A është komunizëm kapitalizmi autoritar?

8 Minuta Lexim

Teoria klasike marksiste mbi Anglinë e hershme moderne, deklaronte se ishte në interesin e vetë borgjezisë që t’ia linte pushtetin politik aristokracisë dhe të mbante për vete fuqinë ekonomike…

Nga Slavoj ŽIŽEK –

Më 1 korrik 1921, në Shangai u mbajt kongresi që themeloi Partinë Komuniste Kineze; 12 burra u mblodhën në një vilë në pjesën më të pasur të qytetit. Sot, kjo parti ka mbi 90 milionë anëtarë. Ajo ka transformuar jo vetëm Kinën, por historinë e të gjithë botës.

Fazat kryesore në zhvillimin e saj janë të njohura. Në fundin e viteve 1920, Mao Ce Duni mori drejtimin e partisë dhe e riorientoi atë nga punëtorët e qytetit tek fermerët e varfër. Në mesin e viteve 1930, Marshimi i Gjatë, vendosi një lidhje midis partisë dhe njerëzve në të gjithë Kinën.

Në vitin 1949, triumfoi revolucioni. Gjatë viteve 1958-1975, Hapi i Madh Përpara dhe Revolucioni Kulturor u përpoqën të realizonin ndryshimet e shpejta ekonomike dhe sociale, por dështuan duke shkaktuar miliona të vdekur.

Nga viti 1978 e në vazhdim, pas vdekjes së Maos, Ten Hsia Pini e hapi vendin drejt kapitalizmit por nën kontrollin e vazhdueshëm politik të partisë. Kur në fundin e viteve 1980, liberalizimi ekonomik nxiti kërkesat politike për demokratizim, masakra e Tiananmenit rikonfirmoi kontrollin e Partisë Komuniste.

Kina e dekadave të fundit, është pa dyshim një nga historitë më të mëdha të suksesit ekonomik në historinë njerëzore. Qindra miliona njerëz dolën nga varfëria dhe janë sot pjesë e shtresës së mesme. Po si e arriti ajo këtë gjë?

E majta e shekullit të XX-të u diktua nga kundërvënia ndaj dy tendencave themelore të modernizmit: mbretërimit të kapitalit me individualizmin e tij agresiv, dhe dinamikën tjetërsuese dhe fuqinë shtetërore autoritare-burokratike.

Ajo që shohim në Kinën e sotme është ndërthurja e këtyre dy tipareve në formën e tyre më ekstreme:një shtet i fortë autoritar me një dinamikë të egër kapitaliste. Kjo është sot forma më efikase e socializmit.

Po, autoritetet kineze po vazhdojnë të ribotojnë klasikët marksistë nga Marksi tek Mao. Por nëse i merrni seriozisht këto tekste dhe veproni sipas tyre, siç bëjnë disa studentë të rinj kur përpiqen të ndihmojnë në organizimin e punëtorëve kundër abuzimeve të pushtetit shtetëror, ju do të arrestoheni.

Në Kinën e sotme, një nga funksionet kryesore të Partisë Komuniste është të parandalojë punëtorët nga organizimi i rezistencës së tyre ndaj kapitalit:një situatë absurde mbresëlënëse. Ironia është se për Marksin, komunizmi lind kur prodhimi kapitalist bëhet një pengesë për zhvillimin e mëtejshëm të mjeteve të prodhimit. “Reformat” e Ten Hsiaopinit e kthyen Marksin,por në një version të kundërt:duhet të rikthehemi në kapitalizëm për të mundësuar zhvillimin ekonomik socialist.

Vite më parë, një teoricien social kinez që kishte njohje me vajzën e Ten Hsiao Pinit më tregoi një anekdotë interesante. Kur Ten po vdiste, e vizituan disa nga miqtë e ngushtë që e pyetën se cili mendonte se ishte akti i tij më i madh, duke pritur përgjigjen e zakonshme:hapjen  ekonomike që solli një zhvillim të tillë në Kinë.

Për habinë e tyre, ai u përgjigj:“Jo, kur udhëheqja vendosi të hapte ekonominë, unë i rezistova tundimit për të shkuar deri në fund,duke i hapur rrugë jetës politike demokratike shumë-partiake.”

Në këtë rast ne duhet t’i rezistojmë tundimit liberal, për të ëndërruar se përparimi i saj ekonomik do të ishte edhe më i shpejtë,nëse Kina do të kishte lëvizur drejt demokracisë politike. Po demokracia politike, a do të kishte gjeneruar paqëndrueshmëri dhe tensione të reja që do ta kishin penguar progresin ekonomik? Po sikur përparimi kapitalist i Kinës të ishte i realizueshëm vetëm në një shoqëri të dominuara nga një fuqi e fortë autoritare?

Teoria klasike marksiste mbi Anglinë e hershme moderne, deklaronte se ishte në interesin e vetë borgjezisë që t’ia linte pushtetin politik aristokracisë dhe të mbante për vete fuqinë ekonomike. Ndoshta diçka e ngjashme po ndodh edhe në Kinën e sotme:ka qenë në interesin e kapitalistëve të rinj që t’ia lënë pushtetin politik Partisë Komuniste, pasi Partia Komuniste është mbrojtësi më i mirë i interesave të kapitalizmit.

Mund të duket se me kalimin nga Revolucioni Kulturor tek reformat e Ten, Kina kaloi nga një ekstrem në tjetrin. Gjithsesi, ekziston një homologji e thellë strukturore midis vetë-revolucionarizimit të përhershëm Maoist, luftës së përhershme kundër çimentimit të strukturave shtetërore, dhe dinamikës së qenësishme të kapitalizmit.

Disa të majtë naivë pretendojnë se është trashëgimia e Revolucionit Kulturor dhe Maoizmit, ajo që vepron në përgjithësi si një kundër-forcë ndaj kapitalizmit të shfrenuar, duke parandaluar teprimet e tij më të këqija, dhe duke ruajtur një minimum solidariteti shoqëror. Po nëse është saktësisht e kundërta? Po sikur Revolucioni Kulturor, me fshirjen e tij brutale të traditave të kaluara, të ishte një “tronditje” e cila krijoi kushtet për shpërthimin kapitalist pasues?

Ironia supreme e historisë është se ishte vetë Mao ai që krijoi kushtet ideologjike për zhvillimin e shpejtë kapitalist, duke e copëtuar strukturën e shoqërisë tradicionale. Cila ishte thirrja e tij për njerëzit, sidomos për të rinjtë gjatë Revolucionit Kulturor?

Mos prisni që dikush tjetër t’ju thotë se çfarë të bëni, ju keni të drejtë të rebeloheni! Prandaj, mendoni dhe veproni vetë, shkatërroni reliket kulturore, denonconi dhe sulmoni jo vetëm të moshuarit në familjet tuaja, por edhe zyrtarët e qeverisë dhe partisë! Dhe thirrja e Maos u dëgjua. Ajo që pasoi ishte një shpërthim i pasionit të shfrenuar për të delegjitimuar të gjitha format e autoritetit, dhe kësisoj në fund Mao u detyrua të thërriste ushtrinë për të rivendosur rendin.

Nuk është se kapitalizmi mund të lulëzojë vetëm përmes vetë-revolucionarizimit të përhershëm, siç vinte në dukje Marksi. Kapitalizmi del sërish si e vetmja alternativë, dhe e vetmja mënyrë për të ecur përpara, si forca dinamike kur bllokohet jeta sociale.

Sot, kapitalizmi është revolucionar shumë më tepër sesa e majta tradicionale, që është e fiksuar pas mbrojtjes së arritjeve të vjetra të shtetit të mirëqenies sociale. Mjafton të shikoni se sa shumë e ka ndryshuar kapitalizmi strukturën e të gjithë shoqërive tona gjatë dekadës së fundit.

Pas shpërbërjes së socializmit të Evropës Lindore në vitin 1990, qarkullonte një shaka sipas së cilës socializmi është një kalim nga kapitalizmi sërish në kapitalizëm. Sot pyetja kryesore është:a mund ta shfuqizojmë lirinë e tregut, pa zhdukur lirinë politike?

Ju me siguri mund ta shfuqizoni lirinë politike, pa e shfuqizuar lirinë e tregut, dhe Kina e provoi këtë gjë. Megjithatë rezultati përfundimtar i sundimit të tij, duket të jetë sigurimi i një forme të re të kapitalizmit autoritar, i cili do të zëvendësojë kapitalizmin liberal. A përfaqëson atëherë Kina kërcënimin më të madh për një emancipim të mirëfilltë demokratik? A duhet që Kina të jetë armikja kryesore e së majtës? / “The Spectator” – Bota.al/

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull