Janë rikthyer reshjet e borës në zonat e thella malore të juglindjes përfshirë edhe fshatrat turistike të Dardhës dhe Voskopojës si dhe Shtyllë e Panarit.
Burime zyrtare bëjnë me dije se firmat kontraktore po punojnë për të mbajtur nën kontroll aksin Boboshticë-Dardhë aty ku trashësia e borës ka shkuar deri në 12 cm, ndërkohë që nuk paraqiten probleme në akset rrugore Voskop-Voskopojë dhe Kamenicë-Qafë Qarri.
Nga ana tjetër, është rikthyer energjia elektrike në të gjithë zonat malore të qarkut të Korçës, në të cilat ditën e djeshme kishte ndërprerje.
Sipas drejtorit të OSHEE të juglindjes së vendit Artur Qeramixhi, gjatë 24 orëve të fundit grupet e punës kanë punuar në kushte shumë të vështira, për të eleminuar defektet e shumta kryesisht të linjave të tensionit të ulët në njësinë administrative Mollas, Vithkuq, Moglicë, Velçan, ku kishte probleme me furnizimin me energji elektrike prej ditësh.
Qeramixhi shton më tej se nga ana e OSHEE janë 12 grupe pune në gatishmëri, ndërkohë që në terren janë edhe elektriçistët e zonës, për të patur nën kontroll situatën në kushte të tilla atmosferike me reshje bore në zonat malore dhe reshje shiu në zonën e fushës.