Edhe ti je ANTIKRISHT o KRISTaq!?!

9 Minuta Lexim
Nga Xhovalin Delia
Edhe ti je ANTIKRISHT o KRISTaq!?!
…kjo ka qenë fraza pyetëse habitore që unë kam shqiptuar me habi, frikë e dhimbje në zyrën e Kristaq Dhamos, aso kohe, udhëheqës artistik në Kinostudio Shqipëria e re…
“Jo, nuk jam ANTIKRISHT, por dua të të mbrojë nga antikrishtët edhe pse nuk jam Krisht” – mu përgjigj Kristaq Dhamo, me zërin e tij të butë, me një buzëqeshje të ëmbël e dashamirëse dhe me po aq dhimbje sa unë.
(… bëhet fjalë per një dialog në zyrën e udhëheqësit artistik, K. Dhamo, nga fundi i viteve 80, menjëherë pas premierës së filmit tim “kush e meriton”, ku, plaku, personazhi qendror i filmit, konceptuar me fantazi, ndjeshmëri e mjeshtri nga artisti i talentuar Agron Mesi, sipas këshillit artistik ateist ishte shenjtëruar deri në perëndi. Per këtë motiv, po këshilli artistik vendosi të presë një skenë, sepse, sipas tyre, Plakun e tokës e kisha ngjitur në qiell.Natyrisht që mua më dhembi ajo prerje ne filmin/trupin tim, por çuditërisht fati filmit dhe i autorit shkoi shumë mirë, madje filmi e autori fituan trofe kombëtare e ndërkombëtare. Një e keqe e vogël solli të mira të mëdha).
Kristaq Dhamo ishte njëri nga baballarët e kinematografisë tonë. Ata që ne i kemi kryqëzuar si “komunistë” krijuan nga hiçi filmin shqiptar. Këtë ne duhet da dimë, tua mësojmë atyre që nuk e dinë e të gjithë, të majtë e të djathtë duhet t’i kujtojmë me mirënjohje e respekt të thellë. Janë arti e krenaria jonë.
Me ikjen e Kristaq Dhamos, iku edhe një tjetër BIG nga kinematografia shqiptare. Një regjisor e një eksperiencë më pak në kinematografinë tonë, një faqe më shumë në historinë e saj. Normale. Disa shkojnë të tjerë vinë. Ajo cka nuk eshte normale eshte fakti qe nuk shoh të vinë, as regjisor tr zot e as filma te mire. E mbi të gjitha nuk shoh klimë që favorizon artin, letersinë, muzikën e kinematografinë. Toka është po ajo që ka qenë edhe nën komunizëm që polli e rriti plot artistë e vepra arti paçka se të limituara në parcelën e “realizmit socialist”. Pse sot është shterp?
Arsyet jane 1001, por mbi te gjitha mungon klima krijuese artistike. Nese kjo mungese ka nje autor, emri i tij eshte Edi Rama. Tingellon paradossale dhe eshte. Jo se Edi nuk e do artin. Perkundrazi eshte I dashuruar marrezisht pas tij, por gjiganti nuk merret me “gjëra te vogla” qe po vyshken nen hijen e tij te rende.
Më shkoj gjuha tek dhëmbi që dhëmb por më gjatë e më qartë do flas njëherë tjetër për këtë çështje jetike për artin shqiptar….
Gjatë jetës, rrethanat të bëjnë të jesh edhe ai që nuk je. Ka fatkeqinjë që jeta i zë me gurë edhe kur janë të mirë e të mbarë. E në regjimin e shkuar, nuk duhej shumë per të siguruar ferrin e perjetshëm, ashtu siç mjaftonte edhe një “dorë nga lart” për të kapur parajsën.
Vdekja, gjyqi final, bën hesapet me secilin prej nesh. Me të mirët e me të liqtë. Në fund kullon ajo pak e vërtetë, essencialja, ajo çka kemi qenë vërtetë. Ajo çka realisht kemi bërë. Jo domosdoshmërisht duhet të bësh “vepra të mëdha”, jo, jo. Edhe bari me dele të kesh qenë, mjafton të kesh qenë bari i mirë, e bekimin e deleve të kesh marrë. Paçka se per ujkun, bariu i mirë, “i keq” mbetet.
Zakonisht, pas vdekjes, e sidomos në publik e me zë të lartë thuhen fjalë të mira për të ndjerin. Shpesh edhe të pa qena e të pamerituara. Jo edhe aq për të nderuar të ndjerin sesa për ti bërë nder vetes.
Me Kristaq Dhamon, tashmë ndarë nga jeta dua të jem i sinqertë siç ai ka qenë me muabr unë me atë në të gjallë. Të paktën kështu e kam lexuar, ndjerë e kuptuar.
Kristaq Dhamo, ka hyrë në jetën time si kineast e regjisor, ndonëse në memorien time nuk kam asnjë film të tij. Por nuk ka film që nuk ka kaluar në mendjen e tij. Te paktën që nga 1986, kur unë hyra në magjinë e filmit. Pikërisht kur mjeshtri Kristaq Dhamo doli nga kjo magji, për të bërë udhëheqësin ARTISTIK të filmit.
Për mua ky mjeshtër i madh, që na mësoi filmin, si shumë të tjerë të brezit të tij, mbetet burrë i ndershëm, i sinqertë, dashamirës e kineast i mënçur, dhe njëkohësisht prind kineast e koleg krijues që më ka udhëzuar e këshilluar si të mbijetoj në mes kurtheve e intrigave, që në jetë janë gjithmonë të pranishme e që në atë kohë, në Kinostudio Shqipëria e re nuk mungonin.
Sot është e modës për të sharë e përbaltur çdo gjë të shekullit të shkuar si “komuniste të pa vlerë e të keqe”. Kesaj propagande të verbër politike nuk i ka shpëtuar as arti, as letërsia, as muzika, as teatri e as filmi.
Kjo barbari propagandistike politike mendoj se nuk ka sjellë asnjë dobi përkundrazi ka qene e mbetet një energji negative DESTRUKTIVE që ka bërë e po bën dëmin e pafarë. I mëshirojë, madje i përcmoj “antikomunistët e modës” dhe kam fjalët më të mira e respekt deri në përulje për të gjithë artistët e pa fat që jetuan, krijuan e u sakrifikuan në komunizëm, me e pa tessera partie.
Kanë bekimin e respektin tim, të gjallë e të vdekur. Nuk kanë asnjë faj ata qe nuk kane bërë faj. Si artistë, besuan në art e komunizëm e krijuan mes besimtarëve, shtihanëve, ziliqarëve e barbarëve, ndaj nderuar kujtimi i tyre e Dritë u pastë shpirti!
Ashtu si shumë artistë të tjerë, edhe Kristaq Dhamo, kur e ngujuan në zyrë me pergjegjësi artistike e politike, nuk veshi arrogancen e “superiorit” siç bëjnë nëpunësit e sotëm fudull. Nuk e nxorri shpatën që partia ua kishte dhënë “si fishekun në pajë”. Perkundrazi, me zgjuarsi, diplomaci e dashamirësi diti të bëjë MEDIATORIN, midis “arsyes” së ftohtë të aparatit komunist dhe pasionit të “çmendur” të krijimtarisë artistike. Ditën të mbrojnë artistët e “marrë” nga militantët fanatikë të rreptë e injorantë. Unë jam një dëshmi akoma gjallë. Më kanë prerë një copë film per të më shpëtuar jetën e siguruar vazhdimësinë në art…
“Më mirë një jetë me ëndrra e me filma të censuruar apo një jetë të prerë pa ëndrra e pa filma?
Kjo ishte çështja atëherë. Sot është sa e lehtë aq edhe mendje lehtësi të tregosh me gisht ata që dje ishin censuruesit tanë. Shumë prej tyre, para artit dhe artistëve, qenë dhe mbetën më dinjitozë se sa pseudo artistët matrapazët e sotëm që spekulojnë me artin, lirinë dhe endrrat e artisteve.
Ndaj u jam mirënjohës gjithë kolosëve të artit të realizmit socialist, me e pa tesera partie dhe përulem me respekt para tyre.
Kinostudio Shqipëria e re dhe teatri kombëtar i shëmbur duhet të kthehen në identitet e t’ju jepet DINJITETI që meritojnë. Që do të thotë te kthehen në MUZE TË FILMIT e të TEATRIT shqiptar. Kjo është minimalja që Edi Rama i detyrohet artit, artistëve dhe artdashësve shqiptarë.
Historia është e pamëshirshme me ata që abuzojnë me shkopin e vulën e që nuk respektojnë dialektikën natyrale sociale.
I pa harruar kujtimi i i mjeshtrit te filmit Kristaq Dhamo, ngushëllimet e mia të sinqerta familjes e të afërmëve të tij, dhe gajret gjithë artdashësve shqiptarë për filmin e artin në agoni!
Xhovalini Delia
Firenze

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull