Në “Elbasan Arena”Shqipëria fiton ndaj Hungarisë me rezultatin 1-0

2 Minuta Lexim

Shqipëria fitoi 1-0 ndaj Hungarisë, falë një goli në minutat e fundit të shënuar nga Broja, duke arritur një sukses shumë të rëndësishëm ndaj rivalit direkt për vendin e tretë në grup.

Kombëtarja jonë luajti më mirë në fraksionin e parë të lojës, por rasti i parë për shënim ishte për miqtë, të cilët shpërdoruan me anë të Gazdag, i cili nuk mposhti dot Berishën në një duel një për një.

Por, rastin më të pastër e patën kuqezinjtë, në minutën e 38, kur Marash Kumbulla nuk arriti dot të dërgojë në rrjetë topin, kur ishte vetëm një metër nga porta hungareze, me portierin të mposhtur. Mbrojtësi i Romës, në mënyrë të pakuptueshme, e dërgoi topin sipër traversës.

Në pjesën e dytë, sërish rastet më të pastra i patën kuqezinjtë, me Balajn dhe Çekiçin që dolën përballë portierit hungarez, por nuk mundën ta mposhtnin dot.

Ndërkohë, në minutën e 86 Szobozlai rrezikoi portën tonë me një diagonal, që përfundoi jashtë për fare pak.

Një minutë më vonë, Broja bëri që të shpërthente “Elbasan Arena”, kur pas një aksioni individual, goditi saktë në hyrje të zonës, duke shënuar golin e vetëm të ndeshjes e duke i dhënë Shqipërisë 3 pikë shumë të rëndësishme.

Me këtë fitore, Shqipëria ngjitet momentalisht në vendin e dytë të grupit 1, me 9 pikë, dy më shumë sesa Polonia e vendit të tretë, por që do të luajë ndaj San Marinos.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull