Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

‘Skenar’ i qëllimshëm për bllokimin e reformës zgjedhore

-800-0-69eb96f040cc0c4a08efb0b0f934e990

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore dështoi të martën që të realizonte një mbledhje ku ishin ftuar organizatat e shoqërisë civile për shkak të konfliktit politik për përfaqësimin e opozitës në përbërjën e këtij komisioni.

Shumica e deputetëve të opozitës kërkojnë zëvendësimin e bashkëkryetarit të tyre në komision, pas prishjes së balancave politike në grupin e PD-së,  por kërkesa e tyre ka rënë në vesh të shurdhër.

Ndërsa përfaqësuesit e organizatave prisnin jashtë dyerve të sallës “Pjetër Arbnori” ku do të mbahej mbledhja, deputetët e Partisë Demokratike u përplasën me oficerët e shumtë të Gardës për të hyrë në sallë. Oficerët kishin bllokuar derën dhe nuk lejonin ata që rezultojnë në listën e deputetëve të përjashtuar nga Komisioni i Etikës.

“Po e shndërrojnë nga Republikë parlamentare në Republikë të Gardës,” u ankua deputeti Flamur Noka duke folur për mediat.

Ndërkohë, vetë Noka tentoi të bllokonte bashkëkryetarin socialist të komisionit, Damian Gjiknuri për të hyrë në sallë, duke e akuzuar atë se po “emëronte” përfaqësuesit e opozitës në këtë komision. Gjiknuri u tha mediave se i vinte keq që mbledhja nuk u bë dhe fajësoi opozitën për bllokimin e punimeve duke bërë të pamundur që të shprehen organizatat.

“Të dyja palët, të dyja opozitat që duhet jenë më të interesuara me çuarjen para të reformës nuk janë aty,” tha ai duke shtuar se “mazhoranca është komode me kodin aktual”.

Bashkëkryetari demokrat, Enkelejd Alibeaj, i cili nuk u duk në sallën e tensionuar, e quajti teatër protestën e kolegëve të tij opozitarë dhe i akuzoi ata se ashtu si mazhoranca, nuk e duan këtë reformë.

Komisioni i ngritur që para dy vitesh nuk ka bërë asnjë përpjekje serioze për adresuar rekomandimet e OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet dhe ka shkelur afatin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese për të garantuar nëpërmjet ndryshimeve në Kodin Zgjedhor të drejtën e votës së emigrantëve.Përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se mungon vullneti politik  për të kryer reformën dhe se proces përjashton aktorët e tjerë të shoqërisë.

“Kuvendi nuk ka një qasje reale për të pasur reformë zgjedhore, pasi palët po e keqpërdorin konfliktin për të pamundësuar reformën,” i tha BIRN-it Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike.

Sipas tij, vetë komisioni ka probleme të legjitimitetit, duke iu referuar situatës së krijuar që bllokoi mbledhjen.

Krasniqi po ashtu e quan një “proces informal” konsultimin me shoqërinë civile, i cili sipas tij, bëhet pa një kalendar dhe pa një axhendë mbi diskutimet e mundshme.

Ndërsa për Rigels Xhemollarin, drejtor ekzekutiv i “Qendresa Qytetare”, tensionet dhe krizat politike janë një traditë sa herë lind nevoja për reformë zgjedhore dhe për shkak të tyre përjashtohet roli i  shoqërisë civile.

“Palët politike i kanë zgjidhur krizat orët e fundit me marrëveshje, duke pamundësuar një proces ku aktorë të tjerë si rasti i shoqërisë civile të kontribuojnë,” tha Xhemollari.

Sipas tij, “nga momenti që ky komision nuk ofron garanci për të zhvilluar një mbledhje është e tepërt të pretendohet se ky komision mund të sigurojë për të marrë parasysh rekomandimet tona”.

Edhe Xhemollari thekson se transferimi i konfliktit politik në reformën zgjedhore tregon se ka mungesë vullneti për përmirësime ligjore.

“Legjitimiteti politik i komisionit arrihet me konsensus më të gjerë,” tha ai duke shtuar se Kuvendi është në limitet kohore të parashikuara me ligj për të kryer këtë reformë para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare që mbahen pas 1 viti.

Ndërsa Krasniqi sugjeron që pavarësisht funksionimit ose jo të komisionit, Kuvendi duhet minimalisht të adresojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese për votën e emigrantëve që është i detyrueshëm për të.

Krasniqi shtoi gjithashtu se “duket se ekziston një skenar” për të mos e kryer këtë reformë, e cila sipas tij, duhet të jetë tërësore duke prekur financimet e partive dhe përdorimin e parave në fushatë, mënyrën e zgjedhjes së kandidatëve dhe sistemin zgjedhor, zgjerimin e votës për kategori që ligji nuk ua mundëson, etj..

“Fatkeqësisht, ajo çfarë partitë duan bie në kontrast me atë çfarë qytetarët presin nga parlamenti,” përfundon Krasniqi. (BIRN)

Related Posts

Leave a comment