Nga Ermal Peçi
Ka plagë që nuk i mbyll as koha. Ato mbeten të gdhendura në gurë, në heshtje dhe në ndërgjegjen e një kombi. Spaçi është njëra prej tyre. Nuk është vetëm një ish-burg. Është Golgota shqiptare, ku diktatura kërkoi të kryqëzonte besimin, lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Muret e tij nuk mbajnë vetëm plagët e një burgu, por jehonën e ndërgjegjeve që refuzuan të gjunjëzoheshin. Atje, hekuri nuk arriti të ndryshkte shpirtin dhe errësira nuk mundi të shuante dritën e besimit.
Sot Spaçi qëndron i heshtur dhe i rrënuar, por pikërisht në atë heshtje, gjithçka flet. Flasin muret e tij të lodhura, flasin malet që e rrethojnë, flasin hekurat që dikur mbyllnin trupat, por nuk arritën të mbyllnin shpirtrat edhe mëndjen. Flet çdo gur i atij vendi, sikur historia të ketë mbetur e gdhendur aty për t’i kujtuar një shoqërie atë që dikush u përpoq ta fshinte.
Por edhe heshtja e sotme flet. Flet mungesa e vëmendjes, flet rrënimi, flet harresa që shpesh vjen jo vetëm nga koha, por edhe nga mungesa e kujdesit institucional. Në një vend ku janë përplasur fatet e njerëzve nuk mund të lihet thjesht të tretet nga vitet. Spaçi nuk kërkon vetëm të ruhet si një monument guri; kërkon të ruhet si një kujtesë e gjallë e asaj që ndodh kur një shoqëri humbet lirinë dhe kur njeriu vendoset përballë frikës.
Kardinal Ernest Simoni është një nga dëshmitarët më të jashtëzakonshëm të kësaj historie. Një klerik që, për shkak të besimit dhe fjalës së lirë, u përball me persekutimin e regjimit komunist, duke e kthyer vuajtjen personale në një dëshmi universale të qëndresës njerëzore. Për 18 vite, ai provoi burgun dhe punën e detyruar nën diktaturë. Por regjimi nuk arriti të burgoste atë që ai e konsideronte më të shenjtë: ndërgjegjen dhe besimin. Vitet e vuajtjes nuk e thyen, por e kthyen në një dëshmi të gjallë se dhuna mund të kufizojë trupin e njeriut, por nuk mund të mposhtë shpirtin e tij.
Prandaj, rikthimi i Kardinal Ernest Simonit në Spaç nuk ishte një meshë e zakonshme. Nuk ishte as një ceremoni përkujtimore. Ishte një dialog mes qiellit dhe tokës, mes së shkuarës që kërkon të mos harrohet dhe së ardhmes që nuk duhet ta tradhtojë kujtesën.
Ka një drejtësi që nuk shkruhet në kodet e njerëzve, por në faqet e historisë. Dikur, në atë ferr prej guri, Kardinal Ernest Simoni u dënua sepse predikonte Ungjillin. Regjimi mendoi se mund ta vriste njeriun dhe bashkë me të edhe besimin. Por historia ka një mënyrë të çuditshme për t’u hakmarrë ndaj padrejtësisë: e ktheu të burgosurin në Kardinal, ndërsa burgun në altar lutjeje.
Në atë vend ku dikur kërciste zinxhiri, u dëgjua kambana e shpresës. Aty ku urrejtja ishte ngritur në sistem, u kremtua Eukaristia (“Mesha e Shenjtë”), sakramenti qendror i Kishës Katolike. Ky nuk ishte vetëm triumfi i një njeriu. Ishte triumfi i ndërgjegjes mbi frikën, i besimit mbi dhunën dhe i dritës mbi errësirën.
Megjithatë, pesha e kësaj dite mori një dimension tjetër me letrën e Papa Leonit XIV. Ajo nuk ishte thjesht një përshëndetje e ardhur nga Vatikani, por një zë që kapërceu muret e Spaçit dhe kufijtë e Shqipërisë. Ishte një akt kujtese që e nxori këtë plagë të historisë shqiptare nga heshtja e viteve dhe e vendosi përballë ndërgjegjes universale të njerëzimit, si një dëshmi të qëndresës, besimit dhe dinjitetit njerëzor.
Kur Ati i Shenjtë shkruan se Spaçi është “një prej faqeve më të dhimbshme të historisë shqiptare”, ai nuk i drejtohet vetëm Kishës. Ai i drejtohet ndërgjegjes së një kombi. Është sikur kambanat e Bazilikës së Shën Pjetrit të kenë rënë deri në malet e Mirditës për t’i kujtuar Shqipërisë se nuk ndërtohet e ardhmja mbi harresën.
Më i fuqishëm se çdo dënim ishte mesazhi i Papës se “asnjë zinxhir nuk është aq i fortë sa të burgosë një ndërgjegje të ndriçuar nga Ungjilli”. Në pak rreshta, ai rrëzoi gjithë filozofinë e diktaturave, sepse burgjet mund të mbyllin trupin, por nuk mund të burgosin ndërgjegjen. Mund të heshtin zërin, por jo të vërtetën. Mund të rrënojnë mure, por jo besimin.
Po aq madhështore ishte thjeshtësia e Kardinal Ernest Simonit. Ai nuk u kthye në Spaç për të kërkuar llogari. Nuk u kthye për të ushqyer plagët me urrejtje. Ai u kthye me të vetmen armë që diktaturat nuk arrijnë ta mundin kurrë: faljen. Kur u bëri thirrje shqiptarëve të duan njëri-tjetrin, atdheun dhe të mbrojnë të vërtetën, ai dëshmoi se njeriu mund të dalë nga burgu pa e marrë burgun brenda vetes.
Thirrja e Dom Gjergj Metës ishte një kambanë alarmi. Spaçi nuk është një grumbull rrënojash që mund t’ia lëmë kohës. Ai është një libër i shkruar me gjak, që nuk duhet të griset nga harresa. Popujt që shkatërrojnë kujtesën, shumë shpejt fillojnë të shkatërrojnë edhe të ardhmen e tyre.
Prania e komuniteteve fetare në atë meshë tregoi se vuajtja nuk ka pasur fe, as martirizimi ideologji. Përballë diktaturës, besimet u bashkuan në të njëjtën dhimbje dhe sot bashkohen në të njëjtën lutje. Kjo është arsyeja pse Spaçi nuk i përket vetëm katolikëve, myslimanëve, ortodoksëve apo bektashinjve, vetëm të përndjekurve apo vetëm historisë. Ai i përket ndërgjegjes së Shqipërisë.
Ndoshta kjo është arsyeja pse letra e Papa Leonit XIV tingëllon si më shumë se një bekim apostolik. Ajo tingëllon si një shenjë mëshire dhe pajtimi që i ofrohet një toke të larë me lot, me gjak, një kujtesë se edhe aty ku njeriu ngriti ferrin, Zoti mund të ngrejë shpresën.
Spaçi nuk është vetëm një rrënojë. Ai është një ungjill i shkruar mbi gurë dhe, derisa kambanat e kujtesës të bien mbi atë luginë, Shqipëria do të ketë ende mundësinë të pajtohet me historinë e saj. Sepse një komb nuk bëhet më i madh kur harron martirët e tij, por kur i kujton ata si gurët e themelit mbi të cilët ndërtohet liria.

