Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

“Mini-Trumpët” e Evropës i mbijetuan rënies së tij

-800-0-e528d4a6f1f1e5e9d68dfb26f6f8af74

Kur Donald Trump humbi zgjedhjet në vitin 2020 dhe u largua nga Shtëpia e Bardhë, “të fortët” e Evropës, populistët dhe mohuesit e ndryshimeve klimatike humbën një aleat të fuqishëm dhe një mbrojtës të tyre. Megjithatë, shumica e “mini-Trump-ve” të Evropës i kanë mbijetuar rënies së tij, dhe tani shpresojnë që një rikthim në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së të vitit të ardhshëm do të çojë ujë në burimin e tyre.

Në katër vitet e tij në detyrë, Trump e përshkroi Bashkimin Evropian si një “armik” dhe NATO-n si “të vjetëruar”. Më herët ai kishte duartrokitur hapur votën e Britanisë së Madhe për Brexit dhe inkurajoi vendet e tjera të ndiqnin shembullin. Ai tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshjet globale për të luftuar ndryshimet klimatike, “grisi” traktatet e kontrollit të armëve, vendosi tarifa për aleatët e tij dhe zgjodhi “luftën” me Gjermaninë për shpenzimet e tregtisë dhe mbrojtjes. Nga ana tjetër Trump shtroi tapetin e kuq për liderët populistë të Polonisë dhe Hungarisë.

Nuk është çudi që zyrtarët e lartë në qeveritë kryesore të BE-së të jenë të shqetësuar nga perspektiva se Trump mund të fitojë në vitin 2024, pavarësisht se po përballet me disa gjykime të afërta mbi përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale ndaj Joe Biden. Me Trump që mban një epërsi të dukshme në garën për nominimin republikan, frika evropiane përkeqësohet nga refuzimi i tij për të mbështetur Ukrainën kundër agresionit rus dhe zotimin për të vendosur tarifa për importet e BE-së.

Praktikuesit e politikës së Trump në Evropën kontinentale, si kryeministri hungarez, Viktor Orbán, dhe lideri “de fakto” polak, Jarosław Kaczyński, janë ende në pushtet dhe vazhdojnë të luftojnë Brukselin për sundimin e ligjit, migrimin dhe të drejtat e LGBTQ+.

Në të vërtetë, ata mund të fitojnë një aleat të ri joliberal nëse ish-kryeministri i Sllovakisë Robert Fico, një aplikues i praktikave të librit të Trump, arrin një rikthim në zgjedhjet e përgjithshme më 30 shtator. Fico pretendon se qeveria aktuale liberale po përpiqet të vjedhë zgjedhjet sepse disa nga bashkëpunëtorët e tij, duke përfshirë një ish-shef policie, janë arrestuar në hetime për korrupsion.

Fico, partia Smer e të cilit është anëtare e grupit të Socialdemokratëve Evropianë, fajëson perëndimin për luftën e Rusisë ndaj Ukrainës dhe thotë se do të ndalojë të gjithë ndihmën për Kievin nëse fiton. Analistët sllovakë kanë frikë se ai do të çmontojë pavarësinë gjyqësore të vendit dhe do të spastrojë “luftëtarët e korrupsionit”, siç kanë bërë Orbán dhe Kaczyński. Gjithashtu ai rrezikon t’i bashkohet atyre në luftën kundër paktit të migracionit të BE-së, i cili kërkon që shtetet anëtare ose të marrin një pjesë të azilkërkuesve ose të kontribuojnë financiarisht për pritjen e tyre në vende të tjera.

Pas Bratislavës, testi i madh për Trumpistët e Evropës do të jetë në Varshavë, ku partia konservatore nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS) e Kaczyńskit po konkurron për një mandat të tretë të paprecedentë më 15 tetor, duke demonizuar pamëshirshëm liderin e opozitës liberale të qendrës së djathtë, Donald Tusk dhe duke goditur Rusinë. Gjermania, Brukseli por edhe Ukraina tashmë, akuzohen për shkatërrimin e fermerëve polakë me importet e grurit .

Orbán, i cili vitin e kaluar priti Konferencën e Veprimit Politik Konservator të ekstremit të djathtë amerikan (Cpac) në Budapest, përdori kontrollin e tij mbi mediat tradicionale, mediat sociale dhe aparatin shtetëror për të përballuar rrezikun e humbjes që mund t’i vinte nga opozita e bashkuar në zgjedhjet e një viti më parë.

Ai i cilësoi sfiduesit e tij si leva të Bashkimit Evropian për të shtyrë propagandën homoseksuale dhe transgjinore mbi të rinjtë hungarezë.

PiS po përpiqet të bëjë një mashtrim të ngjashëm në Poloni duke organizuar një referendum në të njëjtën ditë me zgjedhjet me katër pyetje, duke përfshirë: “A e mbështesni pranimin e mijëra emigrantëve të paligjshëm nga Lindja e Mesme dhe Afrika, në përputhje me detyrimet?”

Ish-kryeministri slloven Janez Janša, i cili i uroi “fitoren” Trump në vitin 2020 ndërsa votat ishin ende duke u numëruar, u mund nga kundërshtarët liberalë në vitin 2022. Por populisti veteran ende udhëheq partinë më të madhe opozitare dhe mund të ringrihet sërish.

Kaczyński dhe Orbán kontrollojnë transmetuesit publikë të vendeve të tyre. Rritja e transmetuesve të djathtë të stilit të Fox News në disa vende, si CNews në Francë , u ka dhënë politikanëve të së djathtës radikale një platformë për të paraqitur narrativat e tyre pa u përballur me shqyrtimin e gazetarëve të pavarur. Diku tjetër, populistët po shkojnë drejtpërdrejt te ndjekësit e tyre në mediat sociale.

Megjithatë, përpjekjet e Steve Bannon, një ish-strateg i Trump, për të krijuar një front të unifikuar evropian të së djathtës së fortë për të ushtruar ndikim në parlamentin evropian dhe për të minuar BE-në nga brenda kanë pasur pak sukses. Përpjekja e Bannon për të themeluar një akademi për “gladiatorët” e rinj të djathtë në një manastir italian përfundoi me dëbim ligjor. Mini-Trump-ët e Evropës mbeten të ndarë mes tyre, veçanërisht nëse duhet të mbështesin Ukrainën.

Disa simpatizues të Putinit të paraluftës, si “Tubimi Kombëtar Francez” i Marine Le Pen dhe “Lidhja” e zëvendëskryeministrit italian Matteo Salvini, janë pjesë e grupit të djathtë të Identitetit dhe Demokracisë (ID) në legjislaturën e BE-së. Të tjerët, të cilët kanë mbështetur Ukrainën, janë në grupin e Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR), duke përfshirë PiS të Kaczyński-t dhe “Vëllezërit e Italisë” të kryeministres italiane Giorgia Meloni. Megjithatë të tjerët, si partia pro-ruse Fidesz e Orbanit, nuk janë të lidhur me asnjë familje politike. Kjo deri më tani ka margjinalizuar ndikimin e tyre në çështjet evropiane.

Dëmi i dukshëm i Brexit në ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar ka bërë që radikalët e Evropës të heqin dorë nga premtimet e manifestit për t’u larguar nga BE-ja ose zona euro, dhe për të mos mbështetur tezën për një “Evropë të shteteve kombëtare”, në të cilën ligji kombëtar do të merrte përparësinë ndaj BE-së.

Nuk mund të thuhet me siguri nëse një kthim i Trump në Shtëpinë e Bardhë do t’i nxiste miqtë dhe admiruesit e tij evropianë për të ndërtuar një lëvizje të bashkuar euroskeptike. Megjithatë kjo do të shkaktonte “dhimbje koke” politike, diplomatike dhe potencialisht ushtarake për të cilat qeveritë e Evropës nuk janë ende të përgatitura mirë.

*Artikull nga Paul Taylor, anëtar i grupit të mendimit “Miqtë e Evropës”, marrë nga The Guardian.

Leave a comment