Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

“Greqia shpërfilli rrezikun”, KE: Paralajmërimet për aksidente në vesh të shurdhët

-640-0-1677769435xtrenat-744

Pavarësisht paralajmërimeve, autoritetet greke nuk reaguan në kohë për të siguruar sistemin hekurudhor. Pas aksidentit ku humbën jetën 57 persona, drejtori ekzekutiv i Agjencisë Hekurudhore të BE-së sqaroi se e kishin sinjalizuar Athinën shumë herë në vitet e fundit, përfshirë në raportin e vitit 2022, ku gjendja paraqitej e zymtë.

“Gjatë dy viteve të fundit ne kemi parë se Greqia është renditur mes vendeve me infrastrukturën më të dobët. Pra, ka pasur një performancë të ulët sa i takon sigurisë, që matet me numrin e aksidenteve fatale krahasuar me gjatësinë e rrjeteve dhe numrin e pasagjerëve për kilometër. Kemi konstatuar një anomali ende me organin hetimor kombëtar, pasi nuk kemi marrë raport për ndonjë hetim të kryer,” – u shpreh Josef Doppelbauer, kreu i Agjencisë Hekurudhore të BE-së.

Komisioni Evropian ka shpenzuar 700 milionë euro për modernizimin e sistemit hekurudhor në Greqi që prej 2014-s dhe ka në plan të lëvrojë 130 milionë të tjerë në kuadër të Fondit të Rikuperimit.

Në të njëjtën kohë, Greqia duhet të kishte vendosur Sistemin Evropian të Kontrollit të Trenave që prej 2020-s, që duhet të përfshinte edhe pikën ku dy trenat u përplasën, por kjo nuk ndodhi.

“Është problematik fakti që paratë nuk janë shpenzuar si duhet. Edhe gjithashtu shqetësues fakti se zbatimi i sistemit evropian për menaxhimin e hekurudhave është shtyrë për në 2023-shin,” – tha Doppelbauer.

Qeveria greke ka nisur një hetim mbi ngjarjen, ndërsa drejtuesi i stacionit hekurudhor të Larisës u arrestua disa orë pas aksidentit dhe u akuzua për “vrasje si pasojë e neglizhencës”.

Sidoqoftë, a mundet që ky “gabim njerëzor” të shmangej nëse sistemi automatik do të ishte vendosur sipas planit.

“Ne nuk e dimë se cili ka qenë shkaku kryesor i aksidentit. Por sisteme të tilla janë bërë për të reduktuar rrezikun e një gabimi njerëzor. Ato i reduktojnë në mënyrë dramatike këto shanse. Ndaj nëse sistemi është i aktivizuar, shanset për një gabim njerëzor do të ishin shumë më të ulëta,” – sqaroi Doppelbauer.

Zyrtari, së bashku me ekspertë të tjerë të Komisionit Evropian, do të vizitojë Greqinë të mërkurën për t’i ofruar vendit mbështetje të mëtejshme në modernizimin e hekurudhave dhe përmirësimin e sigurisë së tyre.

Related Posts

Leave a comment