Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Enciklopedia Ruse e Jakovit. (Një kujtim nga e kaluara)

344902675_2508137706005293_5641440453809513844_n
Ka patur ndonjë histori a thashetheme sa qesharake aq dhe absurde, përhapur aso kohe nëpër rrethe “miqsore” shkrimtarësh e kritikësh si fillim, e pastaj edhe më gjerë, që herë herë i “ngacmonin” si me shaka Jakovin dhe Dhuratën, për ndonjë detaj të jetës së tyre; e kur ata ngrinin supet si me habi e pastaj qeshnin me zëmër.
Por një prej tyre e mbaj mënt dhe dua ta sjell, se ka ndodhur, që në një interes artificial apo të pakuptimtë (të jashtëm), që nuk e kam kuptuar kurrë se nga vinte, e pyetnin Jakovin ose Dhuratën, për “gjëra” të një konteksi midis atij të shakasë (por me konotacion negativ), sa ndonjëherë i shqetësonin ata të dy edhe seriozisht.
E bie fjalën këtu, për Enciklopedinë ruse që Jakovi e Dhurata sollën në Shqipëri mbas studimeve në Sofie, një ngarkesë voluminose dhe shumë e rëndë në peshë!
Është e natyrëshme, që kur dy të rinj të sapomartuar (mamaja ime, Dhurata, ishte në muajin e pestë me tim vëlla, Arbenin), e të sapodiplomuar kthehen në vëndin e tyre, sjellin sigurisht edhe valixhe me plaçka a tjetër, të blera me kursimet e viteve të studimit. Dhe është e drejtë e tyre të zgjedhin se çfarë do futin në ato valixhe e baule, për ti ngarkuar e sjellë në Shqipëri.
Me prindët e mi, në këtë rast ndodhi një si “histori” e pakëndëshme, pikërisht me atë “ngarkesën” e madhe në volum dhe të rëndë në peshë, që ata sollën pas studimeve! Sidomos, kur në ato 6-7 valixhe të mëdha e të rënda, binte në sy edhe një si syndyk i “çuditshëm”, i madh dhe shumë i rëndë (që ne e ruajtëm deri vonë në vitet 2000), i cili, tërhoqi mjaft vëmëndje e ku, brënda saj s’kish gjë tjetër…, veçse 61 volume të trashë, ngjyrëzezë dhe hijerëndë në format A4, i Enciklopedisë Ruse e viteve 50, e cila, që zinin gjithë vëndin e atij synduku, e që mbyllej me dryn!
Por, në fakt, nuk ishte vetëm madhësia e këtij syndyku që binte në sy, por edhe e rëndesës së valixheve që kur i ngarkuan në Portin e Durrësit për ti sjellë në Tiranë, u deshën dy “hamej” që ti mbartnin nga vapori në bagazhin e një kamioniçe, e pastaj deri tek stacioni (sapohapur) i trenit Durrës-Tiranë; e nga aty, pastaj me një tjetër karrocë (që përdoreshin ahere), në shtëpinë e tyre të parë, atë të Rrugës së Kavajës, pronë e familjes Demneri.
E gjithë kjo ngarkesë, nuk kish mundësi të rrinte jashtë vëmëndjes së autoriteteve në Port, e bashkstudentëve; edhe ata të sapoardhur, apo e njerëzve të ndryshëm që rastësisht kishin parë ngarkim-shkarkimin nëpër stacione. Kjo krijoi “rast” për fjalëpërhapura, duke u “hyrë’ në gojë të ndryshme për thashetheme, që filluan të qarkullonin në formë shakarash apo tjetër, si histori e “legjendë” pak e habitëshme për shumë njerëz! Nuk dua të merrem këtu me vonesat a tjetër, që u shkaktuan me këtë rast në doganën e portit, etj., etj., mbi bagazhet e mëdha e të rënda, nga të cilat, në mes të atij syndyku dhe të valixheve të rënda, përveç njërës që ishte me rroba dhe ndrresa dimri; të tjerat ishin të tera me libra në gjuhë të ndryshme; frengjisht (Jakovi është laureuar për letërsi frënge), bullgarisht, rusisht, apo broshura e dispenca teorike, revista, etj., si dhe Enciklopedia Ruse, të cilën ne si familje i kemi çuar në Dhomën Muze të Jakovit në Apolloni.
Megjithatë, e sjell në mëndje këtë episod me mall e me humor; kur e shoh nga lartësia e viteve të shkuara, edhe se në disa raste nuk ka patur vënd për humor.
Gjithsesi, në vitet 70 (saktë nuk më kujtohet), ishim tek shtëpia e bukur e Kostandin Trakos (baxhanak i Jakovit), pas kthimit të Jakovit nga Rumania, ku ai ish ftuar me 2-3 shkrimtarë e artistë të tjerë (për një vizitë në Përmbytjen e madhe të deltës së Danubit, atyre viteve), kur u hap një bisedë që për veshët e mia dhe të tim vëllai, Benit, ishte hera e parë që e dëgjonim e, si padashur vështruam njëri-tjetrin me habi, kur Koço Trakoja, tha me shaka:
“Kovi, po kësaj radhe, a u solle gjë nga andej Dhuratës, djemve…? Apo si edhe ahere, baule me libra…”, dhe qeshën Koçoja me të tjerët.
“Pse, si ishte “ahere”?, u hodh Pirro Tako, kunati mesëm i Jakovit.
“Po ja, ta tregojë Jakovi”, vazhdoi Koço.
Por aty ndërhyri mamaja jonë Dhurata, për të mos e bërë tërkuzë atë histori:
“Po punë hiçi…”, foli buzëqeshur, “Kur erdhëm nga Sofia, morëm me vehte vetëm libra, libra, revista, broshura, që i kishim mbyllur nëpër valixhet tona dhe një Enciklopedi në nja 50-60 volume në një syndyk të madh e të rëndë… Njerëzit apo ata në doganë u bënë kureshtarë, se çfarë kishin ato brënda tyre, e sigurisht më pas, siç ndodh në këto raste, filluan theshethemet.
Beni më pa mua dhe buzëqeshëm, por kur po vinim në këmbë atë natë, nga shtëpia tyre (në rrugën Q. Stafa) në tonën tek Pallatet Agimi, Jakovi na e bëri historinë pak më të gjatë e pak më serioze se aq:
“Në fakt, ajo histori mori kot nga fjalë që përhapnin njerëzit nga njëri tek tjetri, e siç ndodh, kur ato shtohen e “zbukurohen” sipas oreksit e qejfit, sa njëherë, në një takim në Lidhje të shkrimtarëve për “Jugën e Bardhë”, shumë vite më pas, një tip që e mbante vehten kritik (nga këta të letërsisë moderne) dhe anëtar partie, u ngrit e midis të tjerash, kur unë i përgjigjesha o bëja debat për romanin, në fund, më tha gjysëm me të qeshur: Shoku Jakov, ore shiko, se dua të të bëj një pyetje! Qarkullon andej këtej, se kur erdhët nga studimet në Sofie me Dhuratën, kishit sjellë një kamion me plaçka e baule të rënda, si të kishin flori e ar, brënda…!”.
Babai heshti një çast e pastaj vijoi:
“Unë që e dija ku donte të dilte ai tip, iu përgjigja: Po, të rënda ishin ato valixhe dhe syndyku sidomos, ishte shumë i rëndë dhe vërtett kishin gjithë atë “ar e flori” brënda! Por veçse, jo nga ai që mendon e quan ti “ar e flori”, por nga ai që i quaj unë: ishin libra pa fund dhe enciklopedia ruse brënda tyre! Ke ndonjë pyetje tjetër, I thashë, mes të qeshurave e duartrokitjeve në sallë”.
Nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë babanë tim, as edhe më pas, të fliste me atë ton aq të hidhur, për një “diçka” që në fakt ish “e mirë” në vetvehte, për ata të dy. Ai njeri s’ka ditur kurrë ç’ish lavdërimi dhe lavdia e vehtes, edhe ahere kur e kish atë me pashë, ai ish skajtërisht modest! Edhe Dhurata, ashtu ish…!

Leave a comment