Takimi i Presidentit Joe Biden me Presidentin kinez Xi Jinping

8 Minuta Lexim

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë po përpiqen të ulin pritshmëritë përpara takimit mes Presidentit amerikan Joe Biden dhe atij kinez Xi Jinping të hënën në mbrëmje.

Të dyja palët i referohen si një “takim virtual” dhe jo një samit, për të mos ngritur shpresat për ndonjë arritje madhore.

“Ky takim ka të bëjë me përpjekjet tona për të menaxhuar konkurrimin në mënyrë të përgjegjshme, dhe nuk ka të bëjë me rënien dakord për ndonjë rezultat të caktuar”, tha një zyrtar i lartë i administratës gjatë një seance informimi me gazetarët të dielën në mbrëmje. I njëjti mesazh është theksuar edhe nga zyrtarë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë gjatë ditëve të fundit.

Ka sigurisht çështje të vështira që duhen trajtuar. Shtetet e Bashkuara e shohin Kinën si një konkurrente strategjike, ndërsa Pekini po përpiqet të rrisë influencën ushtarake dhe ekonomike në mbarë botën. Dy vendet kanë një seri mosmarrëveshjesh ligjore, teknologjike dhe ekonomike, të cilat mund të përshkallëzohen. Ka patur përplasje për pronësinë intelektuale dhe tarifat tregtare, ashtu si edhe pika të nxehta rajonale që mund të shndërrohen në konflikt të armatosur, ndër to edhe Ngushtica e Tajvanit, dhe detërat e Kinës Jugore dhe Lindore.

Njerëzit përshëndesin ndërsa raketat balistike kineze DF-41 paraqiten në paradë në Pekin (1 tetor 2019)
Njerëzit përshëndesin ndërsa raketat balistike kineze DF-41 paraqiten në paradë në Pekin (1 tetor 2019)

Presidenti Biden pritet të ngrejë çështjen e të drejtave të njeriut, përfshirë shfrytëzimin nga Pekini të punës së detyruar si pjesë e zinxhirit kinez të furnizimit. “Ne besojmë se këto janë dallime me të cilat duhet të merremi drejtpërsëdrejti dhe jo t’i lëmë disi mënjanë, siç mendoj se do të donte shpesh të vepronte Kina”, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë në përgjigje të pyetjes së Zërit të Amerikës.

Zyrtari tha se takimi nuk është më shumë për përmirësimin e marrëdhënies dypalëshe, se sa një mënyrë për të ndërtuar “një kuadër të logjikshëm që do të shmangte gabimet dhe keqkuptimet”, apo me fjalë të tjera, për të parandaluar që rivaliteti i tensionuar të shpërthejë në një luftë në të gjitha frontet.

“Dy vendet tona gjenden në pozicione shumë më të largëta nga njëri-tjetri se ç’kemi qenë në të kaluarën”, tha zyrtari.

Shumë vëzhgues kanë të njëjtin pesimizëm.

“Ky nuk është samiti në Sunnylands”, tha Patrick Cronin, drejtues për sigurinë e rajonit Azi-Paqësor në Institutin Hudson, duke iu referuar takimit të vitit 2013 në Kaliforni mes ish-Presidentit Barack Obama dhe zotit Xi, kur marrëdhënia dypalëshe SHBA-Kinë u vendos në baza më të qëndrueshme dhe u çel rruga diplomatike me Korenë e Veriut për çështjen bërthamore. “Marrëdhënia ka ndryshuar, është më hezituese, është më e tensionuar”, tha zoti Cronin.

Megjithëse të dyja palët do të dëshironin të shmangnin konfliktin, asnjëra palë nuk duket e gatshme të tërhiqet nga ato që i konsideron vlera dhe interesa themelore, shumë prejt të cilave thjesht nuk përputhen.

“Nuk ka ndonjë provë që ndonjëri prej udhëheqësve të ketë rishqyrtuar interesat, objektivat apo strategjinë e tij”, thotë Robert Daly, drejtor i Qendrës Wilson në Institutin Kissinger për Kinën dhe Shtetet e Bashkuara. “Pra, udhëheqësit janë në kërkim të ndonjë lloj formule që përmbush objektivat e tyre minimale dhe që do t’u mundësonte ta menaxhonin këtë konkurrim duke mos e lënë të përshkallëzohej në një konflikt”. Uashingtoni dhe Pekini kanë siguruar një hap të vogël pozitiv përpara takimit. Në samitin për klimën në Glasgou të Skocisë, dy vendet që ndotin më shumë mjedisin me dioksid karboni njoftuan se do të punojnë së bashku për të ulur nivelin e ndotjes dhe se do të takohen rregullisht për çështjen e krizës klimatike.

Presionet e brendshme

Presidenti Biden dhe Presidenti Xi përballen me presion të brendshëm që i shtyn drejt një marrëdhënieje më konfrontuese. Një anketim i organizatës Pew Research në formën e një “barometri të ndjesisë” së popullsisë, tregoi se 67% e amerikanëve kanë ndjenja të ftohta ndaj Kinës. Ata e radhitën Kinën në më pak se 50 pikë, në një sistem nga 0 deri në 100. Ky sentiment ishte i pranishëm tek vetëm 46% e amerikanëve në vitin 2018.

Sipas një anketimi të fundit nga gazeta “The Washington Post” dhe kanali ABC News, me rritjen e inflacionit 70% e amerikanëve thonë se ekonomia është në formë të keqe dhe niveli i tyre i përgjithshëm i miratimit të punës së zotit Biden ka rënë në 41%, si dhe në 39% për sa i përket menaxhimit të ekonomisë nga zoti Biden.

Këto shifra janë shenja jopremtuese përpara zgjedhjeve të vitit 2022 për Kongresin, ku Presidenti Biden dhe Partia e tij Demokrate rrezikojnë të humbasin shumicën e ngushtë në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Pavarësisht nga çfarë do të bëjë për çështjen e Kinës, republikanët do të përpiqen gjithnjë ta quajnë të butë dhe akomodues me Kinën. Pra, ai duhet të bëjë kujdes me këtë”, thotë zoti Daly.

Ndërkaq, Xi Jinping vazhdon të konsolidojë pushtetin. Javën e kaluar Partia Komuniste Kineze e ngriti statusin e tij në nivelin e udhëheqësit të adhuruar Mao Ce Dung, dhe e shpalli punën e tij drejtuese “çelësin për rigjallërimin e kombit kinez”, duke ia përgatitur atij qëndrimin në post për një mandat të tretë dhe ndoshta edhe më gjatë.

Nga mbledhja e komitetit qendror të Partisë Komuniste Kineze (1 nëntor 2021)
Nga mbledhja e komitetit qendror të Partisë Komuniste Kineze (1 nëntor 2021)

“Xi Jinping sapo është pagëzuar si një figurë e gjallë historike… Ai nuk do të tërhiqet dhe të fillojë papritur të bëjë lëshime”, tha zoti Cronin.

Një anketim rishtazi i Këshillit të Çikagos për Çështjet Globale tregon se 58% e amerikanëve mendojnë se tregtia mes dy vendeve është më tepër në dëm të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, një dallim i madh ky krahasuar me vetëm 33% që mendonin kështu në vitin 2019.

Nga i njëjti anketim rezulton se 40% e amerikanëve mendojnë se Kina është më e fortë ekonomikisht se Shtetet e Bashkuara, dhe shumica e tyre janë në favor të rritjes së tarifave mbi produktet që vijnë nga Kina dhe për uljen domethënëse të tregtisë mes dy vendeve.

Lojërat Olimpike

Krahas morisë së pikave të tensionuara për takimin Biden – Xi, një tjetër temë delikate janë Lojërat Olimpike të vitit 2022 që zhvillohen në Pekin.

Shtëpia e Bardhë ka refuzuar të komentojë nëse Presidenti Biden do ta pranonte një ftesë personale që mund t’i bëhet nga zoti Xi gjatë takimit të së hënës. Aktivistët kanë bërë thirrje për bojkotimin e olimpikeve që i kanë quajtur “Lojërat e Gjenocidit”, duke iu referuar kështu abuzimeve të Kinës me të drejtat e njeriut të ujgurëve dhe minoriteteve të tjera.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidentët Biden dhe Xi do të bisedojnë nëpërmjet përkthyesve dhe takimi pritet të zgjasë disa orë.

*Për këtë artikull kontribuan korrespondentët e Zërit të Amerikës, Paris Huang dhe Nike Ching

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull