Nga Enver Robelli-
Sipas gazetës amerikane POLITICO, Donald Trump po shqyrton mundësinë e emërimit të ish-guvernatorit të Illinoisit, Rod Blagojevich, i cili ka vuajtur tetë vjet burg për akuza korrupsioni, si ambasador të SHBA-së në Serbi. POLITICO i referohet dy personave të afërt me debatet.
Më 2020 Trump reduktoi dënimin e Blagojevichit. Pastaj ai u shndërrua në përkrahës të fuqishëm të Trumpit dhe gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024, ishte bashkëkryetar i grupit “Serbët për Trumpin”. Babai i Blagojevich është nga Serbia, e ëma nga Bosnja. “Dërgimi i Blagojevichit në Beograd do të nënkuptonte dërgimin e një ish-zyrtari të lartë të dënuar për korrupsion si përfaqësues në një vend që prej kohësh përballet me — korrupsion”, shkruan POLITICO. Trump po shqyrton gjithashtu ish-Prokurorin e Përgjithshëm të Arizonës, Mark Brnovich, prindërit e të cilit erdhën në Shtetet e Bashkuara nga ish-Jugosllavia, për postin e ambasadorit në Serbi.
Blagojevich në vitet 90-të ka qenë kongresmen i shtetit Illinios nga radhët e Partisë Demokratike. Ndërkohë ai është larguar nga kjo parti dhe i është bashkuar lëvizjes së Trumpit. Blagojevich ishte në Serbi këtë javë, ku u takua me presidentin e vendit, Aleksandar Vuçiq, sipas një postimi nga ish-guvernatori në X. Ai lavdëroi menaxhimin e ekonomins së Serbisë nga ana e Vuçiqit dhe tha: “Të njëjtët njerëz që e urrejnë Trump-in, e urrejnë edhe atë”, shkruan POLITICO. Opozita serbe e kritikoi vizitën dhe theksoi se Blagojevich po vrapon nga studioja në studio për të lavdëruar “politikën e Vuçiqit të bazuar në krim dhe korrupsion, kundër së cilës sot po proteston populli (serb) i prirë nga studentët”. Ambasada e SHBA në Serbi momentalisht është pa ambasador pasi ambasadori Chris Hill, i nominur nga Joe Biden, u largua nga posti në janar.