Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Në 100 vjetorin e lindjes të iktiologut të shquar, profesor Ndoc Rakaj

IMG-20230211-WA0001

Më 31 mars 2023 mbushen 100 vjet nga lindja e shkencëtarit të Iktiologjisë shqiptare, professor Ndoc Rakaj.

Ndoci u lind më 31 mars 1923 në Shirokë. Liqeni i Shkodrës, i madh, i bukur, aq i gjallë, përcaktoi rrugën e jetës të shkencëtarit të ardhëshëm.

Pas përfundimit të shkollës së mesme, më 1946 Ndoci zgjidhet në detyrën e kryetarit të Ekonomisë së Kooperuar të Peshkatarëve të Liqenit të Shkodrës dhe, në vijim, kryetar i Degës së Prodhimit në Komitetin e Përgjithshëm të Ekonomive të Kooperuara (Tiranë), çka i mundëson të njohë peshkimin në shumë rrethe të Shqipërisë (Durrës, Lezhë, Vlorë, Pogradec, etj).

Më 1948 Ndoci ndodhet për studime të larta në Moskë, në Institutin (sot Universitet) e Lartëtë Teknologjisë dhe Ekonomisë së Peshkimit, ku diplomohet në “Iktiologji dhe Kulturën e Peshkut”. Në fund të viteve ’50,në këtë Institut Ndoci do të jetëpërsëri për një vitpër studime pasuniversitare.

Pas kryerjes së studimeve të larta dhe kthimit në Shqipëri, nis rrugëtimishkencor dhe aplikativ i Ndoc Rakaj, në fushën e ekonomisë së peshkimit: përgjegjës i Sektorit të Studimeve për Hidrobiologjinë dhe Peshkimin në Institutin e Shkencave (1953-1954); kryespecialist i Ndërmarrjes Kombëtare të Peshkimit (1955-1958); drejtor i Stacionit (më pas Institut) të Studimeve të Peshkimit Durrës (1958-1960),ku kontribuoi për studimin dhe aplikimin e metodave dhe teknologjive të reja për vënien e ekonomisë së peshkimit në baza shkencore; kryespecialist në Drejtorinëe Përgjithshme të Peshkimit në Ministrinë e Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore (1960-1971); kryeinxhinier i Ndërmarrjes Kombëtare të Peshkimit (1971-1972); përgjegjës i Sektorit të Studimeve të Peshkimit në Institutin e Teknologjisë Ushqimore (1972-1974); përgjegjës i Sektorit të Eksperimentimit të Peshkut nëLaknas-Kamëz (1974-1982); drejtues i Temës Studimore Qeveritare “Iktiofauna e Shqipërisë” (1982-1988). Gjithashtu profesor Ndoci ka qenë antar i Këshillave Shkencorë në disa institute kërkimorë-shkencorë (Instituti i Shkencave, Instituti i Kërkimeve Biologjike, Instituti i Hidrometereologjisë) dhe i Kolegjiumit të Ministrisë së Industrisë Lehtë dhe Ushqimore.

Gjatë jetës së tij Ndoc Rakaj studjoi dhe aplikoi:

– bioteknologjitë e shtimit dhe të rritjes së drejtuar të koranit dhe belushkës në Tushemisht, Pogradec (1959-1960)

– metodat dhe teknikat e gjuetisë me mjete stacionare në bregdet dhe në Liqenin e Shkodrës (1950-1960)

– përhapja e sardeles dhe dinamika e shtimit, ushqimit dhe lëvizjes së saj sipas periudhave kohore dhe kuadrateve hapsinore detare

– për herë të parë metodën dhe teknikat e gjuetisë me elektrolinja për peshkimin e sardeles në ujrat detare dhe gjucës dhe cironkës në ujrat e ëmbla (1956-1965), çka shumëfishoi prodhimin dhe është “Patentë shqiptare”, e njohur dhe e zbatuar si e tillë edhe jashtë vendit

– ndërtimin e ekonomive të para dhe realizimin e bioteknologjive të rritjes së drejtuar të koranit në Tushemisht, Pogradec (1959-1960), të troftës në “Syrin e Kaltër” Bistricë (Delvinë) dhe në Lin, Pogradec (1970), të krapit në Kavajë (1960-1965) dhe në Laknas-Breglum, Tiranë (1956 dhe 1968-1970)

– aklimatizimin e peshqëve bar-e-plankton-ngrënës dhe pastrimin nëpërmjet polikulturave të ujrave me ndotje organike, çka gjithashtu është “Patentë shqiptare”

– për herë të parë metodën dhe teknikat bioteknologjike të shtimit të troftës dhe të aplikimit në lagunat të metodave dhe teknikave të reja të rindërtimit të dajlaneve (1970).

Veprimtaria shkencore e profesor Ndoc Rakaj është pasqyruar në një sërë botimesh, si monografitë:

Shtimi dhe Rritja e Troftave (1971)

Rritja e Peshkut (1977)

Bioteknologjia e shtimit dhe e rritjes së peshqëve bar & plankton-ngrënës (1977)

Biologjia dhe teknika e peshkimit të sardeles (1978)

Iktiofauna e Shqipërisë, detare dhe e ujrave të ëmbla (700 f., 1995)

Harta biogjeografike e iktiofaunës së Shqipërisë (1998)

Shtimi dhe rritja e drejtuar e peshqëvepërmirësues biologjikë (2003)

Metodika e studimeve iktiologjike dhe e përcaktimit të rezervave peshkore (2003),

si dhe 7 tekste mësimorë për Zookulturën, Kulturën e Peshkut, Iktiologjinë për shkollat e larta dhe të mesme dhe mbi 20 artikuj me qindra e qindra faqe botuar në organet e specializuara të vendit, por edhe jashtë (Francë, Angli, Gjermani, Rusi, etj), si: “Biologjia e sardeles dhe peshkimi me metodën elekrolinjë” (Ribnohozjajsvo, Moskë, Rusi, 1965); “Mjedisi dhe dinamika e faunës ujore në Shqipëri” (Ecological Journal, Hollandë, 1996); “Iktiofauna e ujrave të ëmbla, peshqit endemikë dhe të rrezikuar të Shqipërisë” (Oxford University Journal of Biological Sciences, Angli, 1997); “Zbulimi i subspecies Alosa Agone në burimet e Sheganit, Liqeni i Shkodrës” (Bulletin de Biologie des Poissons, Paris, Francë, 2002), po ashtu referime në kongrese, konferenca, simpoziume kombëtare dhe ndërkombëtare.

Shumë studjues dhe shkencëtarë të huaj (të FAO-s, Italisë, Francës, Britanisë, Gjermanisë, Kroacisë, Greqisë, Suedisë, etj) kanë cituar studimet e profesor Ndoc Rakaj në referencat e botimeve shkencore dhe kanë vlerësuar figurën shkencore të tij.

Duke qenë bashkautor i Fjalorëve Enciklopedikë të Biologjisë dhe Bujqësisë, si dhe i disa fjalorëve themelorë të Gjuhës Shqipe, Ndoci dha një kontribut të madh në terminologjinë shqipe në fushat e Detarisë, Peshkimit dhe Iktiologjisë, duke evidentuar pasurinë e madhe gjuhësore iliro-shqiptare.

Vepra vëllimore “Iktiofauna e Shqipërisë” (1995), së bashku me “Harta biogjeografike e iktiofaunës së Shqipërisë” (1998), kurorëzojnë më së miri një jetë përkushtuar thellësisht shkencës dhe vendit të tij.

Gjatë jetës së tij Ndoc Rakaj ka qenë profesor “i jashtëm” në Universitetin Bujqësor të Tiranës, duke qenë hartues i tekstit universitar “Kultura e Peshkut” dhe udhëheqës i shumë diplomave; pedagog “i jashtëm” në Akademinë Ushtarake të Marinës (Vlorë) në disiplinat e “Detarisë” dhe të “Peshkimit”; udhëheqës i disertantëve dhe drejtues i Kursit të Kualifikimit Shkencor Pasuniversitar në fushat e Iktiologjisë dhe të Kulturës së Peshkut; nismëtar i arsimit të mesëm në ekonominë e peshkimit, i hapjes së Shkollëssë Mesme të Peshkimit Durrës dhe hartues i teksteve mësimorë për shkollat e mesme në fushat përkatëse të peshkimit dhe zooveterinarisë; organizues i “arsimimit në vazhdim” të kuadrove dhe specialistëve të Ekonomisë së Peshkimit. Gjithashtu profesor Ndoc Rakaj ka kontribuar në ngritjen dhe pasurimin të Pavionit të Iktofaunës të Muzeut të Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, me vlera të mëdha shkencore dhe didaktike.

Profesor Ndoc Rakaj ka qenë zgjedhur antar i disa forumeve drejtuese dhe organizatave shkencore ndërkombëtare, si psh, në vitet 1971-1975 është antar i Komitetit Evropian të Iktiologjisë; që më 1994 antar i Shoqatës Ndërkombëtare Frankofonetë Iktiologjisë (CIBIUM); që më 1996 antar i Shoqatës Gjermane të Iktiologjisë.

Ndoc Rakaj që në fillimet e angazhimit në fushën e Ekonomisë së Peshkimit u shfaq një kuadër i ndershëm, serioz, patriot, dashamirës, i përkushtuar, kërkues, këmbëngulës, i saktë, që asnjëherë nuk “kurseu veten” për të arritur objektivat shkencorë dhe praktikë.

Puna, studimi dhe kërkimi shkencor në institucione shkencore dhe administrative, në shkolla dhe universitete, ku Ndoc Rakaj bashkoi studimin, kërkimin, praktikën, shkencën me aplikimin, mësimdhënien me shkrimin dhe botimin, duke krijuar një vepër të madhe shkencore dhe praktike njëkohësisht, duke e bërë Ndocin iktiologun më të shquar shqiptar, me gradat shkencore dhe vlerësimete larta si “Punonjës i Shquar i Shkencës dhe i Teknikës”, “Profesor”, “Mjeshtër i Madh i Punës”, personalitet i cituar dhe i respektuar në shkencën botërore.

Veprimtariaprofesionale e Ndoc Rakaj, gjer sa u nda nga jeta më 9 shkurt 2006, njohu vetëm intensitet të lartëdherritje, duke krijuar korpusin origjinal më të dalluar në Iktiologjinë shqiptare.

Prof. Angjelin Shtjefni

Gjergj Ndoja

Leave a comment