Nga: Olimbia Yzeiraj
Si lindën peticionet ‘paqësore’ mbi dy metoda, njëra ‘Rintegrim’ dhe tjetra ‘Përjashtim?
Pas dhjetë muaj në terren, duke kontaktuar, informuar dhe advokuar familjarë të të miturve në konflikt me ligjin, duke adresuar problematika të tyre pranë strukturave të pushtetit vendore në njësi të ndryshme administrative në Bashkitë Tiranë dhe Kamëz, espertë të rinj të ligjit, punonjës social dhe ekspertë të pushtetit vendor iu drejtuan këshillave bashkiakë me dy peticione.
Inge Stafa është një vajzë e re, duket si studente por ka katër vjet që ushtron profesionin e juristes. Kur e pyetëm se si konkluduat në këto kërkesa, na shpjegoi se gjithçka erdhi natyrshëm. “Fjala Peticion, ka tek njerëzit një konotacion pak “luftarak”. Ne nuk kishim asnjë prirje për të qenë luftarakë në mënyrën se si punuam në terren. Në kërkesat tona, të artikuluara pas tetë muaj të vëzhgimeve në terren dhe të adresimit pranë pushtetit vendor të problematikave me të cilat ndeshen këta qytetarë, ne jemi realistë në kërkesat tona. Realistë në kuptimin që plotësimi i tyre nga ana e pushtetit vendor është domosdoshmëri dhe realistë sepse janë kërkesa të realizueshme dhe që impaktin do ta kenë të jashtëzakonshëm në komunitet. Nëse themi që të miturve në konflikt me ligjin duhet t’u japim një mundësi të dytë për ta jetuar jetën jo në krim; nëse të gjitha ligjet bazike që rregullojnë jetën e qytetarit këtë kontigjent të miturish dhe familjet e tyre e citojnë në nene dhe gërma të posaçme, është rasti që kërkesat e peticioneve tona të gjejnë mbështetje dhe të plotësohen nga të zgjedhurit vendor”.
Në kuadër të projektit ‘RIINTEGRIM vs PËRJASHTIM – Riintegrimi social i të Miturve “në konflikt me ligjin” dhe “ish të dënuar” në Bashkitë e Tiranës dhe Kamzës’ i realizuar me mbështetjen e Leviz Albania projektit të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, Qendra për Formim dhe Zhvillim i kërkon Këshillit bashkiak ngritjen në Bashkinë Kamëz të një Qendre Komunitare Vendore për trajtimin e të miturve në konflikt me ligjin në programe të strukturuara rehabilituese dhe riintegruese. Sigurimin dhe buxhetimin nga bashkia të personelit të specializuar që do të garantojë cilësinë e trajtimit të rasteve të të miturve në konflikt me ligjin me shërbime të posaçme psikosociale.
Katër vjet nga hyrja në fuqi të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur dhe akteve të tij nënligjore, ku sanksionohet fryma e një “drejtësie miqësore”, një “drejtësie restauruese” për të miturit në konflikt me ligjin; në Bashkinë Kamëz konstatohet një rritje e ndjeshme e numrit të të miturve të cilëve gjykata u jep dënime alternative, jo me burgim por në kushte lirie. Problematikat familjare të të miturve në konflikt me ligjin në Bashkinë Kamëz janë shumë dimensionale si: mungesë strehimi, fëmijë me një prind, fëmijë të neglizhuar nga pikëpamja emocionale, edukative dhe e nevojave minimale fiziologjike, fëmijë që kanë braktisur procesin arsimor, analfabetë funksionalë, fëmijë me probleme në sjellje (deri në kufinjtë e çrregullimeve të sjelljes), zhvillim kognitiv jo në raport të drejtë me moshën, fëmijë në situatë divorci, fëmijë në gjendje rruge, fëmijë me probleme të theksuara ekonomike, fëmijë që kanë qenë të shfrytëzuar nga më të rriturit, fëmijë recidivistë.
Pushteti vendor, si një nga aktorët kryesorë në ofrimin e shërbimeve detyruese që vendos gjykata për rastet e të miturve që vuajnë dënime alternative, përballet aktualisht me sfidat për parandalimin e krimit ndër të mitur, rehabilitimin e tyre dhe uljen e recidivizmit; por në Bashkinë e Kamzës nuk ekziston asnjë Qendër Komunitare që ofron shërbime vendore për qytetarët. Kësisoj, nuk ekziston asnjë Qendër Komunitare që të mbulojë ofrim shërbimesh vendore të deleguara, detyrime nga kuadri ligjor për trajtimin e të miturve në konflikt me ligjin apo ish të dënuar në programe rehabilituese-riintegruese. Deri tani, shërbime të tilla që lihen detyrim nga gjykata, mbulohen përkohësisht dhe jo për të gjitha rastet, vetëm nga organizata të shoqërisë civile që e kanë në status të tyre ofrimin e shërbimeve psiko-sociale; trajnimeve profesionale, etj.
Duke qenë një Bashki me një shtrirje gjeografike të konsiderueshme dhe me një numër popullsie relativisht të dendur, ofrimi i shërbimeve të specializuara në një Qendër Komunitare në Bashkinë Kamëz për kontigjentin e të miturve në konflikt me ligjin apo ish të dënuar do ta bënte shumë efiçente ndërhyrjen e pushtetit vendor në dobi të kësaj kategorie të miturish dhe familjeve të tyre.
Ndërsa për Këshillin bashkiak Tiranë, Qendra për Formim dhe Zhvillim kërkon shtim të personelit të Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijës në Njësinë Administrative nr. 6 me 2 (dy) Punonjës për Mbrojtjen e Fëmijës; Planifikimin në Buxhetin vendor për vitin 2023 të kostove administrative për dy punonjës socialë që i shtohen organigramës së NJPMF së NJA Nr.6.
Njësia Administrative Nr. 6 ka afërsisht 75 mijë banorë dhe rreth 25 mijë fëmijë ndërsa Njësia për Mbrojtjen e Fëmijës ka në strukturë vetëm 1 (një) Punonjës për mbrojtjen e fëmijës (PMF), i cili menaxhon vetëm rastet e rrezikut të mesëm dhe të lartë; Për vitin 2021 kjo NJPMF ka menaxhuar 60 raste në total; Për vitin 2022 (deri në shtator ‘22) janë regjistruar ndërhyrje në rreth 100 raste;
Rastet e rrezikut të ulët ose edhe të mesëm, në më të shumtën e rasteve, nuk preken fare, sepse është e pamundur të ndiqen nga një punonjës i vetëm për mbrojtjen e fëmijës të NJMPF-së së NJA nr. 6; NJPMF trajton në nivel vendor gjithashtu edhe të gjitha rastet e të miturve në konflikt me ligjin; Katër vjet nga hyrja në fuqi e Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur (1 janar 2018) dhe akteve të tij nënligjore, ku sanksionohet fryma e një “drejtësie miqësore”, një “drejtësie restauruese” për të miturit në konflikt me ligjin; në Njësinë Administrative Nr. 6 të Bashkisë Tiranë, konstatohet një rritje e ndjeshme e numrit të të miturve të cilëve gjykata u jep dënime alternative, jo me burgim por në kushte lirie; Në NJA Nr. 6 ndiqen në gjendje të lirë ½ e të miturve në konflikt me ligjin në rang Bashkie; Problematikat familjare të të miturve në konflikt me ligjin në NJA Nr. 6 të Bashkisë Tiranë janë shumë dimensionale si: mungesë strehimi, fëmijë me një prind, fëmijë të neglizhuar nga pikëpamja emocionale, edukative dhe e nevojave minimale fiziologjike, fëmijë që kanë braktisur procesin arsimor, analfabetë funksionalë, fëmijë me probleme në sjellje (deri në kufinjtë e çrregullimeve të sjelljes), zhvillim kognitiv jo në raport të drejtë me moshën, fëmijë në situatë divorci, fëmijë në gjendje rruge, fëmijë me probleme të theksuara ekonomike, fëmijë konsumatorë lëndësh narkotike, fëmijë që kanë qenë të shfrytëzuar nga më të rriturit, fëmijë recidivistë; Pushteti vendor, si një nga aktorët kryesorë në ofrimin e shërbimeve detyruese që vendos gjykata për rastet e të miturve që vuajnë dënime alternative, përballet aktualisht me sfidat për parandalimin e krimit ndër të mitur, rehabilitimin e tyre dhe uljen e recidivizmit.