SPAK dhe si një radiografi e demokracisë në PD

3 Minuta Lexim

Nga Mero Baze-

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë protagonistët kryesorë në organizimin e një ceremonie me rastin e 5-vjetorit të formimit të SPAK. Natyrisht që kanë fjalët më të mira për të.

Politika shqiptare nuk është se ndjehet aq e lumtur me SPAK-un nëpër këmbë, por së paku ka filluar të mësohet.

Socialistët, që kanë dhe numrin më të lartë të viktimave prej tij, po përpiqen të krijojnë një kulturë të pranimit të drejtësisë dhe një përpjekje për të ndarë përgjegjësinë politike nga përgjegjësia ligjore individuale, gjë e cila shmang konfliktin politik mes tyre dhe SPAK-ut.

Partia Demokratike ka një problem serioz në këtë pikë.

Duke qenë se SPAK është kriminalizuar nga gjuha politike e Sali Berishës, PD ka adoptuar qëndrimet personale të Berishës si qëndrime të partisë ndaj SPAK.

Kjo është krejt e kundërta nga ajo që bën PS. Edhe individët e PS të penalizuar nga SPAK nuk janë të kënaqur prej tij, por ata bëjnë betejë ligjore dhe po i kundërshtojnë masat në gjykatë.

Fakti që një parti e tërë adopton si qëndrim politik ndaj një institucioni kaq të rëndësishëm të drejtësisë qëndrimin personal dhe familjar të kryetarit të partisë, e bën PD jo vetëm një parti në hall, por mbi të gjitha rëndon edhe më shumë hallin e raporteve të Berishës me SHBA dhe BE.

Për të kuptuar gjithë gënjeshtrat e Berishës për demokratët, se me ardhjen e Trumpit atij do t’i hiqet “non grata”, mjafton vetëm qëndrimi i tij ndaj SPAK. SHBA ose do mbështesë SPAK, ose do “mbrojë Berishën”. Si mundet që administrata e SHBA të justifikojë njëkohësisht SPAK-un si institucion të suksesshëm, dhe Sali Berishën si të pafajshëm, kur ky e quan SPAK-un organizatë kriminale?

Në ditën kur në Shqipëri vjen ndihmës sekretari i Shtetit për Ballkanin për të mbështetur SPAK në pesëvjetorin e tij dhe dëgjon se për kryetarin e PD ai është institucion kriminal, natyrisht që mund të pritet ndonjë sanksion i ri, por jo lehtësim.

Nga ana tjetër, drejtuesit e tjerë të PD-së, të cilët kur shkojnë në takime në Ambasada janë pro SPAK dhe kundër qëndrimeve të Berishës, duhet të kenë rastin të shprehen publikisht:

në këtë festim për 5-vjetorin e SPAK, a mendojnë njësoj si Berisha, që SPAK është organizatë kriminale?

Kjo nuk është se i bën ndonjë nder SPAK-ut, por i bën një farë nderi PD-së për ta konsideruar një parti politike dhe jo një bandë e familjes Berisha.

SPAK në këtë rast nuk është vetëm një institucion që bën radiografinë e korrupsionit në shoqërinë shqiptare, por edhe radiografinë e demokracisë brenda PD-së, pasi u tregon të gjithëve se, nëse ka një bandë dhe një organizatë kriminale nën urdhrat e një njeriu, ajo është PD.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull