Mospasja e votave të duhura në Kuvend ka sjellë ngërç politik në jetën politike të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sikurse bëjnë me dije mediat vendase, pas dështimit të votëbesimit të qeverisë as pushteti dhe as opozita nuk e kanë shumicën e nevojshme, as për të vazhduar përpara e as për të votuar për zgjedhje të reja.
Asnjëra palë nuk i ka 61 deputetë. Situata 60-60 ka hapur diskutime mes partive që do të shpiente në forcimin e shumicës aktuale, respektivisht formimin e një shumiceje të re. Gjatë ditës së sotme Radmilla Shekerinska nga LSDM tha se po zhvillohen bisedime për të siguruar shumicë parlamentare.
“Qytetarët e pritën këtë me lehtësim, tani presin prej nesh që ta konfirmojmë edhe me sigurimin e shumicës parlamentare, që do të garantojë Kuvend funksional dhe rrjedhje normale të procesit të reformave. Po zhvillohen bisedime, pres që kjo të përfundojë shpejt dhe me sukses, sepse na pret punë,”- komentoi Sheqerinska.
Dimçe Arsovski, në emër të VMRO-DPMNE përsëriti devizën se vendit i duhen zgjedhje të shpejta të parakohëshme, ata kërkojnë nga Zaev të jep menjëherë dorëheqje.
“Për këtë arsye, mashtruesi, gënjeshtari dhe kryeministri në largim Zoran Zaev, duhet sa më shpejtë të jep dorëheqje dhe ta lirojë shtetin, t’I shpëtojë qytetarët dhe Republikën e Maqedonisë nga dështimi. Dorëheqje menjëherë, ndërsa përgjegjësi menjëherë më pas,” – artikuloi Arsovski në ligjëratë të drejtë, ndërkohë që Zekiria Ibrahimi, i partisë Alternativa, komentoi:
“Këta që mendojnë se shumica bëhet “t’u pi duhon” a e dinë se Kuvendi me 60 deputetë nuk funksionon? Apo, mos kanë ndonjë zgjidhje “€uroatlantike” të “vetëkidnapimit” të ndonjë deputeti për ta shpëtuar “vëndin” nga rreziqet ruso-kineze?”
Përmendim se ballanca e votave 60-60 do të pengojnë miratimin e propozim buxhetit për vitin e ardhshëm. Buxheti sot hyri në procedurë parlamentare, ndërsa do të duhet të votohet më së voni deru në fund të dhjetorit./Arberia News.net