Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Piktori në rolin e liderit global – një rrëfim nga bota e rrethit katror

-800-0-1699284238xrama-555

Nga Albatros Rexhaj

Mjaftuan disa cicërima në rrjetin X, ku Piktori (kolegu artist që, si punë të dytë, e bën edhe detyrën e kryeministrit) shprehu brengosjen (sipas rrethit të tij, një reflektim tërësisht njerëzor dhe personal) për fatkeqësinë dhe sfilitjet e njerëzve të rëndomtë në Gaza, dhe “BBC-ja” e metropolit menjëherë shpërtheu (si në kafene ashtu edhe në rrjet) me gjithfarë spekulimi e teorie konspirative.

Dhe, në shpurën e kësaj gjurulldije analitike, gjindja u kujtuan për profecinë e Fred Cakos, ku ai thotë që Piktori mbështetet nga një kaballë misterioze. Sipas Cakos kjo kaballë e ka projektuar Piktorin si një nga sekretarët e ardhshëm të përgjithshëm të NATO-së. Disa të tjerë, të afërt me oborrin rozë, shkuan edhe aq larg saqë projektuan edhe frikën e tyre që, me të marr këtë detyrë të rëndësishme ndërkombëtare, Piktori do ia linte frerët në dorë Bellës. Kaq mjaftoi, u desh vetëm aroma e abdikimit dhe aty për aty nisi ndarja në llogore në përgatitje për luftën e trëndafilave.

E pyeta Cakon për burimet e profecisë së tij dhe e tëra që mora ishte një rrëfim nga viti 1995 nga koha kur Cako paska qenë në Harvard dhe që atëherë ka nisur t’i nuhasë gjërat. I tillë është Cako, luftën e vet me Kaballin misterioz e zhvillon tërësisht i mbështjell me një misteriozitet të dyfishtë. Mbase, kjo është arsyeja pse fansat e tij e duan deri në adhurim. Nejse, nuk është Cakoja i vetmi në metropol që i di gjërat.

Një mik, nga këta analistët gjitholog, që rastësia e do të jetë i afërt me Piktorin, më tha të analizoja të gjitha cicërimat e muajve të fundit të Piktorit dhe më pas të analizoja deklarimet e disa njerëzve shumë të mëdhenj të politikës botërore. Janë aq të mëdhenj emrat që i përmendi analisti saqë nuk ma mban t’i them. Më tha, nëse i shikon edhe data e deklarimeve, do e kuptosh që Piktori ka folur disa ditë para. Më tha të shikoja dhe gazetat e mëdha, si p.sh ajo Foreign Policy, përsëri duke analizuar dhe datat. Ishte ky një rrëfim që të çonte drejt konkluzionit sikur fjalët publike të Piktorit dhe fjalët këtyre emrave të mëdhenj po i shkruante një dorë e vetme, vetëm që Piktorit po ia jep të parit.

E bukura e teorive konspirative është që atyre u mjafton vetëm një detaj i vërtetë për ta ndërtuar rrëfimin. Ndërkaq te rrëfimi i analistit, mik i Piktorit, kishte shumë detaje, me ngjashmëri deri në presje. Mu kujtua përsëri Cako, mu kujtua edhe Doktori dhe teoritë e tyre mbi dorën e Soros, por miku analist ngulmonte që gjëja është shumë më serioze se ajo që pohojnë Cako dhe Doktori. Ai ishte i prerë, nuk është punë Sorosi kjo. Madje shkoi aq larg saqë krekosej që edhe vetë Soros e vret mendjen me ketë histori.

Jashtë botës së rrethit katror, në qarqe ndërkombëtare akademike, aty ku janë pensionuar shumë ish kryeministra e njerëz të tjerë të pushtetit, gjen rrëfime edhe më interesante. Ata tregojnë si, gjithnjë sipas njohjeve të tyre, në samitin e sivjetmë të NATO-së në Vilnius, fjalimi i Piktorit paska qenë i vetmi që ka tërhequr vëmendje. Madje ata shkojnë aq larg saqë thonë që, gjatë pushimit mes sesioneve, Presidenti Biden ia ka bërë me dorë që Piktori të afrohej dhe i paska thënë “I like you”.

Smira ime shqiptare, ajo që e kam aty pak në të djathtë të barkushes së majtë të zemrës, më thotë që, sikur kjo të jetë e vërtetë, Piktori nuk do të përmbahej dot dhe do të na bombardonte me këtë histori me mijëra herë. Por, në momentet e pakta kur jam esëll nga smira, është një zë që më thotë, mos ndoshta kjo dorë e fuqishme, ky kaballë që shkon përtej asaj që flet Cako, e ka arritur të pamundurën. Mos ia ka dal që t’ia imponojë Piktorit vetëpërmbajtjen.

Thua vallë, historia prapa Piktorit në rolin e liderit global të jetë vërtet një rrëfim nga bota e rrethit katror? Nëse prapa Piktorit vërtet tani qëndron një forcë e madhe me fuqinë të diktojë proceset, çfarë domethënie ka kjo për ne, shqiptarët vdekatarë të rëndomtë? Duhet të jemi krenar, të gëzohemi apo, siç pretendon Cako, të druhemi.

Nuk e di. Ndoshta kjo histori mund të jetë edhe krejtësisht kot. Por, sidoqoftë më shijon pak ideja që edhe ne shqiptarët të kemi pak hise në tryezën e madhe të pushtetit botëror.

(Autori është shkrimtar)

Leave a comment