Nga Kristo Çipa-
( Këngëtarët e këngës vëndçe duke kënduar turbo folk po heqin gurët e mëdhenj të kalasë së këngës vëndçe të vjetër sa vet bota)
Shpesh kërkojmë që shkaqet e një fenomeni i kërkojmë jashtë nesh dhe medoemos tek dashakeqët.
Ka gati 15-20 vjet që përplasja për emërtimin në UNESKO të këngës tonë vëndçe si kryevepër e njerëzimit, të konsumojë energji të shumta dhe të mbyllë sytë e vëmendjes për dukuri shumë më gërryese për shumëzërëshen që po ja heqin gurët vet kështjellëmbajtësit.
Periudha post socializmit hapi shtigje dhe alternativa për të paraqitur në krejt hapësirën globale vlerat e këngës sonë vëndçe dhe në lirinë e saj virtuale të mund të dhuronte kryevepra të reja pa kufizime dhe artifica. Edhe pse bota na e vlerësoi këtë kryevepër institucionalisht ne filluam ta gërryejmë fort.
Në fillim nisi trafikimi i brendshëm i këngëtarëve duke krijuar formacione të reja grupesh që të krijonin përshtypjen e mbijetesës së vëndçes. Ata që e udhëhoqën nuk zgjidhën emergjencën por rrafshuan vlera të paplrsëritshme duke asgjësuar grupe solide që mund të jetonin një shekull vetëm duke përsëritur kryeveprat që kishin krijuar vet më parë. Ata jo vetëm nuk u penduan për këtë “ prerje princash si në Manastir” por nuk u mjaftuan me gurët e mëdhenj të kalasë , thelluan transformimin dhe me llaçin lidhës të mureve( ison)
Grupe të tëra labe sikur të kish rënë pandemia polifonike pushuan së egzistuari. Këngëtarët e sidomos marrësit( solistët) të shtrydhur si limon nga tutorët modern të këngës më të lashtë të njerëzimit u ndodhën në një kryqëzim pa tabelë dhe në mënyrë intuitive ata trokitën në portën e turbo folkut ku të prisnin me një mirësjellje gati përulëse dhe të vinin të gatuar përpara një silazh popullorë ku nuk mund të kuptosh se çfarë i mungon kësaj gjelle. U morrën të gatshme gjithë bizhuteritë e këngës vëndçe dhe me ca orkestrime gati plagjiatura ju servirën brezit të ri e sidomos atyre që vijnë në verë me pushime nga emigracioni si hashash trullosës dhe fluturonin në hare nën fletët euro të fituara me gjak e djersë.
Po në këtë masakër për arsye mbijetese morrën pjesë vullnetarisht vet interpretuesit virtuozë të këtyre vlerave duke mbytur me duart e tyre atë çka kishin krijuar
Me të drejtë lind pyetja se kush duhet ta shpëtonte këtë kryevepër? Përgjigja është e kuptueshme që rregullatori i kësaj pune është vetëm shteti. Në mënyrë të veçantë pas 25 Nëndorit 2005 Ministria e kulturës dhe Qëndra e Veprimtarive Folklorike do të kish përgatitur dhe aprovuar legjislacionin e duhur për ta mbrojtur këtë vlerë. Themi shpesh shteti por unë ju bind se ai dhe vetëm ai mund ra mbronte për këto arsye:
1-Kënga vëndçe është këngë në grup dhe nuk ka vtëm një autor. Ajo ka vjershëtorin dhe krijuesin e melodisë. Marrësin që i jep ligjërimin, kthyesin që bën dirigjimin , hedhësin që krijon harmoninë dhe grupin e isos që mbajnë bazamentin( pa folur edhe për elementë të tjetë)
2- Kënga vëndçe është edhe përfaqsim i fshatit nga është krijuar grupi dhe kështu që është bashkë autor
3 -Kënga shpesh del si produkt i ngjarjeve në fshat, krahinë, trevë apo komb dhe rrjedhimisht bashkëautorsia ritet e zmadhohet. Të gjithë këta elementë dhe të tjerë e bëjnë të detyrueshme që garanti të jetë shteti për këtë vlerë autentike por edhe kolektive
Nëse shteti do të bënte legjislacionin dhe do të kornizonte kriteret dhe tipizonte variantet e kësaj kënge atëhere mundësia e gërryerjes do të zvogëlohej.
Këngëtarët virtuozë që asgjësojnë krijimtarinë e tyre si Ornosi që asgjësonte bijtë e vet do të kishin përpara një pengesë ligjore dhe një barkadë shoqërore.
Por kjo këngë që u ka rezistuar tufaneve shfarosës shekullore e ka fituar imunitetin e ripërtëritjes mjafton që rrënjët ti ngelen se sa herë që goditet çel më shumë.
Nëse opinioni dhe shoqatat do të kërkojnë pikërisht gjënë e parë ligjin për këngën vëndçe shqiptare do të kryejnë shumicën thelbësore të punës për mbrojtjen e kësaj kënge.
Në shpirtin dhe zemrën e të gjithë këngëtarëve që për rrethana dhe arsye të ndryshme janë @të detyruar të këndojnë turbo folk perlat e tyre ,jam i sigurt që ndodh ai fenomen që ndodhte me popullsinë shqiptare që e detyruar të myslimanizohej përdorte shprehjen:” Në xhami vete por tek ty e kam syrin moj kishë!”
Fotografia që shoqëron është e vitit 1929 kur grupi i Himarës me udhëheqës Neço Mukon u nisën në Paris për regjiszrimin e këngës himarjote.

