Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Lindja e Mesme, jo peng i Hamasit

391692011_714293767405815_8121592927903068880_n

Nga Akri Çipa-

Sulmi terrorist i Hamasit ndaj Izraelit në 7 tetor tronditi opinionin publik ndërkombëtar për hir të shkallës së shkatërrimit dhe makabritetit.
Por, ndryshe nga si mund të kishte ndodhur një dekadë më parë, ky agresion vjen në një Lindje të Mesme tashmë të tjetërsuar. Bota arabe nuk ka më armiqësinë e dikurshme kundrejt shtetit hebre. Në fakt, qëndrimet e shteteve arabe varionin nga ato të moderuarat, si në rastin e Arabisë Saudite, deri tek deklarata si të Emirateve të Bashkuara dhe Bahreinit që dënuan në mënyrë të drejtpërdrejtë veprime të Hamasit.
Në këtë kontekst të ri rajonal, ku dinamikat kanë ndryshuar katërcipërisht që nga Marrëveshjet Abrahamike, të cilat normalizuan marrëdhëniet ndërmjet Izraelit dhe disa shteteve arabe, Shtetet e Bashkuara reaguan, jo vetëm për të ofruar mbështetje për Izraelin, por edhe për të mbajtur gjallë përafrimin mes Izraelit dhe botës arabe. Mbi të gjitha, për shkak se mund të argumentohet se pjesë e synimeve të Hamasit ka qënë pikërisht frenimi i kësaj klime të re, të cilën Uashingtoni po përpiqej ta kurorëzonte me një marrëveshje ndërmjet Izraelit dhe Arabisë Saudite, një nga vendet lider të botës arabe.
Prandaj, në këtë situatë, vlen të analizohet dhe përgëzohet qasja që kanë pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përpjekja e drejtpërdrejtë e të gjithë aktorëve konstruktivë për të izoluar konfliktin dhe për të shmangur çdo lloj përshkallëzimi të mëtejshëm.
Në rradhë të parë, deklaratat e të gjithë përfaqësuesve të administratës amerikane kanë qënë të drejtpërdrejta në mbështetje të Izraelit, duke ofruar garanci qoftë nga pikëpamja politike dhe diplomatike, qoftë nga plotësimi i nevojave që mund të ketë shteti hebre në raport të armatimeve dhe të asistencës ushtarake.
Shqetësimi kryesor, si nga pikëpamja izraelite, edhe nga ajo amerikane, është zgjerimi i konfliktit nëpërmjet aktorëve të tretë. Nisur nga ky fakt, që në deklaratën e tij të parë në lidhje me krizën në Izrael, por, mbi të gjitha, në adresën publike në datën 10 tetor, Presidenti amerikan Joe Biden u përpoq të dekurajojë çdo iniciativë të tillë, duke paralajmëruar se do të kishte pasoja të forta për cilindo që do të përpiqej të përfshihej.
Të dyshuarit kryesorë në këtë plan janë organizata të tilla si Hezbollahu dhe Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës, të cilat kanë aktivitet dhe peshë të madhe politike në Liban. Drojë nga ana tjetër ka dhe në lidhje me Sirinë, si për qëndrimin e qeverisë së drejtuar nga Bashar Al-Asad, ashtu edhe të grupeve militante të lidhura me Iranin që veprojnë lirisht në territorin sirian.
Gjithaq e rëndësishme është përpjekja për të shmangur përfshirjen e Autoritetit Palestinez, që kontrollon Bregun Perëndimor. Duke e izoluar konfliktin vetëm me Hamasin dhe Xhihadin Islamik (organizatën tjetër që vepron në Gaza), shmanget përgjithësimi i një konflikti të gjerë ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, por shfaqet përballja aktuale ashtu sikurse është: ndërmjet shtetit të Izraelit dhe organizatave terroriste, të njohura si të tilla nga komuniteti ndërkombëtar.
Përveç deklaratave të qarta të Presidentit Biden për të dekurajuar aktorë të tjerë destabilizues, ka pasur dhe një punë të madhe diplomatike nga ana e Sekretarit të Shtetit. Ky i fundit, ka komunikuar në mënyrë të pandërprerë që nga dita e shtunë me aleatët dhe partnerët amerikanë në rajon. Pjesë të këtyre diskutimeve, sikurse ka deklaruar publikisht Sekretari Antony Blinken dhe zëdhënësi i tij, ishte theksimi i mbështetjes pa ekuivok, të Shteteve të Bashkuara për Izraelin.
Këto kanale komunikimi më të gjithë aktorët rajonalë janë tejet të rëndësishme për të garantuar koordinim, por edhe për të pasqyruar qëndrimet dhe shqetësimet, mbi të gjitha, duke marrë parasysh që një pjesë prej këtyre vendeve, si fjala vjen Egjipti dhe Jordania, kanë presione të ndryshme të brendshme dhe të jashtme.
Përtej reagimit diplomatik dhe qëndrimit politik, elementi i dytë i mbështetjes amerikane për Izraelin ka ardhur në formën e garancive në fushën ushtarake. Shtetet e Bashkuara mbeten kontribuesi kryesor në sigurinë e shtetit të Izraelit, ku vlen të rikujtohet angazhimi 10-vjeçar për asistencën e sigurisë të shenjuar nga Memorandumi i Mirëkuptimit SHBA-Izrael. Arritur në vitin 2016 gjatë Administratës Obama, Memorandumi i garanton Izraelit një mbështetje me 3.8 miliardë dollar në vit. Në situatën aktuale, është i qartë vullneti i Administratës Biden për të shkuar edhe më tej saj, duke shpërndarë asistencë shtesë sipas nevojës.
Ky vullnet shikohet qartësisht edhe në Kongresin amerikan, ku liderë të rëndësishëm e kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të shqyrtuar sa më shpejt mundësinë për të përcaktuar asistencë shtesë për Izraelin në kuadër të krizës aktuale.
Krahas gatishmërisë për asistencë, nga pikëpamja e sinjalizimit nuk mund të mos përmendet dhe vendimi i Departamentit të Drejtësisë për të vendosur në Mesdheun Lindor USS Gerald R. Ford, aeroplanmbajtësen më të re dhe më të madhe të flotës amerikane. Prania në rajon është një tjetër masë parandaluese drejtuar aktorëve destabilizues potencialë në këtë situate, veçanërisht Iranit dhe rrjetit të organizatave të lidhura me të.
E gjithë politika e ndjekur nga administrata amerikane që nga terrori i filluar nga Hamasi ditën e shtunë ndjek në njëfarë forme manualin e përdorur në maj 2021, kur ishte dhe përballja e fundit në shkallë të madhe ndërmjet Hamasit dhe Izraelit. Edhe në atë rast, aktivizmi amerikan para dy vitesh, përtej mbështetjes së plotë publike për Izraelin, u fokusua tek angazhimi i forcave konstruktive rajonale dhe koordinimi me partnerë si Egjipti dhe Katari për të krijuar kushtet e një armëpushimi, që në fakt erdhi pas 11 ditësh luftime.
Por, ajo çfarë ndryshon në këtë rast është shkalla e barbarisë e sulmit të Hamasit dhe pamundësia logjike për ta përmbyllur konfliktin përsëri me një armëpushim të thjeshtë, pa adresuar në sensin më të gjerë kërcënimin e vazhdueshëm terrorist që qëndron mbi krye.
Ndërkohë që Izraeli vazhdon fushatën kundërpërgjigjëse ndaj Hamasit do të nevojitet pashmangshmërisht një lidership i vazhdueshëm amerikan në rajon për të larguar hijet e një zgjerimi më të madh të konfliktit, por edhe për të krijuar konditat për një modus vivendi të ri pas neutralizimit të Hamasit. Për shkak se, pavarësisht se dramën e fillojnë terroristët, tragjeditë, vuajtjet dhe pasojat i përjeton gjithmonë popullsia e pafajshme civile, në këtë rast, si ajo izraelite edhe ajo palestineze.

Related Posts

Leave a comment