edhe arti apo kultura në përgjithësi quhen të suksesshme vetëm nëse arijnë të bëjnë para, nëse jo nuk quhet më art. Kështu ka përfunduar edhe gazetaria, letërsia, çdo sistem tjetër që sot përdoret vetëm për të gjeneruar pasuri materiale dhe asnjë përfitim tjetër pos tij. Varfëria intelektuale nuk matet kurrë me para por ekzistenca e kësaj varfërie shkaktohet nga dëshira vetëm për përfitim material. Asgjë tjetër në botë nuk është më e thjeshtë sesa diçka që matet vetëm me një shifër!
p.s. Ne kemi nevojë për ushqim mendor, për ushqim kulturor e për shumë ushqim shpirtëror. Nuk prodhojmë dot asgjë më shumë sesa niveli ku jemi zhytur e që sa vjen e thellohet në zbritje. Konstatoj me shumë keqardhje se tek brezat e sotshëm kultura pothuajse nuk ekziston dhe akoma më e rëndë kur për të nuk ka asnjë interes. Paraja tashmë po blen gjithçka, edhe rrënjët, edhe identitetin, edhe shpirtin!
Ervina Toptani

Leave a comment