Nga Robert Martiko-
Musine Kokalari trajtohet zakonisht si shkrimtarja e parë shqiptare, si mbledhëse e folklorit, si intelektuale antikomuniste dhe si viktimë e diktaturës. Analizohen veprat e saj, gjuha, procesi politik, internimi dhe qëndresa e saj morale. Të gjitha këto janë të domosdoshme. Por kurrë nuk shtrohet pyetja që i jep kuptim të gjitha të tjerave: çfarë ideje për njeriun mishëronte Musine Kokalari?
Sepse madhështia e saj nuk fillon me persekutimin. Historia njeh mijëra njerëz të persekutuar. Madhështia e Musinesë fillon në çastin kur njeriu vendos se ekziston diçka që nuk mund ta dorëzojë, edhe sikur t’i merret gjithçka tjetër.
Çfarë force e bëri të mos mohonte bindjet e saj? Çfarë kuptimi kishte për të liria? Çfarë vendi zinte ndërgjegjja në jetën e saj? Çfarë është dinjiteti kur pushteti të kërkon të heqësh dorë nga vetvetja?
Pikërisht këtu fillon pyetja me vlerë jetike që mungon.
Musine Kokalari nuk është vetëm një figurë politike e historisë shqiptare. Ajo është një figurë e ndërgjegjes. Në këtë kuptim, ajo i përket asaj tradite të madhe evropiane që e vendos njeriun përballë përgjegjësisë së vet morale. Kanti do ta quante këtë autonomi morale: aftësinë për të mos e nënshtruar ndërgjegjen as frikës, as interesit, as pushtetit. Hannah Arendt do të shihte tek ajo një nga ata individë të rrallë që, edhe kur mbeten krejtësisht të vetëm, nuk heqin dorë nga e drejta për të gjykuar sipas ndërgjegjes së tyre.
Por ndoshta as kjo nuk mjafton.
Musine Kokalari nuk është vetëm gruaja që nuk u përkul. Ajo është një nga ato figura të rralla që provojnë se dinjiteti nuk është thjesht një virtyt moral; ai është një mënyrë e të qenit. Ka njerëz që mbijetojnë duke bërë kompromis me ndërgjegjen dhe ka njerëz mjaft të rrallë që pranojnë të humbasin gjithçka, përveç saj. Musineja zgjodhi këtë të dytën.
Prandaj historia e saj nuk është vetëm histori politike. Ajo është histori e qenies njerëzore. Ajo na detyron të shtrojmë një nga pyetjet më të mëdha të filozofisë: çfarë mbetet nga njeriu kur i hiqet gjithçka, përveç ndërgjegjes?
Në kulturën shqiptareështë folur gjatë për vuajtjen e Musine Kokalarit. Por madhështia e saj nuk qëndron te vuajtja. Vuajtja, sado e rëndë, nuk e bën askënd të madh. Madhështia e saj qëndron në faktin se ajo nuk lejoi që vuajtja t’ia ndryshonte idenë për njeriun. Nuk lejoi që urrejtja të zinte vendin e dinjitetit, as që dhuna të shkatërronte lirinë e brendshme.
Pikërisht për këtë arsye Musine Kokalari duhet të lexohet ndryshe. Jo vetëm si shkrimtare. Jo vetëm si martire e diktaturës. Jo vetëm si simbol i qëndresës politike.
Ajo duhet të lexohet si një nga figurat më të pastra të antropologjisë morale shqiptare. Si dëshmi se njeriu mund të humbasë lirinë, pasurinë, profesionin, madje edhe jetën shoqërore, por të mos humbasë kurrë atë që e bën njeri: ndërgjegjen.
Sepse, në fund të fundit, pyetja më e rëndësishme nuk është vetëm se çfarë i bëri diktatura Musine Kokalarit.
Pyetja shumë më e madhe është kjo: çfarë pa Musine Kokalari te njeriu që e bëri të mos hiqte dorë kurrë nga vetvetja?
Pikërisht këtu fillon dialogu i saj me traditën më të lartë të mendimit evropian. Dhe pikërisht këtu fillon edhe detyra e një Akademie që nuk mjaftohet vetëm të shkruajë historinë e figurave të saj, por përpiqet të zbulojë idenë e njeriut që ato mishërojnë. Vetëm atëherë studimi i tyre pushon së qeni kujtesë dhe bëhet një forcë që mund të transformojë vetë ndërgjegjen e shoqërisë.
Kjo është edhe rruga që ndoqi qytetërimi evropian në transformimet e tij më të mëdha. Filologjia, historia, dokumenti dhe analiza kritike mbetën gjithmonë të domosdoshme, por ato nuk u konsideruan kurrë të mjaftueshme. Përtej tyre u shtrua vazhdimisht pyetja themelore për njeriun.
Pikërisht këtu fillon edhe ajo që mund të quhet një Rilindje Shpirtërore. Le të përpiqemi ta bëjmë pjesë të mendimit akademik shqiptar këtë mënyrë të re të të pyeturit. Vetëm atëherë do të mund të shohim frytet e para të një transformimi të vërtetë të njeriut dhe të shoqërisë. Sepse nga një kulturë që nuk ngre pyetje të reja për njeriun, nuk mund të lindë një qytetërim i ri.

