Nga Enver Robelli-
Në 14-vjetorin e kalimit në amshim të Arbën Xhaferit (1948-2012).
Ka disa mënyra për ta përkujtuar Arbën Xhaferin. Secili mund ta përkujtojë në bazë të përvojës personale apo të imagjinuar. Unë dua ta kujtoj edhe me fjalët e tij për librin “Në Tetovë në kërkim të kuptimit”, i cili është rezultat i bisedës disamujore që kam zhvilluar me të.
Ky është libri i tij – ku ai rrëfen gjithë jetën e tij, nga Tetova në Prishtinë, nga Prishtina në Tetovë, nga bota e filmit në botën reale, nga arsimtari në fshatrat e Tetovës te politikani që negocionte me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana, nga angazhimet e para politike deri te ai momenti kur edhe nacionalistët maqedonas thoshin: pajtohesh apo nuk pajtohesh me të, askush si ai s’ka ditur të mbrojë qëndrimet e tij; pajtohesh apo s’pajtohesh më të, e parëndësishme, e rëndësishme, ndërkaq, mbetet pyetja: si nuk e patën maqedonasit një politikan me kapacitet të tillë artikulues?
Njëherë një gazetar gjerman shkoi në zyrën e Arbën Xhaferit për ta intervistuar. Ndërsa ai po përgjigjej, befas nëpër zyrë po londronte një mi. “Me siguri aparat përgjimi i shërbimit maqedonas”, ishte përgjigjja e Arbën Xhaferit.
Sot ishte përvjetori i vdekjes së Arbën Xhaferit. Nuk u organizua asgjë për kujtimin e tij. Të veprës së tij. Të meritave të tij. As në Shkup. As në Tetovë. As në Prishtinë (gojëlëshuarit e klasës politike të Kosovës momentalisht janë duke ia nxjerrë sytë njëri-tjetrit), as në Tiranë.
Një nga librat për të cilët jam shumë krenar që i kam realizuar, është sidomos ky: “Në Tetovë në kërkim të kuptimit”. Nuk donim ta përfundonim. Sa herë që Arbën Xhaferi përgjigjej në një ortek pyetjesh, më lindnin qindra pyetje të tjera. Ia dërgoja. Pas dy-tri javësh përgjigjej. Dhe rituali fillonte nga e para. Dikur libri doli. U bënë promovime në Prishtinë, në Tetovë e në Zofingen në Zvicrës, ku problemet shëndetësore e penguan të merrte pjesë.
Na e dërgoi një letër, në të cilën, mes tjerash shkroi: “Libri ‘Në Tetovë në kërkim të kuptimit’ i gazetarit tonë të njohur dhe të vlerësuar, Enver Robellit sjell një risi konceptuale. Ky stil i komunikimit, i prezantimit, i analizës së dukurive shoqëroro-politike ngrihet mbi relacionet tradicionale ndërmjet gazetarit dhe politikanit. Në këtë libër (…) gazetari është në funksion të skanerit, të zbuluesit të dijes, të formimit moral dhe të vetive, të virtyteve apo të ceneve të një politikani. Ai përmes pyetjeve, që në fakt janë minikomente, e nxit bashkëbiseduesin që lirshëm të rrëfehet, nëse ka çka të rrëfejë. Ky libër sjell një risi: raportin e sinqertë ndërmjet bashkëbiseduesve”.

