Rusia e shton kompaninë Meta në listën e grupeve ‘terroriste dhe ekstremiste’

1 Minuta Lexim

Rusia e ka shtuar gjigantin teknologjik amerikan, Meta në listën e organizatave “terroriste dhe ekstremiste”, sipas databazës ruse për Shërbime Federale dhe Monitorim Financiar.

Meta është kompania amë e platformave globale, Facebook dhe Instagram.

Në fund të muajit mars, Rusia i ka ndaluar këto dy platforma në territorin e saj për shkak të “aktiviteteve ekstremiste”.

Autoritetet ruse kanë akuzuar Meta-n se ka lejuar “rusofobi” gjatë “fushatës ushtarake në Ukrainë”, referencë për luftën e nisur në këtë shtet më 24 shkurt.

Meta pati thënë më 10 mars se platformat e saj do të lejojnë deklarimet si “vdekje për pushtuesit rusë”, mirëpo jo edhe kërcënimet kredibile kundër civilëve, dhe se këto ndryshime do të zbatohen për postimet që bëhen brenda Ukrainës.

Facebook dhe Instagram janë të paqasshëm në Rusi prej muajit mars, mirëpo shumë rusë kyçen përmes rrjetit privat, për t’i përdorur këto aplikacione.

Instagrami përdoret më shumë sesa Facebooku në Rusi dhe ka shërbyer si platformë kyçe për reklamim dhe shitje.

Në nivel global, miliarda persona i përdorin aplikacionet e Meta-s.

Me vendimin e fundit, Meta në Rusi është në listë me talibanët dhe grupet opozitare ruse.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull