A ka Shqipëria një shenjt të sajin?

8 Minuta Lexim
Nga Dashnor Kokonozi-
Nëpër të kam lexuar, madje edhe nga autorë të njohur, që drejtpërdrejt apo tërthorazi një cilësi të tillë, pra atë të mbrojtësit të Shqipërisë, ia atribuojnë shën Gjergjit. E tepërt të them se ky shenjt ushtarak nuk ka asgjë me Shqipërinë. Me gjasë është cilësuar i tillë nga autorë modernë sepse atë emër mbante heroi kombëtar i shqiptarëve.
Por me gjasë, edhe Shqipëria ka pasur një shenjt të sajin, sikundër Italia ka shën Françeskun, Franca shën Denisin, Spanja shën Jakun etj. Fillimisht, pa dyshim, ai do të ketë qenë njohur herët nga studiues të ikonografisë shqiptare, por për arsye të njohura ata nuk mund të përqendroheshin në elementë të tillë në studimet e tyre. Shqipëria kishte rënë në duart e tjetërkujt që u paraqit si mbrojtës dhe që e martirizoi si askush tjetër.
Në një katalog që del pikërisht sot në Francë, me fotografi dhe studime të avancuara të kryeveprave të Muzeut Mesjetar të Korçës, studiuesi Maximilien Durand, në një studim të gjatë, flet për një ikonë që paraqet shenjtin “nacional” të shqiptarëve. Është fjala për një vepër të Kostandin Shpatarakut që paraqet shën Gjon Vladimirin, e cila gjendej në manastirin e Shën Marisë në Ardenicë (sot në muzeun e Korçës). Në të, me dorën e tij, Shpataraku ka shkruar se ajo i kushtohet “Αλβανίας άναξ”, pra “Anaksit të Shqipërisë”, thënë ndryshe, mbretit a sundimtarit të Shqipërisë. (Miqtë e mi të shumtë njohës të greqishtes nuk do të më lënë të gaboj.)
Konteksti kur është realizuar kjo vepër është mjaft interesant, por me këtë do të merremi herë tjetër.
Personalisht, emri dhe historia e shën Gjon Vladimirit nuk më kanë qenë fare të panjohura. Për shkak të manastirit të tij që e ndeshnim sa herë hipnim e zbrisnim Qafën e Kërrabës, për shkak të profesionit, por edhe për një histori të famshme dashurie me Kozarën e bukur, kur shenjti nuk ishte ende i tillë.
Duhet nënvizuar se ai është mbase shenjti më i njohur i krishterimit ortodoks në hapësirën shqiptaro‑ballkanike. Sa i përket emrit, shumë burime thonë se ai vjen nga një formë protosllave vlad, volod (mbretëroj, qeveris), që shpaloset në Vlodimer, Vladimir etj., duke ruajtur kuptimin fillestar “ai që qeveris botën”, “që mbretëron në paqe” etj.
Ka lindur rreth viteve 970–990 në principatën e Dokleas dhe ishte bir i Nemanit, që sundonte Malin e Zi (të sotëm), Bosnjën, disa krahina të Ilirisë dhe të tjera krahina të Greqisë rrotull Prevezës. Duke qenë bir i Nemanit, ai ishte edhe nip i mbretit bullgar, Simeonit të Ohrit. Pas vdekjes së të atit, ai u bë mbret i gjithë asaj hapësire të Ballkanit, ku përfshihej edhe thuajse gjithë Arbëria, gjë që shpjegon përse shpesh del edhe me emrin “shenjtor arbër”, madje edhe “princ arbër”. Thuhet se u dallua për luftën kundër bogomilëve dhe ndërtoi mjaft kisha e manastire.
Pastaj ndodhi që, në luftë kundër carit bullgar, Samoilit, ai u zu rob dhe u dërgua në Ohër, ku ndodhi një nga episodet më të bukura romantike të Mesjetës. Pikërisht në burg ai njohu Kozarën, të bijën e Samoilit, që ra çmendurisht në dashuri me Vladimirin e bukur. Historia ndryshoi. Samoili pranoi që e bija të martohej me të dhe kështu Vladimiri doli nga burgu dhe u kthye në principatën e tij, këtë herë si dhëndër i dinastisë bullgare.
Pas vdekjes së Samoilit erdhën kohë të vështira. Mbretëria e tij ra në dorën e Vladislavit, një njeri i mllefosur e shpirtkeq, që i dërgoi Vladimirit tonë një kryq në shenjë miqësie dhe e ftoi në Ohër, ku në një pritë tentoi t’i priste kokën, por nuk mundi. Atëherë, i dëshpëruar, Vladimiri i dha kryqin e miqësisë dhe i kërkoi ta vriste me të. Shoqëruesve u kërkoi të mos bënin rezistencë dhe e la veten t’i prisnin kokën, duke kërkuar që askush të mos hakmerret për të. Armiqësia nuk duhej të prekte dy popujt.
Një vdekje e tillë e shndërroi në shenjt të krishterimit (Shizma nuk ka ndodhur ende). U varros në Krajë të Malit të Zi, ku nderohet edhe sot, dhe më vonë reliktet e tij u zhvendosën në Durrës e më tej në Shijon pranë Elbasanit, ku Karl Topia ndërtoi një manastir kushtuar shën Gjon Vladimirit.
Është mbase i vetmi shenjt që nderohet gjerësisht në Shqipëri, Bullgari, Maqedoni, Serbi e më tej. Shkurt, do të shtoja unë, një shenjt federator.
Ikona të shumta, madje edhe gravura të shumta veneciane, e paraqesin si monark me kurorë dhe rroba mbretërore. Ikona për të cilën po flasim, ajo e Shpatarakut, është nga më të bukurat dhe ka natyrë hagiografike, duke synuar të japë një informacion të plotë, ku ai paraqitet duke mbajtur në dorë kokën e tij, si simbol i cefaloforisë.
Si princ ai ishte i njohur për devocion, drejtësi dhe paqësinë e tij. Martirizimi i tij, historia e dashurisë me Kozarën dhe mrekullitë e lidhura me reliktet e tij e kanë bërë një nga shenjtorët më të nderuar të Ballkanit. Kulti i tij mbetet i gjallë në të gjithë hapësirën ortodokse ballkanike.
Konteksti pastaj është mjaft interesant, siç del nga studimi për të cilin po flasim dhe për të cilin M. Durand është mbështetur edhe te një numër autorësh e studiuesish të njohur shqiptarë, si Popa, Dhamo, Drishti, Llukani, Kallmata, Palushi etj.
Shpataraku mori një porosi të tillë sa kohë që në krye të manastirit të Ardenicës ishte igumeni Nektarios Terpos. Ky do të ketë lindur rreth viteve 1675–1690 në gjirin e një familjeje të njohur të Voskopojës dhe, pas një kalimi në Malin e Shenjtë, do të ketë ardhur në krye të manastirit të Ardenicës aty nga viti 1720. Ishte mjaft i ndjeshëm ndaj islamizimit të territoreve shqiptare dhe do të shkruajë një libër që do të ribotohet disa herë në të gjallë të tij dhe plot nëntë herë pas vdekjes. Libri është me interes sepse bën një histori të shenjtorëve martirë të rënë në truallin e Ilirisë, duke filluar nga shën Astios, peshkop i Durrësit, shën Danaksi, martir i Vlorës, por shkruan edhe për ata që quhen neomartirë, si shën Nikodemi i Vithkuqit, që u vra nga otomanët etj.
Pra, porosia që edhe Ardenica të kishte një ikonë të shenjtit mbrojtës të vendit u dha në një kontekst të mirëfilltë politik.
Po a ka Shqipëria nevojë për një shenjt mbrojtës? Po qe se funksionon, pse jo? Edhe po funksionoi asgjë nuk humbasim. Në fakt është një sherbim që nuk paguhet! Për ndonjë qiri që i pëlqen t’ia ndezëse ditën e emrit, këtë shqiptarët e bëjnë prej shekujsh.
Por hëpërhë, sikur e zgjata më shumë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull