Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Labëria me ujëvarat e Progonatit dhe Nivicës një përrallë magjepsëse me dyer të hapura

2021324043653100

Ka disa vende që mund të befasojnë edhe adhuruesit më me përvojë të natyrës.  Shqipëria përveç që njihet si një parajsë bregdetare, falë infrastrukturës së re rrugore ka  filluar të shpërfaqë edhe bukuritë natyrore në zona të thella e malore të saj.  Veç bregdetit prej 360 kilometra, Shqipëria ka edhe një natyrë të paparë, e cila përbën një kombinim ideal dhe impresionues për çdo pushues.

Vite e më parë, kodrat e thepisura, vetëm më sy nga një distancë, mund t’i vështroje. Kjo, për shkak të mungesës së rrugëve dhe vështirësisë së depërtimit në  brendësinë e tyre.

Pas një mëngjesi të bukur plot shkëlqim, në një kombinim të diellit dhe ujit në Himarë, shfrytëzuam rastin për ta shijuar pamjen e Labërisë në shkëlqimin e saj të plotë.

Dalim nga Himara në drejtim të jugut dhe kalojmë para vendit parajsor të gjirit të Porto Palermos. Një  panoramë e pashoqe. Në qendër të gjirit është ishulli ku vendoset në formën e diamantit kalaja e Vasiliqisë, sikundër sqarojnë vendasit. Sikundër thoshte poeti vendas Lefter Çipa, kalaja u rindërtua si prikë prej Ali Pashë Tepelenës për ” zonjën e bukurisë”  që ” prej bukurisë së saj, edhe molla e arrë bie përdheu”. Pas magjisë së këtij gjiri kapërcen në gjirin e Qeparoit.

Në Qeparo duke lënë drejtimin për në Sarandë kthehemi në të majtë, në një tatëpjetëzë të vogël, duke lënë përbri fshatin e Kudhësit. Pas gati dy ose tri kilometrash dalim në krye të një kodrine me pyje përreth dhe marrim drejtimin për në fshatin e njohur të Labërisë,  Kuçin me histori, trimëri dhe këngë.

Tashmë kjo rrugë e re është finalizuar duke  përshkuar nëpër kodra të larta dhe të ngjitin në malësinë e Kurveleshit.

Bukuria e egër midis kodrave dhe detit ndoshta nuk tingëllon në mënyrë ekzotike por më shumë aventuriere. Dhjetëra baxho dhe qindra stane plot qingja dhe gjedha të kuq, vërehen përgjatë tërë rrugës, deri në fshatin periferik me Tepelenën, që ndryshe njihet përmes emrit të  Grupit të famshëm të polifonisë, Bënçës.

Tek rreth rrotullimi i Kuç  nuk ke si  të mos ndalosh në pikën e parë në baxhon e djathit të Ismailit për ta shijuar. Shumica e vizitorëve furnizohen me djathin bio , mjaft të shijshëm të kësaj zone ku kilogrami i djathit të deles ishte 1.000 lekë, ndërsa ai dhive 1.200 lekë.

Tashmë në majat e maleve kanë filluar të ngrihen pika turistike dhe çdo vit po rregullohen banesa, stane, kampingje e  po hapen objekte të reja të vendosjes, restorante që të përmbushin përmbajtjen turistike për vizitorët.

Në këtë zonë, njeriu përjeton lidhjen e klimës mesdhetare me atë malore, historisë interesante, trashëgimisë së pasur, një mozaik i pasur veror që ofrohet për adhuruesit e maleve etj.

Për shumë kënd, mund të jetë një sfidë verore, diçka pak më ndryshe.

Pasi ngjitesh nëpër kthesat e përpjeta të zhurit të Kuçit, del në majë, ku ndodhet fshati Progonat. Një fshat me shumë përmendje në historinë e Labërisë se epërme. Aty gjurmët historike janë të prekshme  dhe të imponohen vizualiasht përmes një lapidari,  i cili i  ka rezistuar kohës që nga koha e monizmit.

Progonati, një vendbanim shumë i hershëm, rreth 900 metra mbi nivelin e detit, është një fshat në  rrethin e Tepelenës në krahinën etnografike të Labërisë.

Sipas kronikave të historianit dhe kronikanit osman Evlija Çelebiu, në vitin 1630, Progonati kishte rreth 160 shtëpi dhe ishte qendra e një krahine të tërë që përfshinte 80 fshatra të krahinës së Kurveleshit, Himarës, Kardhiqit, Rrëzomës dhe Borshit.

Era e lehtë pranverore të rreh faqet me aromën e luleve dhe barishteve të kësaj zone.

Shtëpitë janë pranë njëra tjetrës, të rrethuara nga pemë arra , gështenja e qershi-kryesisht. Ende qëndron Rrapi i Progonatit sikurse lisat e Kadhe dhe Përralli i Buxe që konsiderohen vende historike të përmendura, ku mblidheshin burrat e Labërisë në Kuvende.

Tashmë, në këto pjesë, janë ngritur pika turistike ku një nga më interesantet është një restorant me  bujtina në formë kasolle. Nga kjo pjesë shihen kurora e maleve të kësaj pjese të malësive të jugut.

Një natë me gjithë familjen do t’ju kushtojë 3.000 lekë. Ndërsa një vakt për person me gjithë ushqimin bio nuk kalon 10 euro.

Këto janë çmimet  pothuajse në të gjitha lokalet në këto pjesë.

Edhe pse duket sikur jeta është ndalur, apo ka mbetur disi në vetmi njerëzish të rralluar,  megjithatë përgjatë rrugës banorët e kësaj zone ofrojnë fruta të ndryshme mali deri në lajthia mjaft të shijshme.

Bukuria magjepsëse e natyrës

Vështrimi nga kjo pjesë e lartë ofron dhjetëra kilometra e ndoshta qindra nga të gjitha anët ku mund të shihen malet përreth si  maja e Seferajve, maja e Këndrevicës etj.

Kodra të shumta të gjelbra, hapësira të pafundme, livadhe me lule dhe peizazhe magjepsëse. Natyra me spektrin më të bukur të ngjyrave dhe bujtinat tejet interesante në formë kasollesh, të mirëpresin në kampingun Shehu në Lekdush. Këtu është një parajsë e vërtetë për të gjithë ata që duan të shijojnë natyrën e qetë dhe të paprekur. Ka mjaft kampe dhe bujtina ku një dhomë gjumi varin nga 20 deri 30 euro. Nga Qeparoi deri në Tepelen është një staz e mirë, sidomos për motoçiklistë.

Kjo zonë është e njohur për kanionet,  Ujëvara  e Peshturës në Progonat dhe më tej në kilometrin e 11 ujëvara e njohur e Nivicës ku duket si një hyrje në botën e magjisë dhe bukurisë. Një xhevahir i jashtëzakonshëm i natyrës i fshehur thellë në pyllin në veriperëndim të Progonatit.

Kjo perlë me të vërtetë e pabesueshme e natyrës, për nga bukuria,  është e fshehur thellë në një pyll të dendur halor ku rrjedh uji i pastër kristal nga ujëvara mahnitëse. Në këtë vend, natyra mund të përjetohet në formën e saj primare, dhe qetësinë e ndërpresin vetëm zhurma e ujit dhe cicërimat e zogjve.

Kjo ujëvarë është një parajsë e vërtetë për të gjithë ata që duan të shijojnë natyrën e qetë dhe të paprekur. Gjithë ato pemë dhe barishte, nga e cila del një erë e këndshme dhe e freskët që  mbështjell ajrin, dhe cicërimat e zogjve e bëjnë të gjithë mjedisin unik. Pushimi dhe shijimi ujëvarës është diçka që duhet ta ndjeni dhe përjetoni…

Nganjëherë të duket “ireal” ky peizazh, madje të ngjan sikur të tradhtojnë sytë.

Natyra mbresëlënëse dhe ujëvarat përrallore me siguri do t’ju kënaqin. Një pushim qetësues dhe relaksues pas ditëve të kaluara në plazhe, janë një terapi më vete.

Lëshohemi nga teposhtë përgjatë luginës së Bëncës, poshtë së cilës lumi i saj rrjedh për t’u bashkuar me lumin e Vjosës.

Lumi i Bënçës

Në këtë rrugë nuk do të humbasim rastin për të vizituar pas kalimit të Memaliajt eshte restorantin tradicional Oda e Hasan Beut, një pikë- stacionim i njohur në Memaliaj, ku mund të shijosh ushqimet bio; salcë të mirë kosi, tavë qingji, dhe më interesant pogaqe tradicionale ngjashëm me atë të pjesës së Kosovës dhe të gjitha bulmetet e mundshme, nga djathërat tepër të shijshëm e deri te xhiza me speca.

Nëse vërtet dëshironi të gjeni një vend për një ditë pushimi në kthim,  ju rekomandojmë të vizitoni  zonën e Labërisë  sepse një bukuri e tillë e  natyrës askënd nuk e lë indiferent. Vetë banorët e kësaj zone janë bujarë, mikpritës dhe ftuesa. Aty është natyra me të gjitha ngjyrat magjepsëse, por edhe të zotët e shtëpisë që lehtësisht ia thonë këngës polifonike  shqiptare. Nga Ilir Krasniqi

Related Posts

Leave a comment