Nga Çapajev Gjokutaj-
Thonë se ekziston një paradoks i madh: ajo që përshkruhet në një vepër arti, psh në një roman, sidomos në një roman realist, është më racionale, bën më tepër sens sesa realiteti në të cilin jetojmë. Në jetën e përditshme ngjarjet ndodhin shpesh pa asnjë paralajmërim, në një pjesë të mirë të rasteve pa arsye dhe pa një qëllim të qartë; kaosi dhe rastësia hasen shumë më shpesh sesa pandehim. Ndërsa romani realist, megjithëse përpiqet të imitojë jetën, i nënshtrohet një logjike pothuajse rigoroze.
Në krijimet epike, çdo veprim ka një motiv, çdo personazh ka një hark zhvillimi dhe pothuajse çdo ngjarje lidhet me një marrëdhënie të qartë shkak-pasojë. Autori seleksionon detajet, duke hequr “zhurmën” e tepërt të përditshmërisë për të ndërtuar diçka koherente. Është kjo mbase arsyeja pse fiksioni na ngushëllon: na jep një botë ku drejtësia, tragjedia apo fati kanë një logjikë të brendshme, logjikë që jetës reale shpesh i mungon.
Kjo na çon te një çështje akoma më e thellë, që i takon jetës në tërësi. Kur pretendojmë se flasim për realitetin, mos vallë nuk po flasim për botën ashtu siç është, po për perceptimin tonë për të?Mos vallë jeni përgjithësisht pasqyrues dhe kjo pasqyrë është e ngjyrosur nga bindjet, paragjykimet dhe frikërat tona?
Mos vallë prej natyre, truri njerëzor është një makinë që kërkon dhe krijon kuptim. Po qe se është kështu, nuk mund ta pranojmë dot kaosin e pastër, ndaj jemi të prirur t’u japim një rrjedhë racionale gjërave që na rrethojnë.
Këtu lind një tjetër pyetje: A jetojmë vërtet në realitetin e gjërave që i shtjellojmë me logjikë dhe u japim kuptim apo në një operetë që e ‘gatuajmë’ në kokën tonë? Ka të ngjarë që përgjigjja anon nga kjo e dyta. Ngjan të jemi regjisorët e një drame (ose komedie) të vazhdueshme ku ngjarjeve të rëndomta u japim rëndësi dhe u shtojmë racionalitet. Po qe se kjo është e vërtetë, reazulton se të gjithë priremi të jemi nga pak Don Kishotë.
Mos vallë ashtu si kalorësi i famshëm i Servantesit që shihte viganë në vend të mullinjve të erës dhe princesha në vend të fshatareve, edhe ne i transformojmë mullinjtë e jetës sonë të përditshme? Mbase nuk mund ta vesh dorën në zjarr që shumicën e herëve luftojmë dhe fitojmë a humbasim beteja imagjinare, krijojmë armiq që nuk ekzistojnë dhe projektojmë skenarë madhështorë mbi një realitet që shpesh është banal dhe indiferent ndaj nesh. Po dyshimi gjithsesi mbetet…

