Takimi i ministres Ibrahimaj me biznesin prodhues/ Partneriteti, thelbësor për suksesin

3 Minuta Lexim

Mëngjesin e sotëm, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka marë pjesë në një “mëngjes pune” të organizuar nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë. Temë qendrore e këtij takimi kanë qenë një sërë çështjesh dhe problematikash që lidhen me të bërin biznes në vendin tonë, veçanërisht ato të fushës së kuadrit ligjor, procedurave administrative, sistemin fiskal, eksportet, punësimin, etj.

Në fjalën e vet ministrja Ibrahimaj është shprehur falënderuese  për organizimin e takimit, duke vlerësuar  se partneriteti me biznesin është element kyç për suksesin e politikave që harton Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

“Mendoj se partneriteti me biznesin është kryesor dhe kyç në suksesin e politikave që bën Ministria e Financave, si politikave fiskale, si politikave të zhvillimit ekonomik, dhe politikat e mirë administrimit”, tha Ibrahimaj.

Po ashtu, Ministrja u shpreh e gatshme që takimet konsultuese me biznesin të zhvillohen në vijimësi pasi, sipas saj, është shumë e rëndësishme biznesi të dëgjohet dhe qeveria të konsultohet me të për vendimet që merr.

“Ministria e Financave është duke hartuar një Strategji Afatmesme të të Ardhurave dhe në presim ta publikojmë në fund të dhjetorit, me qëllim që të fillojë diskutimi mbi masat që propozohen në Strategji dhe koha e implementimit të atyre masave. Ne duam të hartojmë një strategji eksporti gjatë vitit të ardhshëm, kështu që janë të mirëpritura të gjitha komentet që ju mund të keni në këtë drejtim, pasi jeni ju që e njihni më mirë se kushdo tjetër prodhimin dhe pengesat që mund të keni ndaj eksportit”, – njoftoi Ministrja.

Duke u ndalur te politika fiskale, znj. Ibrahimaj u shpreh se qeveria synon hartimin e një politikë fiskale që nuk bazohet në përjashtime pasi, një politikë e tillë, krijon fragmentin, ineficencë dhe hapësirë për evazion.

“Forma dhe mënyra se si e shohim, por bazuar në të gjithë rekomandimet e FMN, është që të eliminohen përjashtimet dhe të shihet një formë tjetër mbështetje për një sektor prioritar apo një sektor që në një moment të caktuar ka nevojë, dhe sigurisht kjo mbështetje duhet të ketë një afat kohor të caktuar sepse nuk mund të bëhen përjashtime pa afat”, artikuloi Znj. Ibrahimaj më tej, në ligjëratë të drejtërdrejtë.

Rendësinë e dialogut mes qeverisë dhe biznesit e theksoi, gjatë fjalës së tij edhe kryetari i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, Arben Shkodra, sipas të cilit, duhet të konsolidohet një platformë dialogu për problematikat e biznesit.

“Është e rëndësishme që ne të konsolidojmë një platformë dialogu me mekanizmat e duhura që ne të kemi mundësinë të shprehim çështjet dhe problematikat, dhe pse jo të gjejmë zgjidhje”, – tha Shkodra, në mëngjesin e punës që vijoi më pas me diskutime nga të pranishmit mbi çështje të ndryshme që shqetësojnë biznesin në vend./ Arberia News.net

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull