Nga Agustin Palokaj-
Protestat në Shqipëri kanë bashkuar njerëzit në një gjë, në pakënaqësi, ani pse mes tyre ka njerëz me motive të ndryshme për të protestuar. Për Qeverinë këto protesta janë shumë më sfiduese sesa ato të dështuara të PD-së me Sali Berishën në krye. Për Brukselin janë një vërejtje se jo të gjithë shqiptarët po e ndiejnë atë progresin e madh të Shqipërisë që shihet nga Brukseli. Një gjë duhet ta evitojnë, edhe protestuesit edhe qeveria dhe mbështetësit e saj: të mos marrin shembull nga Serbia
Që kur njerëzit kanë nisur ta rizbulojnë Shqipërinë, aty në fillim të viteve nëntëdhjeta të shekullit të shkuar, një gjë deri me sot u ka mbetur si përshtypje e pandryshueshme: kontrasti. Shqipëria për shumë vjet vazhdon të jetë një vend i kontrasteve. Kontrasteve të çfarëdo lloji, që për shumë njerëz sot është bërë edhe atraksion. Për kontrastet në Shqipëri mund të shkruhet pafund. Por kësaj radhe do të ndalemi në kontrastet në standardin e njerëzve. Ka njerëz që jetojnë më mirë sesa në vendet e Evropës Perëndimore, por ka edhe shumë të tillë që mezi e kalojnë muajin me të ardhurat e tyre. Nuk mund të ketë ambiguitet në vlerësimin se sikur të gjithë në Shqipëri të ishin duke përfituar nga progresi i padyshimtë i vendit nuk do të ishin larguar aq shumë të rinj nga ky vend. Sot me siguri të madhe mund të lejohet të thuhet se më shumë shqiptarë ka në Evropën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës sesa në Shqipëri. Dhe nuk do të ishte kështu sikur të kishin kushte të mira në vendin e tyre. Është ky një fenomen i kuptueshëm, një largim masiv çfarë kanë parë edhe popujt tjerë në të kaluarën. Ja për shembull në SHBA jetojnë gati dhjetëfish më shumë njerëz me prejardhje nga Irlanda sesa që ky shtet ka banorë. E sot situata është ndryshuar aq shumë, saqë Republika e Irlandës është shteti i dytë më i pasur në BE për nga Bruto Prodhimi për kokë banori sipas fuqisë blerëse, menjëherë pas Luksemburgut. Pra kahet e migrimit mund edhe të kthehen. Në Shqipëri akoma është e kundërta.
Protestat e nisura së pari me motive për të ruajtur ambientin për të mbrojtur flamingot, lumin Vjosa, parkun Narta, Zvërnecin kanë evoluar në protesta ku bashkohen njerëzit e pakënaqur. Por nuk janë të pakënaqur me të njëjtat gjëra. Bile ka shumë kontradiktë në motivet e njerëzve që protestojnë. Disa nuk duan projekte të mëdha në bregdet sepse me këtë prishet natyra. Të tjerët duan por që të përfitojnë vet sepse pretendojnë se ato po bëhen në tokat e tyre.
Ndoshta kontradiktat e protestave më së miri i paraqet qëndrimi i liderit të opozitës Sali Berisha. Ai i mbështet protestat në të cilat protestohet edhe kundër tij dhe kërkohet që ai të çohet në burg. Lideri i opozitës mbështet edhe projektin për të cilin protestojnë protestuesit, të cilët po ashtu ai i mbështet.
Është vështirë të kuptohen protestat në bazë të raportimeve të mediave në Shqipëri, sepse duket, edhe ato apo pronarët e tyre kanë interesa në temat rreth së cilave po protestohet. Kjo ka bërë që në Shqipëri pas shumë vjetësh njerëzit përsëri për zhvillimet në vendin e tyre të interesohen më shumë se çfarë raportojnë mediat e huaja sesa ato të vendit. Përsëri, sikur dikur, njerëzit interesohet se çfarë thotë BBC-ja, Deutche Welle, Reutersi, AP-ja apo New York Timesi sesa mediat lokale. Edhe qeverinë dhe kryeministrin më shumë e shqetësojnë raportimet e mediave të huaja sesa ato të vendit. Këto protesta paraqesin një sfidë edhe për mediat në Shqipëri. Për habi edhe në shumë media të Kosovës ka pak interes për këto protesta, sikur të ishin shumë larg tyre.
Protestat në Shqipëri kanë bashkuar njerëzit në një gjë, në pakënaqësi, ani pse mes tyre ka njerëz me motive të ndryshme për të protestuar. Për Qeverinë këto protesta janë shumë më sfiduese sesa ato të dështuara të PD-së me Sali Berishën në krye. Për Brukselin janë një vërejtje se jo të gjithë shqiptarët po e ndiejnë atë progresin e madh të Shqipërisë që shihet nga Brukseli. Një gjë duhet ta evitojnë edhe protestuesit edhe qeveria dhe mbështetësit e saj: të mos marrin shembull nga Serbia.
Politikanët e pushtetit në Serbi për vite vazhdojnë të pohojnë se raportet me Shqipërinë janë “më të mirat ndonjëherë në histori”. Në Bruksel flitet se dy liderët, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq “duan të zbatojnë idetë e tyre për të ardhmen e procesit të integrimit në BE” që e kishin paraqitur në një editorial të përbashkët në një gazetë gjermane. Në mediat pro-qeveritare në Serbi nuk ka shumë lajme për protestat në Shqipëri. Në anën tjetër qytetarët e Serbisë për vite kanë ardhur në pushime në Shqipëri, kanë kaluar mirë dhe nuk janë ankuar për probleme. Ndërkohë, në mediat proqeveritare më shumë bëhen thirrje për të mos shkuar në det në Kroaci sesa në Shqipëri. Pra, përkundër dallimeve rreth statusit të Kosovës, nuk ka probleme mes Beogradit dhe Tiranës.
Ngjashmëri në protesta kanë parë shumë vëzhgues të jashtëm. Së pari në të dyja rastet nuk dihen organizatorët formalë. Së dyti në mesin e protestuesve kanë hyrë elemente të ndryshme. Në Serbi në mesin e protestuesve ka radikalë me ide fashiste, mbështetës të Rusisë dhe të tillë që duan integrime në BE. Edhe në Shqipëri në mesin e protestuesve ka të tillë që mund të kenë motive që nuk kanë të bëjnë vetëm me pakënaqësinë ndaj projekteve në vend. Por është gabim që protestave t’u jepet një imazh i protestave kundër presidentit amerikan Trump, kundër Izraelit apo të orkestruara nga Irani. Edhe pse nuk mund të mohohet se në mesin e protestuesve mund të ketë njerëz që kanë edhe motive të tilla. Mediat e huaja përmendin elementin Trump dhe familjen e tij për ta bërë raportimin interesant dhe ta arsyetojnë se pse ia vlen t’i njoftojnë ndjekësit e tyre. Nuk i intereson New York Timesit se kush është pronar i cilës pëllëmbë të tokës në Zvërnec, por kur në projekt është i përfshirë dhëndri i presidentit amerikan, atëherë interesi bëhet i madh. Protestuesit në Shqipëri nuk duhet ta bëjnë gabimin që e bënë studentët në Serbi, të cilët u dominuan nga forcat antiperëndimore, antishqiptare dhe të cilat për nga nacionalizmi ua tejkalojnë edhe njerëzve të Millosheviqit. U pa kjo me “memorandumin” e tyre për Kosovën si “tokë serbe”.
Por edhe qeveria dhe mediat e afërta me të gabojnë kur me çdo kusht duan t’i paraqesin protestat si të dirigjuara nga jashtë. Ishte e tmerrshme se si në media u botua një foto me një veturë me regjistrim të Beogradit në Zvërnec. Kjo u bë me tendencë për të akuzuar protestuesit se po bashkëpunojnë edhe me Serbinë, pikërisht me atë me të cilin Shqipëria kurrë në histori nuk ka pasur raporte më të mira. Kjo u duk sikur shkolla e pushtetit të Vuçiqit në Serbi ku vazhdimisht për protesta akuzohet Kroacia dhe vendet tjera të BE-së, “që nuk ia duan të mirën Serbisë, dhe që janë xhelozë për shkak të progresit të madh që ka Serbia”. Në mediat e Aleksandar Vuçiqit shfaqen foto jo vetëm të veturave por edhe të autobusëve me targa nga Kroacia me “dëshmi” se ata qëndrojnë para protestave. E sa është ai progres vërtet i madh, sidomos krahasuar me Kroacinë që ia paska inat, dëshmon fakti se mbi 50 mijë shtetas të Serbisë janë duke punuar në Kroaci me leje pune sezonale. Vetura me targa nga Serbia në Shqipëri mund të gjesh sa të duash dhe përdorimi i këtij fakti me motive politike është thjeshtë një manipulim i stilit autoritar çfarë Shqipëria moti e ka lënë prapa.
Gjatë fjalimeve që kanë mbajtur protestuesit në Tiranë është parë se ata nuk kanë të njëjtin motiv. Një nënë proteston sepse të dy djemtë i janë larguar nga Shqipëria duke mos parë të ardhme në vendin e tyre. Tjetri proteston se i ka vdekur një anëtar i familjes në spital për mungesë të oksigjenit, i treti kërkon që të përmirësohet padrejtësia që u është bërë shqiptarëve në Konferencën e Londrës, i katërti kërkon që gjykata t’ia jep tokën që i takon, i pesti për mbrojtjen e flamingove, i gjashti për treg të barabartë pune, i shtati kundër korrupsionit e kështu me radhë. Janë të përbashkuar rreth pakënaqësisë sado me motive të ndryshme. Dhe kjo pakënaqësi është bërë shumë e madhe.
Është fat se reagimi i Policisë në Shqipëri ndaj protestave nuk ka qenë sikur në Serbi. Dhe kjo dëshmon edhe sa dallojnë këto dy shtete dhe se Serbia nuk duhet kurrsesi të shërbejë si shembull i mirë për askënd, aq më pak për Shqipërinë.

