Ngjela: Ftesa e Ramës në Bordin e Paqes, vlerësim për Shqipërinë

3 Minuta Lexim

I ftuar në emisionin “Intervista e Ditës” në Dritare TV, avokati Spartak Ngjela komentoi ftesën e kryeministrit Edi Rama për të marrë pjesë në Bordin Ndërkombëtar të Paqes. Ngjela theksoi se kjo ftesë nuk është një nder personal për Ramën, por një vlerësim i madh për Shqipërinë, duke treguar respektin që komuniteti ndërkombëtar ka ndaj vendit tonë dhe rolin e tij si partner kryesor i SHBA-ve në Ballkan. Ai shtoi se pjesëmarrja e kryeministrit, së bashku me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, forcon pozicionin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe shpreh seriozitetin e angazhimit të vendit tonë në çështjet globale.

Kjo ftesë është një vlerësim që i bëhet Shqipërisë, jo vetëm Ramës. Thërritja e kryeministrit shqiptar do të thotë që po vlerësohet vetë Shqipëria.

Kush është kryeministri aktual nuk është çështje për ata; ata thërrasin kryeministrin sepse respektojnë aleancën me Shqipërinë. Pra, është një shenjë respekti dhe jo një çështje individuale. Kryeministri do të shkojë dhe është nder për Shqipërinë, sepse vendi ynë është futur në një strukturë ndërkombëtare të rëndësishme.

Sa i përket marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, Shqipëria ka lidhje shumë të ngushta me ta, si partnere kryesore në Ballkan. Kjo është e qartë dhe e njohur botërisht. Presidenti amerikan e ka shprehur hapur që qëllimi është të ndihmojnë Shqipërinë, përfshirë edhe për luftën kundër korrupsionit, duke ndihmuar SPAK-un në funksionin e tij. Ekspertët e huaj janë të angazhuar, dhe tashmë ka shumë arrestime dhe nën hetim, përfshirë edhe kryeministrin, ministra dhe ish-kryeministra. Kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë në Shqipëri. Pra, SPAK-u nuk vepron vetëm; është një ndihmë ndërkombëtare, sidomos nga Washingtoni, për të shpëtuar Shqipërinë nga korrupsioni. Unë pres që të ketë edhe goditje të tjera të rëndësishme antikorrupsion.

Sa i përket reagimit të opozitës, unë nuk e ndjek politikën e brendshme për detaje të tilla. Por ftesa e kryeministrit Rama në SHBA, është një njohje dhe respekt i madh për Shqipërinë si vend. Është një nder për ne dhe për liderët shqiptarë, përfshirë edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Kjo tregon se të dy shtetet shqiptare janë të vlerësuara dhe të përfaqësuara në arenën ndërkombëtare.“, tha Ngjela në DritareTV.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull