Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Triumfi i shqiptarëve të Vjenës

IMG_1990

M.Z

Në Vjenë shkova si studiuese e ftuar nga Akademia e Shkencave e Austrisë. Do të qëndroja për pak kohë aty dhe para se të nisesha, në bisedë me mikun tim, prof. Ylber Selën (ish student i Universitetit të Vjenës), menduam se me cilët miq mund të takohesha gjatë qëndrimit tim. E dija se në Vjenë jetojnë e punojnë shumë shqiptarë, më së shumti shqiptarë të Kosovës e të Maqedonisë së Veriut. Madje, që në ditët e para, gjatë një shëtitje në Stephanplatz, krejt pa u njohur e takova një shqiptar të Kosovës, i cili më përshëndeti në gjermanisht e unë ia ktheva shqip. Nuk e harroj pamjen e fytyrës së tij kur i fola shqip. U ngazëllye…Në dialogun tonë të shkurtër më tregoi se prej vitesh jetonte në Austri. Ndihej i kënaqur, porse mund të vëreje edhe atë lloj trishtimi që njeriu e ndjen kur ndodhet larg atdheut të vet.

Ditët e mia ishin të mbushura me punë, më njohje të reja, me shkëmbime idesh e përvojash, por pasditet i kisha të lira për të shijuar qytetin “më klasik të Europës”.

Vjena është e mahnitshme, e cila përcjell me delikatesë një atmosferë të veçantë të elegancës, kulturës dhe historisë. Është e njohur për arkitekturën e saj të bukur, me ndërtesa të lashta që përfaqësojnë epokat e ndryshme të historisë së saj. Gjatë shëtitjeve në rrugët e Vjenës, në çdo hap ti takohesh me artin dhe kulturën. Këtë mund ta vëresh lehtësisht përgjatë bulevardit më të rëndësishëm të qytetit, Ringstrasse, ku ndodhen disa prej ndërtesave më ikonike të Vjenës; më tej në Schönbrunn palace, një rezidencë mbresëlënëse e famshme e familjes Habsburg. Brenda saj, mund të eksplorosh dhomat e mahnitshme dhe të shijosh pamjet e bukura të kopshteve të mrekullueshme.

Tjetra, katedralja e Shën Stefanit, është një ndërtesë e mahnitshme gotike që bie në sy për arkitekturën e saj të detajuar. Për ata që janë të gatshëm të ngjiten në lartësi, mbi kullën e katedrales mund të shijohet një pamje e mahnitshme e qytetit. Në Vjenë gjithashtu ka muzeume të shumta për të eksploruar, ku mund të zhytesh në artin, historinë dhe kulturën vjeneze. Muzeu i Artit Historik të Vjenës dhe Galeria Albertina janë dy prej institucioneve më të njohura, të cilat po ashtu, janë qendra të koleksioneve të jashtëzakonshme të artit botëror.

Qyteti është i njohur edhe për veprimtaritë muzikore. Salla e Koncerteve e Vjenës është një destinacion i shumëdëshiruar për miqtë e muzikës klasike, ku mund të dëgjohen performancat e orkestrave të njohura dhe solistëve të talentuar. Përveç kulturës dhe artit, në Vjenë mund të shëtisësh përgjatë një bulevardi të gjatë të quajtur Mariahilfer Strasse, ku përveç dyqaneve të njohura ndërkombëtare ka dhe kafene e restorante elegante që ofrojnë shije të ndryshme kulinare.

Kafene elegante mund të gjesh ngado në Vjenë. Por, mendoni se ç’ndjesi e bukur është kur një kafene e tillë drejtohet nga shqiptarët.

Në njërën prej pasditeve të mia në Vjenë, do të shkoja për vizitë, pikërisht te disa miq, shqiptarë nga Maqedonia e Veriut. Ftesën për t’u takuar me ta ma përcolli Bahri Troja, një mik i vyer, Ambasador i kombit, diplomat, koordinator për integrimin në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Austri. Do të vizitojmë ca miq të mirë shqiptarë, – më tha. Dhe ashtu bëmë.

U takuam te kafeneja e Enver Abazit, shqiptarit nga Kërçova, i cili, e them me bindje të plotë, përgatiste akulloren më të mirë në Vjenë. Më pas, na u bashkua Halil Halili, një tjetër kërçovar, ose “një fort djalosh” siç ai shprehej për ata që çmonte e që me pëlqeu shumë ta quaj dhe unë atë vetë me këtë shprehje. E shijova bisedën me të dhe sidomos ato ndodhitë që ai i rrëfente aq bukur.

Nuk mund ta merrni me mend sa njerëz të mrekullueshëm ishin. Aty me treguan se përveç të tjerash ata drejtonin edhe një shoqatë humanitare (Kërçova), të cilën e kishin themeluar me aq dashuri e përkushtim, sa ishte e pamundur të mos ndiheshe krenare për punën e jashtëzakonshme të këtyre shqiptarëve në Vjenë. Dhe sidomos, për dashurinë e pakusht ndaj vendit të të parëve, Shqipërisë.

Mua më grishi idea e kësaj shoqate, sidomos kur mora vesh se, ndër të tjera, aty ofrohej edhe mësim në gjuhën shqipe. – Duhet ta vizitoj patjetër, iu thashë. Dhe ashtu ndodhi… Në ambientet e institucionit na priste Blerim Sadiku, drejtuesi i shoqatës, por edhe vullnetarë të tjerë shqiptarë, të cilët, duhet ta pohoj këtu, më lanë mbresa të thella për përkushtimin dhe mikpritjen, një zakon ky i çmuar i shqiptarëve.

Konjakun e pimë “Skënderbeu”, sepse, mes shqiptarëve të Vjenës çdo gjë lidhet me heroin tonë kombëtar, por edhe sepse, siç u shpreh B.Troja, “është “profeti” i shqiptarëve”. Aty u njoha edhe me fillesat e Shoqatës humantare Kërçova dhe punën e tyre. E themeluar në Vjenë, më 15 shkurt të vitit 2004 ajo funksionon ligjërisht dhe ka në përbërje të saj më shumë se 200 antarë. Blerimi më tregon se manifestimet e tyre janë të jashtëzakonshme, sidomos ato që i kushtohen festës së flamurit, ku numri i të ftuarve mund të arrijë deri në 900 vetë. U ndjeva e lumtur…

Bisedat zgjatën deri në mbrëmje vonë. Folëm aty edhe për shqiptarë të tjerë të suksesshëm, për jetesën në Vjenë, për dashurinë për Shqipërinë e gjuhën shqipe, për figurën madhështore të heroit tonë kombëtar, si dhe për një çështje, e cila të gjithëve na i bashkoi zemrat në një. Madje, edhe në takimin e ditës tjetër, me Samed Vincën, një tjetër biznesmen i suksesshëm, e konsull nderi i RMV në Austri, u diskutua për të njëjtën gjë, diçka që e lartëson kombin shqiptar.

Që shqiptarët e mi në Vjenë, janë duke bërë diçka të bukur për kombin, kjo s’ka diskutim. E deri në ditën kur t’i dëgjojmë lajmet e mira, (të cilat nën kujdesin e Bahri Trojës do t’i dëgjojmë shumë shpejt) le të urojmë që çdo gjë të shkojë mbarë. Unë e di që kështu do të ndodhë, sepse ua pashë në sy dashurinë e përkushtimin këtyre shqiptarëve të mirë, me të cilët tashmë më lidh një miqësi shumë e bukur. 

 

Leave a comment