Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Opinion/ A ka gazetarë të vërtetë Shqipëria, nga ata “varfanjakët” e Indro Montanelit?

640-0-robot-journalists-640x330

Nga Xhovani Shyti

Pasi disa ditë më parë Kryeministri, Edi Rama, ndërmorri hapin “e guximshëm” të dënimit me 3 muaj përjashtim, nga aktivitetet ku ai dhe ushtarët  e kabinetit të tij do të organizojnë, një lukuni krerësh drejtues të OJF-ve dhe organizatave mbrojtjëse të gazetarëve, nisën të garojnë zëlartë ndaj këtij akti, sipas tyre: aspak të denjë për një Kryeministër që çensurimin dhe lëshimin e fyerjeve ndaj gazetarëve e ka bërë edukatë të tij zyrtare.

Konstatim shumë i saktë ky po të sjellësh nëpër mend gjithë arsenalin frazeologjik që kryeministri Edi Rama ka derdhur ndaj kontigjentit të të gjendurve nëpër sallat e konferencave të tij për shtypi, duke mbajnë varur rreth qafe bexher-at e mediave përfaqësuese, por që nuk vërtetojnë domosdoshmërisht se janë gazetarë të vërtetë.

Sepse shkalla e profesionalizmit nuk vlen për të qenë pjesë e stafeve mediatike të sallave ku ligjëron Rama sot dhe ku ligjëronin në paravite homologët e tij. Për të qenë prezent në takime të tilla bexhmbajtësve” u lipset një status i veçantë, pa lidhje me aftësitë profesionale, por me aftësinë për të duruar gjithsa broçkullisin “burrë shtetasit” të cilëve nuk duhet ti ndërhysh e t’ua prishësh atmosferën gazmore të shpërfaqjes së fitoreve pa asnjë humbje.

Këtë status të veçantë ta jep botuesi i blerë nga pushtet-politika nëpërmjet porosive speciale. Ku më kryesorja është “mos i çaj trapin shefit të madh”!

Kështu ka funksionuar më së paku që prej këtyre dy dekadave të fundit ajo që Edi Rama e perifrazon si “gazetaria e kazanit” dhe kështu do të vijoj përderisa servilizmi dhe bythelëpirja ndaj pushtet-politikës dhe jo shkalla e profesionalizmit do të jenë kolonat ku ngrihen politikat editoriale të shumicës së pronarëve e drejtuesve mediatik, pa asnjë lidhje me këtë pushtet.

Kështu që në këtë raport, me sjelljen e tij të fundit ndaj reporterit, Klevis Muka, Edi Rama ka qenë ok. Brenda standartit të kazanit, ku zjen supën e vet mediatike. Ajo që mbetet enigmë në gjithë këtë serial është pala e atyre që mbajnë varur ndër qafa distiktivat (bexh-at), që e mbajnë veten për gazetarë e që vijonë ti qëndrojë përballë e të mos e braktisin e shpallin “non grata” Kryeministrit supaxhi që prej kohësh e ka ndezur semaforin e kuq të marrëdhënies me median.

Sjellja e bexh-mbajtësve mediatik bie tërësisht ndesh me etikën dhe sjelljen e gazetarit të vërtetë, i cili kurrsesi nuk denjon as ta provoj supën e pushtet-politikës, e gazetarit që është oponencë e papërfitim e çdo lloj pushteti, i pabindur ndaj çdo lloj urdhëri përdhosës dhe reagues, sipas parimit të kthimit të restos me të njejtën monedhë.

Nuk e kemi ndeshur këtë kthim restoje nga bexh-mbajtësit mediatik në asnjë rast kur kazanxhiu supbërës i qeverisë Edi Rama ka manifestuar të njejtën sjellje denigruese ndaj tyre.

Në asnjë rast të vetëm nuk kemi parë që si kundërvënie për sjelljen e rendomtë e denigruese Kryeministri të ndëshkohet me mospjesëmarrje në eventet e tija mediatike, me mbyllje të dyerve të mediave, apo aplikimin e ndonjë embargoja me apo afat, njejtë siç ai vepron me bejxhmbajtësit përfaqësues të “medias së kazanit”.

Nuk e ndeshëm një të tillë “kthim restoje…” as kur ndëshkoi me riedukim Ambrozia Metën dhe as kur bëri të njejtën gjë me reporterin Klevis Muka, që është më i fundit i serialit të derisotëm të filmit, me personazh Edi Rama dhe një grup të “përzgjedhurish special”, që i qëndrojnë përballë, që dridhen dhe maten 100 herë para se ti adresojnë pyetje dhe kapërdijnë në hështje supën që ai e nxjerr nga kazani kryeministror e u’a derdh suratit.

A mund të quhen gazetarë këta? A ka gazetar Shqipëria? Pyetje të vështira për tu dhenë përgjigje. Vetëm një gjë është e sigurt dhe të ngushëllon: Edhe nëse s’ka gazetarë të vërtetë, apo ka ndonjë tek tuk, nga ata “varfanjakët” e Montanelit të shpallur “non grata” nga sharlatanët politikë, ka pa fund shoqata, gjithologë, e turli lloj zabrahanësh që mbrojtjen e të drejtave të nëpërkëmbura të gazetarëve e kanë kthyer në biznes të suksesshëm. Me shumë përfitime!

Edit

Related Posts

Leave a comment