Pesë muaj i zhdukur, 29-vjeçari Ulvi Skana është përmendur edhe si lidhje shoqërore e Can Karriqit, i vrarë në dhjetor të vitit 2021. Vrasje kjo që u pasua nga sëri të tjera fund vitin e shkuar dhe këtë fillim viti.
Në dosjet e policisë disa emra në lidhje me njëri tjetrin dhe me viktimat e ekzekutimeve, ende rezulojnë të humbur apo të zhdukur, siç është edhe i riu Skana, i cili doli nga shtëpia e tij në Kamëz ditën e 17 majit dhe nuk u kthye më. Që ditën kur humbi gjurmët, prindërit thonë se policia nuk u ka dhënë asnjë informacion për fatin e djalit të tyre.
“Asnjë të dhënë nuk kam marrë, as nga policia dhe në asnjë lloj rruge. Shkojmë te policia dhe na thonë “mirë është”. Mirë është po unë dua ta shoh ku është? Vetëm “mirë, mirë” tjhonë, po ku ëhstë kjo e mira. Asnjë lloj të dhëne nuk më ka dhënë policia. “Brenda territorit kemi kërkuar, flasin fjalë të mira për djalin tuaj, por se çfarë ka bërë ai nuk e dimë”.
Tani ka bërë çfarë ka bërë, ma gjeni. Sepse koka bën koka pëson. Unë s’e di çfarë ka bërë, port ë paktën të na marrë në telefon të na thotë ku është. Unë qaj në shtëpi çdo ditë. Polici rri në karrige që t’I shkojë haberi në karrige, edhe kemi mbetur 5 muaj pa marrë asnjë të dhënë, vetëm thonë “në territorin tonë nuk gjendet”.
Kur i riu nga Dibra doli nga banesa e tij, u tha prindërve se do të merrte një borxh prej 20 mijë lekësh të reja nga një shok, emri i të cilit edhe sot e kësaj dite mbetet mister.
“Jo, këtë s’e kam unë, kjo na ka futur në dilemë. Unë e njoh fëmijën tim, më thoshte kur bënte diçka. Ai vetëm iku dhe më tha “po shkoj të marr 200 mijë lekshin borxh dhe do blej rroba”. I thashë “mirë”. Kjo ishte. As u pa as u bë, as kamera, as telefon, asgjë. A kontrollohen ato kamerat apo jo?”
29-vjeçari Skana ishte mik me Can Karriqin i vrarë në dhjetor 2021, ndërsa ky i fundit kishte lidhje me Erigers Mihasin dhe Armando Dumanin, të vrarë në nëntor të vitit të kaluar në Astir. Mirëpo nëna e tij Thëllëza Skana mohon që djali i saj të jetë pjesë e këtij grupi, koka e të cilit mendohet ish-bosi i lojërave të fatit, Ervis Martinaj.
“Nuk ka pasur lidhje, me 1000% nuk ka pasur lidhje me Ervis Martinaj. Vetëm se ka qenë shok me Can Karriqin. Se e kishim këtu në lagje, ja aty e ka pasur shtëpinë ai. I bëj thirrje shtetit të më gjejnë fëmijën, se unë lekë nuk kam. Policia të luajë vendit sepse nuk vjen në karrige ai që e ka marrë”, thotë Thëllëza Skana, e cila pyetjes së gazetarit nëse me këtë nënkupton se mund ta kenë rrëmbyer i përgjigjet: “Po, e morën, e morën. A shkoi vetë nuk e di, por e morën”.