Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Çështja Nika kundër shtetit shqiptar! Strasburgu nesër vendim për 21 Janarin

-640-0-cc83045cfe3772e0503d923c0af892a3

Gjykata e Strasburgut do të japë ditën e nesërme vendimin për çështjen e Aleks Nikës kundër shtetit shqiptar.

Nika mbeti i vrarë së bashku me 3 protestues të tjerë, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, gjatë protestave të opozitës socialiste më 21 Janar 2011, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

4 të vrarët u shpallën “Dëshmorë të Atdheut” në 10-vjetorin e krimit të rëndë, ndërsa Prokuroria e Tiranës rifilloi hetimet për zbardhjen e autorit të vrasjes së Aleks Nikës dhe plagosjen e dy shtetasve të tjerë një dekadë më parë.

Por ky nuk ishte i vetmi zhvillim për dosjen “21 janari”. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut hapi një hetim gjyqësor ndaj Shqipërisë duke pranuar një padi të familjarëve të Aleks Nikës.

Çfarë ndodhi më 21 janar 2011?

E gjitha nisi pas skandalit me videon Meta-Prifti, ku flitej për koncesion dhe kjo shtyri që të organizohej një protestë kundër këtij korrupsioni siç e quante atëherë Partia Socialiste. Ishte ora 14:00, kur protestuesit përshkuan rrugën në këmbë nga sheshi “Skënderbej” deri para Kryeministrisë, pasi policia kishte ndërmarrë masat që të mos lejonte asnjë autobus më tej. Turma nisi me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, ndërkohë që vetëm pak minuta më vonë, filloi hedhja e gurëve dhe sendeve të forta në drejtim të forcave të rendit.

Situata u tensionua pasi protestuesit tentuan të hynë në oborrin e kryeministrisë, ndërsa policia mbronte ambientin e brendshëm. Për një moment nisën të dëgjoheshin të shtëna armësh brenda territorit të kryeministrisë, dhe këto të shtëna lanë të vdekur Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn. Ky i fundit, pas mjekimit paraprak në Spitalin Ushtarak të Tiranës, është dërguar për kurim të mëtejshëm në Turqi, ku dhe vdiq pas disa ditësh.

Kryeministri Berisha doli në konferencë për shtyp, duke deklaruar se donin t’i bënin puç, ndërkohë që opozita u shpreh se shteti nëpërmjet Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit, ka vrarë katër qytetarë të pafajshëm shqiptarë dhe ka mbytur në gjak një demonstrim paqësor, që është e drejtë kushtetuese e qytetarit.

Partia Socialiste akuzoi si urdhërues të vrasjeve kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm. Por, Berisha nuk u ndal vetëm me akuzat për PS-në, ai sulmoi ashpër Prokurorinë, SHISH-in dhe Presidentin e Republikës, të cilët, sipas tij, donin ta rrëzonin me dhunë.

Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.

Related Posts

Leave a comment