A do t’i tejkalojnë tmerret e këtij shekulli, ato të shekullit XX?

8 Minuta Lexim

Si një gazetar që mbulon luftërat, fatkeqësitë dhe mjedisin, unë kam arritur të kuptoj se kërcënimet ekzistenciale me të cilat përballemi sot, nuk janë vetëm njerëzit e këqij dhe qeveritë që kryejnë vrasje masive; por edhe eliminimi i vazhdueshëm i sistemeve natyrore që e mbështesin jetën në Tokë.

Nga David HELVARG –

… OKB-ja e përkufizon gjenocidin si një veprim të qëllimshëm “për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar”. Por sikur veprimet e disa të kenë për qëllim të ruajnë përfitimet e asaj që deri vonë ishte “kombinati” më i madh industrial në historinë njerëzore?

Nëpërmjet një mohimi të qëllimshëm të shkencës dhe përvojës së gjallë, udhëheqësit botërorë dhe industria e karburanteve fosile, duken gati të përgatitin terrenin për një numër në rritje vdekjesh përgjatë shumë brezave në të ardhmen.

Kjo është e dokumentuar në Indeksin e ri të UNICEF-it mbi Rrezikun e Klimës për Fëmijët  (ÇRI). Raportohet se afro 1 miliard fëmijë, gati gjysma e fëmijëve në botë, janë që tani “shumë të rrezikuar” nga ndryshimet klimatike.

Tani që dukuritë ekstreme të motit po fillojnë të shfaqen në të gjithë botën, do të sjellin vdekje dhe zhvendosje, të cilat do të lënë në hije edhe tmerret e Luftës së Dytë Botërore, vetëm se të shtrira në një periudhe shumë më të gjatë kohore.

Me ritmin aktual, ndryshimi i klimës do të vrasë deri në fund të këtij shekulli më shumë njerëz, sesa të gjitha sëmundjet infektive të marra së bashku. Vera e këtij viti, ashtu si vera shumë e nxehtë e vitit 1988, kur Xhejms Hansen i NASA-s e paralajmëroi për herë të parë amerikanët mbi rrezikun e ndryshimit të klimës, po shfaqet si një tjetër katalizator që më në fund mund të nxisë marrjen e disa masave konkrete kundër katastrofës që na pret.

Në mesin e shumë fatkeqësive globale, korriku i këtij viti shënoi muajin më të nxehtë në historinë e regjistruar (2020-a dhe 2016-a ishin vitet më të nxehta). Por këto rekorde do të thyhen shumë shpejt.

Raporti i më i fundit i Panelit Ndërqeveritar të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (IPÇ), të cilin Sekretari i Përgjithshëm e ka quajtur “një dritë të kuqe alarmi për njerëzimin”, paralajmëron se ne kemi hedhur hapat për rritjen e ngrohjes globale për të paktën 3 dekadat e ardhshme.

Në vitin 2008, ambjentalisti Bill Mekiben dhe disa miq të tij themeluan nismën “350.org”. Ata argumentonin se ne duhet të ruajmë nivelin e dioksidin e karbonit në atmosferë deri në 350 pjesë për 1 milion, në mënyrë që të kemi një planet të shëndetshëm dhe të jetueshëm (para Revolucionit Industrial niveli i këtij gazi serrë ishte 278 pjesë për 1 milion).

Në vitin 2020, niveli i dioksidit të karbonit në atmosferën e Tokës arriti në 412.5 pjesë për 1 milion, më i larti në të paktën 800.000 vjet (bazuar në mostrat e bërthamës së akullit të Antarktidës). Në aspektin e zhdukjes aktuale të diktuar nga veprimtaria njerëzore e jetës së bimëve dhe kafshëve në të gjithë planetin, ne nuk kemi përjetuar një shkallë të tillë humbje  në mbi 66 milion vjet, që kur një meteor i shfarosi dinozaurët.

Dhe po flasim për llojet e ndryshimeve globale, që kanë ndodhur 80 deri në 600 herë më herët sesa periudha që identifikojmë me ngritjen e qytetërimit tonë 10.000 vjet më parë. Të kuptuarit e kohëve të tilla gjeologjike, është gati i pamundur për speciet tona jetëshkurtra, prandaj merrni parasysh këtë të fundit.

Shumica e atij ndryshimi kataklizmik ka ndodhur sa hap e mbyll sytë gjatë periudhës së jetës time, një periudhë 70-vjeçare, gjatë së cilës popullsia njerëzore gjithashtu  u rrit  nga më pak se 3 në gati 8 miliardë njerëz.

Që kur mora pjesë në festimet e parë të Ditës të Tokës në vitin 1970, gjysma e kafshëve të egra të mëdha të planetit janë zhdukur, së bashku me gati 1/3 e shpendëve të Amerikës së Veriut. Edhe lakuriqët, bletët dhe pjalmuesit e tjerë, janë aktualisht në një rënie të shpejtë. Një lajm i keq për ta, por edhe për të korrat tona, dhe për bimët e lulëzuara.

Kombet e vogla ishullore, do të jenë të parat që do të zhduken si kultura dhe si njerëz, si rezultat i rritjes së nivelit të detit të nxitur nga karburantet fosile. Pranverën e këtij viti Komisioni i Lartë i OKB-së për Refugjatët, vlerësoi se numri i njerëzve të zhvendosur nga fatkeqësitë e lidhura me ndryshimet klimatike është rritur në  21.5 milionë në vit brenda 1 dekade.

Mjerisht, ndërsa forcat e tregut po zhvendosen drejt energjisë më të lirë të rinovueshme, qeveria amerikane vazhdon ta trajtojë emergjencën klimatike më shumë si pushtimin e Grenadës në vitin 1983 sesa si Luftën e Dytë Botërore, herën e fundit që SHBA-ja mobilizoi të gjitha burimet e saj njerëzore dhe industriale, për të mposhtur një kërcënim global ekzistencial.

Pas asaj lufte, përmes një politikë pajtimi që sot e ndesh shumë rrallë, SHBA-ja e rindërtoi Gjermaninë dhe Italinë sipas Planit Marshall, duke ngritur demokracitë në këto 2 vende nga rrënojat e fashizmit.

Rindërtimi i ekosistemeve tona duhet të jetë “Plani Marshall” i këtij shekulli dhe atij të ardhshëm, duke filluar me ngritjen e një Organi Civil të Klimës që është propozuar nga administrata e Biden, senatori Ed Markejk dhe kongresmenia Alekandria Okasio-Kortez, për të mobilizuar energjitë dhe idealizmin në rritje të brezit të sotëm të të rinjve.

Por së pari, ne duhet të mposhtim kërcënimin e vazhdueshëm nga oligarkët e karburanteve fosile, menaxherët dhe ndihmësit e tyre, duke përfshirë edhe politikanët në të paktën një nga dy partitë kryesore në SHBA. Djegia e drurit, qymyrit, naftës dhe gazit, mund t’i ketë bërë ata “Carët” e Energjisë në shekujt XIII, XVI, XIX dhe XIX.

Por vazhdimi i përfitimit nga nxjerrja dhe djegia e karbonit, duke ditur atë që dimë tani, përfshirë raportin më të fundit, sipas së cilit 60 për qind e naftës dhe gazit dhe 90 për qind e rezervave të qymyrit duhet të qëndrojnë nën tokë, nëse duam që të kemi ndonjë shans për të jetuar në të ardhmen, nuk i bën ata udhëheqës të “gjenerimit të energjisë”. Përkundrazi, ajo duhet t’i bëjë ata subjekt të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, që heton krimet kundër njerëzimit.

Shënim: David Helvarg, është gazetar i çështjeve mjedisore, dhe drejtor ekzekutiv i “Blue Frontier”, një grupim ambjentalistësh për mbrojtjen e oqeaneve. / “The Hill” – Bota.al/

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull