Po marr shkas nga seria e rradhës e takimit tre palësh Rama-Vuçiç-Zaev, këtë herë në Tiranë, në kuadër të iniciativës së tyre debatmadhe për promovimin e nismës “Ballkani i hapur”, për të ndarë me ju disa argumenta…
Nga Arben MALAJ –
1. Serbia duhet të ndalojë keqpërdorimin e miliardave për armët e saj gjeopolitike kundër pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen e separatistëve radikalë në veriun e saj;
2.Serbia duhet të ndalojë çdo investim direkt ose indirekt të saj ose së bashku me “partnerët e saj strategjikë” kundër paqes në Bosnje dhe Hercegovinë dhe destabilizimin e mbajtjen peng të vendeve të Ballkanit Perëndimore;
3. Serbia duhet të ndalojë investimin per përplasjet nacionaliste në Mal te Zi, dhe te shërbej për uljen e tensioneve dhe rritjen e bashkëpunimit;
4. Vuçic duhet të heqë dorë nga deklarata e tij kërcënuese kundër pavarësisë së Kosovës. Asnje nacionalist serb në qeverinë apo opozitën e saj nuk mund ta kërcenojnë dot më Kosovën me forcën e armëve;
5. Kosova duhet të ulet në tryezën e Ballkanit të hapur si shtet i pavarur dhe jo si “krahinë autonome” e Serbisë.
6. Kosova ka të drejtë morale të kërkojë që liderët serbë të kerkojne falje publike për krimet e tyre në Kosovë.
7. Kryeministri Kurti nuk mund ta kushtëzojë fillimin e bashkëpunimit si dy shtete të pavarura me kërkesën për falje publike.
8. Historia e vendeve të tjera, konfliktet dhe luftërat na mësojne se takimet dy ose shumë paleshe dhe negociatat kanë filluar shumë më herët se kur ka ardhur falja publike e lidereve të vendeve përgjegjëse për krimet e tyre.
9. Lidershipi politik në Shqipëri duhet ta kushtëzojë avancimin e kësaj nisme me uljen në tryezë të liderëve të vendeve që kanë e paguar shtrenjtë gjenocidin serb.
10. Pjesëmarrja e plotë dhe e përkushtuar drejt paqes dhe të ardhmes së Ballkanit Perëndimor e liderëve të Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës me mbeshtetje edhe te Republikave te ish-Jugosllavise sot anetare të BE – është e detyrueshme që dyert e “Ballkanit të hapur” në konferenca a video konferenca të hapin derën e mbyllur të bashkëpunimit real.
11. Udhëheqësit shqiptarë nuk duhet të marrin asnjëherë statusin e kujdestarit, të babait apo të vëllait të madh në nismat apo tavolinat ndërkombëtare jo vetëm për Kosovën që është shtet i pavarur por as edhe edhe për shqiptarët e rajonit.
12.Mbështetje për respektimin e te drejtave themelore njerëzore për cdo naconaliste është pikënisje e cdo bashkepunimi.
13. Mbështetja për integrimin euro-atlantik të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimore duhet të jetë vizioni dhe angazhimi prioritar i politikës se jashtme të shtetit dhe shoqërisë shqiptare.
14. Shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, pavarësisht nga përfaqësimet e tyre politike në shumicë apo në opozitë qeverisese apo morale – duhet të angazhohen për integrimin euro-atlantik, garantimin e paqes dhe rritjen e mireqenies.
15. Te gjitha vendet e rajonit tone duhet të rrisin dhe zgjerojnë partneritetin strategjik dhe bashkëpunimin efektiv me SHBA, BE dhe çdo vend mik i sinqertë që mbështet paqen dhe prosperitetin e qëndrueshëm, si dy shtyllat e rëndësishme të largimit të Ballkanit nga konfliktet e pashuara plotesisht.
16. Keto vende duhet te perkushtohen sebashku per avancimin drejt një të ardhmeje evropiane me frymën e inspirimit dhe në kontekstin e përditshëm për të krijuar, mbeshtetur dhe garantuar paqen e qendrueshme dhe mireqenien ne rritje dhe të ardhmen në vendet tona.