Nga Avis Gjyshja-
-Kur Kapiteni Igor Kirilloviç Kurdin, drejtues i klubit të nënujësave të Saint Petersburgut në Rusi, komenton në postimet tona të facebook-ut, unë, komentet e tij, i marr si përshëndetje për ne ish nënujësat shqiptarë. Dhe po njëlloj, më vjen mirë, kur edhe të tjerë nënujsa e personalitete të kombësive të huaja, na shkruajnë e na thonë, se të gjithë ne, pavarësisht rracave e shteteve, i përkasim të njëjtit “brotherhood”. Por ndryshe nga vëmëndja e të huajve, ndodh pak ose aspak, që bashkë kombasit tanë të kujtohen edhe për ne.
..Kujtdo që i jepet rasti të vizitojë Pasha Limanin e sotëm, besoj, se më shumë se për çdo gjë tjetër kërkon që të shohë diçka nga gjurmët e harruara të nënujësave të dikurshëm. Por në Pasha Liman nuk ka cicerone, as ndonjë muze dhe midis të sotmëve gjen fare pak njerëz që mbajnë mënd ndonjë emër nënujësi e që mund të thonë diçka rreth tyre. Dhe kjo jo se kanë kaluar shekuj apo se ka njerëz pa emra, por sepse askush nuk ka nge të merret me gjëra që qenë e nuk janë më. Dhe e vetmja gjë që të kujton kohërat e dikurshme është një nëndetëse gjysëm e kalbur që prej shumë vitesh rri e lidhur në bankinë e në të cilën nuk mund të futesh dot.
-Nuk ke se çfarë të shohësh brënda-të thonë. -Nuk ka ndriçim dhe as aparatura se ja kanë vjedhur që prej kohësh.
Ndërsa vetë ne ish nënujësat që jemi akoma gjallë, paçka se kujtesat tona për kohën e rinisë, përgojohen shpesh si nostalgji për sistemin e shkuar, vazhdojmë e kemi mall për kohët tona të rinisë që lamë atje. Unë, por dhe të tjerë si unë, nuk hyjmë ndër dashamirësit e atij sistemi dhe malli ynë është pjesa e mirë e natyrës njerëzore, është malli për shoqërinë që kishim përzjerë me dhëmbjet për sakrificat e bëra e ëndërrat e humbura.
Duam shumë të shkojmë por edhe nuk mundemi. Dikush si puna ime sepse është larg, dikë se rregullat e territorit të bazës nuk e lënë të hyjë dhe për shumicën sepse paratë e pensioneve janë aq të vogla sa nuk mjaftojnë as për ilaçe e ushqime dhe jo më të ngelet ndonjë lek që t’ju mundësojë ndonjë vizitë në Pasha Liman.
Edhe mua vetë më ndodhi që të rikthehesha shumë vonë në Pasha Liman. Gjëra të vogla e të mëdha, fytyra shokësh që nuk ishin më, vënde, gurë, pemë, objekte, efekte dritë hijesh, zhurma dallgësh e aroma të ndryshme e bënin çangën time të dhimbjes të gjëmonte brënda meje. Hoteli i braktisur i beqarëve më kujtoi kohërat kur ne murgjit e asokohëshëm të atij gjiri, harxhonim copat e jetëve tona të mbyllur aty. Kujtova darkat kur nga dritaret e tij shihja gjithë trishtim hënën që derdhte përrej të verdhë drite mbi mjergullat e gjirit, nëndetëset që nuk flinin kurrë dhe siluetat e përgjumura të maleve pasqyrimet e të cilëve nxinin në ujrat përballë, mencën, komandën, bankinat, Kantierin e Riparimit, tunelet, kodrat për rreth dhe më tutje plepat e ekualiptet që netëve na dukeshin si silueta murgjish të zinj që rrinin të rreshtuar e kokëulur anës detit. Por përveç detit e maleve që ishin siç i kishja lënë, të tjerat kishin ndryshuar ose nuk ishin më aty.
Kërkova për shumë shënja kujtimesh të vyera, e midis tyre më vajti mëndja edhe tek ca stola të pafajshëm e të lirë parku, që kur ikëm i lamë, si gjithë gjërat e tjera, të braktisura në buzëdetin e atij gjiri. Ishin stola që nuk kishin të bënin me luftrat për të cilat na kishin çuar atje, as nuk kishin ndonjë vlerë në para, por thjesht kishin ngelur në kujtesën time si një shenjë e veçantë e kujtimeve të vyera të atyre kohërave të ikura. Kur nuk ishim në det e moti qe i mirë, pasi mbaronim punët e zakonëshme nëpër nëndetëse, ca më këmbë e ca ulur, rrinim e bisedonim për pak minuta rreth atyre stolave.
…Por as stolat dhe as drurët që dikur lëshonin hije mbi ta nuk ishin më atje.
……….
Nuk e di në se keni qenë apo keni dëgjuar ndonjëherë për Flandrën?!
Pak si pa kuptim, por mua Flandra më lidhet me vitet e mija të Pasha Limanit.
Tingulli i emrit Flandër, më kujton larkët, zogjtë e gëzuar që ndjekin njëri tjetrin në qiejt pranverorë dhe lulëkuqet e brishta që skuqin fushat e saj. Gjuha që flasin atje është ajo e Van Gogut ndërsa vera ka të verdhën e paharruar të pikturave të tij.
Por Flandra më qasej jo vetëm sepse lulëkuqet e saj më përzjeheshin me ato të vëndlindjes ku kishja lënë kujtimet e fëmijërisë por edhe nga një prej librave më të dashur e më ndikues të gjithë jetës time -novelës “Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit” të Remarkut.
Pak kilometra më në perëndim të qytetit Lille, kryeqëndrës së Flandrës Franceze, gjëndet Fromelles, një fshat i vogël, në të cilin duken akoma gjurmët e transheve të dikurshme të Luftës së Parë Botërore -një nga thertoret më të mëdha të historisë së njerëzimit ku humbën jetën mbi 40 milion njerëz. Vetëm në një ditë, më 19 Korrik 1916 në Fromelles u vranë 5533 ushtarë australianë, krim për të cilin propaganda vazhdon të thotë se u vranë duke mbrojtur “atdheun” e tyre.
As sot e kësaj dite, unë nuk e di, se ç’lidhje kishin fushat e Flandrës me atdhetë e neozelandezëve, afrikanëve, australianëve, kanadezëve dhe amerikanëve e që gjëndeshin mijra kilometra larg që aty. Por fakti është, se Fromelles i sotëm është i mbushur me memorialë lufte e varre pa emra dhe si rrallë diku tjetër nëpër botë, aty lulëzon turizmi i vdekjes. Politikanë të ndryshëm të kësaj bote, shkojnë e vijnë në ato anë sa herë që ju nevojiten vota dhe pasi hipin në ca podiume të improvizuara, lëvdojnë të vdekurit që kalben poshtë asaj toke duke i quajtur heronj të lavdishëm që ranë për të mbrojtur atdhetë e tyre. Them se mbase kështu do na quanin dhe neve sot nqse do ndodhte që nuk do ktheheshim më nga deti…
Këtë radhë në Fromelles, mua nuk më çoi kultura flemishe dhe as turizmi i vdekjes. Dhe as nuk doja ta shihja atë pjesë të memorialeve që përpiqen ti shëndërrojnë krimet e luftës në ngjarje lavdije. Këtë radhë vëmëndjen time e mori një kompleks ndryshe prej bronzi i cili qe vendosur në varrezën e trishtë e ushtarëve australianë të vrarë në maskrën e 19 Korrikut 1916. Monumenti quhej “Cobbers” dhe e veçanta e tij qe se ajo shmangte politikën dhe përjetësonte shoqërinë e sakrificat që ushtarët e llogoreve bënin për njëri tjetrin. Ideja e memorialit vinte nga një histori e vërtetë e ndodhur më 19 Korrik 1916, kur një rreshter australian, me zero shanse për të mbijetuar, shkoi përballë grykave të pushkëve buzë transhesë armike dhe ngriti në krah shokun e plagosur. Besoja atëhere po besoj dhe sot, se arsyeja e tërheqjes time ndaj atij memoriali, kish të bënte me ngjajshmërinë e shoqërive të llogoreve të Western Front, me ato të Pasha Limanit të kohës time. Shoqëria e nënujësave të asaj kohe, ishte ndoshta gjëja më ngushëlluese që ne patëm ndonjëherë për gjatë gjithë jetëve tona.
Edhe sot, pas kaq shumë vitesh, pavarësisht diferencave në kohë e pangjajshmërisë në lloj, mua më duket sikur grupi i nxënësve të Kantorekut në Western Front, ishte pothuajse grupi i shkollarëve të Pasha Limanit të kohës time. Në shoqërinë tonë të ngushtë nuk kishte ndonjë që të më thosh “Ti djalë ke nevojë të thellohesh në mësimet e Partisë!” -gjë që në atë kohë ma thonin shpesh e më bënte të mendoja se e gjithë palumturia e asaj bote shkaktohej nga ata lloj njerëzish të vegjël e meskinë, që duke mos pasur vlera të tjera mundoheshin me çdo mjet të demonstronin besnikërinë e tyre partiake.
Figura e Albert Kropp-it, më inteligjentit të asaj shkolle, më ngatërrohet sot me të ndjerin Harilla Rexhon, Joseph Behm, i cili ishte i pari që vdiste nga ai grup, më kujton Shefikun të cilin e arrestuan për ulje vigjilence në mesin e viteve 80, e me radhë deri tek Paul Baumeri tek i cili gjeja ngjajshmëri me vehten e që vdiq në Western Front, vetëm një javë para armëpushimit dhe fundit të luftës, në kohën kur titujt e gazetave shkruanin: -Asgjë e re nga fronti i perëndimit!.
Aty nga mesi i viteve 80, djemtë e Pasha Limanit, ishin dukshëm po aq të dëshpëruar sa dhe djemtë e Western Front gjatë Luftës së Parë Botërore. Në ato vite me mungesa totale lirie dhe shpresash, unë besoja thellë, se ne ishim një tjetër brez i humbur, njëlloj si dhe ata djem të rinj e të pafajshëm, që pasi kishin humbur të gjitha llojet e gëzimeve dhe të shpresave, kalbeshin nën fushat e Flandrës. Pjesa e parë e viteve 80, ishin kohëra zbaticash të thella e gabimesh të mëdha, kohëra pa gëzime e pa shpresa, kohëra kur propaganda e sistemit zëvëndësonte herojtë e munguar me viktima aksidentesh. Dhe si në të gjithë sistemet pa liri, ne kishim frikën e dënimit dhe të burgut, kishim frikë nga humbja e miqve dhe e emrit të mirë dhe terrorizoheshim kur mendonim se mos për shkakun tonë, njerëzit dhe familjet tona mund të vuanin pasojat e tmerrëshme të Luftës së Klasave.
Shpesh na dukej vehtja sikur na kishin ndarë si qëngjat që ndanin çobanët për sebepin e parë. E dinim se nqse do ndodhte diçka, ne do niseshim dhe nuk do ktheheshim më. Ishim të ndërgjegjshëm që pavarësisht shpirtit të sakrificës e përpjekjeve tona, arma jonë nuk konkuronte dot më. Dhe e vetmja gjë që i jepte arsye qënies tonë atje dhe që na bënte të ulnim kokën e të pranonim fatin tonë, ishte fakti, se nën atë kështjellën qesharake të propagandës, ishte vërtet dheu ku ne u lindëm dhe u rritëm. Ndërsa shoqëria që ndanim me njëri tjetrin dhe shpresa e turbullt e një ndryshimi të mundëshëm ishin gjërat e mëdha që na ndihmonin për të mbijetuar.
E dija që kënga “Lili Marlen”, kishte lindur në transhetë e Luftës së Parë Botërore por nuk kishja dëgjuar se po atje qe shkruar dhe një poemë tjetër e trishtuar lufte, e quajtur “In Flanders Fields”, një poemë që flet për lulëkuqe që rriteshin midis kryqeve të varreve të djemve që luftuan e vdiqën në transhetë e Western Front. “Në fushat e Flandrës, lulëkuqet rriten, midis kryqesh, radhë e radhë…” thotë poema.
Ishte shkruar nga një kirurg të cilit njëlloj si mua dhe shokëve të mij mjekë e inxhinierë, i patën dhënë një uniformë oficeri dhe e patën urdhëruar të shkonte në prapavijat e Western Front. Emri i tij ishte John McCrae dhe kishte lindur në Guelph të Ontarios së Kanadasë, një qytezë rreth një orë e pak larg nga shtëpia ime e sotme në Michigan të Shteteve të Bashkuara. Edhe ai, njëlloj si miliona të tjerë do të vdiste në Western Front, pa e arritur dot fundin e asaj lufte.
Dhe sot, për hatër të poemës së John McCrae, 11 Nëntori i vitit 1918, dita e armëpushimit të asaj lufte përveç se Dita e Kujtimit (Remembrance Day), quhet dhe Dita e Lulëkuqeve (Poppy Day).
…………..
Banorët e Flandrës të thonë se në netët e gjata të dimrave të saj, zërat e erërave të trishtuara të Detit të Veriut, janë aq vajtuese sa duken si rënkimet e shpirtërave të atyre miliona djemve që kalben nën dherat e ngrira dhe që si dhurata të fundit nga bota e të gjallëve patën veç plagët tërë dhimbje e pa shërim që morën nëpër transhetë e Western Front.
Kohët ecin por në memorien time bashkë me varret e të vrarëve, memorialet dhe gjurmët e thella të transheve të Western Front, përzjehen dhe historitë e djemve të Pasha Limanit. Një nga dryshimet është se në Pasha Liman nuk fryjnë erëra të ftohta si ato të Detit të Veriut por erërat e ngrira të dimrave të politikës e të anti kulturës që bashkë me gjumin e harresës fshijnë dhe ngjarje e kohëra nga memorja e historisë

