Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Poezitë e Kadaresë përkthehen në gjuhën gjermane: Fondi Austriak i Integrimit përuron me elegancë veprën në Vjenë

IMG_2544

Nga Manjola ZAÇELLARI

Poezitë e Ismail Kadaresë publikohen për herë të parë në gjuhën gjermane nga Fondi Austriak i Integrimit (Österreichische Integrationsfonds, ÖIF). Eventi u mbajt ditën e djeshme (e hënë, 18 dhjetor, 2023) në Palais Mollard në Vjenë, në një atmosferë sa elegante aq edhe klasike.

Meritat kryesore për botimin e veprës në gjuhën gjermane i ka diplomati dhe Ambasadori i Kombit, Bahri Troja, falë kujdesit të veçantë të të cilit një pjesë e universit letrar të Kadaresë flet tashmë edhe në gjuhën gjermane. “Jam i lumtur që pata mundësinë ta realizoj këtë projekt për shkrimtarin tonë të madh, Ismail Kadarenë. Ai është i pari shkrimtar shqiptar që shkeli çdo kufizim të kulturës amtare duke krijuar një univers letrar në sinkron të plotë me tendencat e letërsisë më të mirë bashkëkohore. Dua përzemërsisht të falenderoj ÖIF për realizimin e këtij projekti, që përveç të tjerash ka për mua një vlerë të veçantë shpirtërore, e posaçerisht z. Franz Wolf, drejtuesin e ÖIF, për vëmendjen e treguar ndaj letersisë shqipe”, u shpreh ai.

Vëllimi poetik i titulluar “Die Zeit nimmt Gift und Süße” vjen i përkthyer mjeshtërisht në gjuhën gjermane nga përkthyesja Andrea Grill, njohëse e shkëlqyer e gjuhës, kulturës dhe letërsisë shqipe.

Vëllimi përmban 21 poezi të shkruara nga Kadare gjatë periudhës 1957-1992, në gjermanisht dhe në shqip, shoqëruar gjithashtu edhe me fotografi nga Sepp Jahn për t’i dhënë edhe një dimension të veçantë vizual.

Përurimi u moderua nga prezantuesja Nadja Kayali, moderatore e Ö1 në Vjenë. Gjatë prezantimit, poezitë u lexuan në shqip nga Manjola Zaçellari, profesoreshë në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, dhe në gjermanisht nga Markus Meyer, aktor dhe anëtar i ansamblit të Burgtheater në Vjenë. Përkthyesja Andrea Grill gjithashtu foli për sfidat dhe kënaqësitë e përkthimit të poezive në gjermanisht. Ajo u shpreh se, “ky vëllim përfshin poezi që autori ka shkruar midis viteve 1957 dhe 1992, çka krijon një tablo lirike se si Shqipëria i mbijetoi periudhës së diktaturës dhe u çlirua prej saj. Libri përmban shumë surpriza.”

Eventi u shoqërua me pjesë muzikore nga mezosopranoja, Flaka Goranci.

Gjatë fjalës së tij, Franz Wolf, drejtor i Fondit Austriak të Integrimit çmoi veprën e Kadaresë dhe u shpreh i lumtur për botimin e vëllimit poetik në gjuhën gjermane.

“Jam i kënaqur nëse ky vëllim i botuar, ndihmon në zbulimin e veprës së rëndësishme të Ismail Kadaresë në Austri, për të fituar gjithashtu edhe një pasqyrë të historisë dhe kulturës shqiptare”, u shpreh ai.

Ndërsa moderatorja Nadja Kayali, një adhuruese e veprës së Kadaresë, u shpreh veçanërisht e kënaqur që, “falë Fondit Austriak të Integrimit, poezitë e Kadaresë tani nderohen me një përkthim në gjuhën gjermane që vjen për herë të parë në këtë vëllim”.

Kadareja është një shkrimtar që gjithmonë ngjall kureshtjen e lexuesit. Publikimi i poezive të tij në gjuhën gjermane do të sjellë gjithashtu edhe një njohje të re të veprës së tij.

Gjermanofolësit do të kenë mundësinë të lexojnë poezitë e tij, krijuar me finesën e një mëndjeje skajshmërisht të mprehtë, si në vargjet:

Që ti të vije kaq e bukur

Me këta flokë, me këtë hap

Toka të egrën klimë e zbuti

Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.


Dhe s’kish se si të ndodhte ndryshe

Të ndodhte ndryshe s’kish se si.

U desh të zhdukeshin përbindshat

Që te kjo botë të vije ti…

***

Damit du auf mich zukämst,

mit diesen Schritten, diesen Haaren,

milderte die Erde ihr Klima

Gletscher glitten fort.

 

Anders wärest du nicht da,

anders könnte es gar nicht sein.

Die Monster mussten verschwinden,

denn diese Welt ist dein

Eventi mori vëmendjen edhe mediave austriake, ndërkohë pranishëm ceremoninë  e përurimit ishin përfaqësues nga institucionet shtetërore austriake, nga Ambasada shqiptare, ajo e Kosovës dhe e Maqedonisë së Veriut Austri, dhe tjerë nga komuniteti shqiptar.

https://www.instagram.com/reel/C1CHLjssfZm/?igshid=MzRlODBiNWFlZA==

Leave a comment