Merret vendimi: Nga e hëna, mësim normal në shkolla

2 Minuta Lexim

Duke filluar nga dita e hënë e javës së ardhshme, në të gjitha shkollat e vendit, do të zhvillohet mësim normal, pa turne dhe me kohëzgjatje normale të orëve mësimore.

Lajmin e bëri të ditur, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ndërsa vendimi u mor pas ankesës së mijëra prindërve dhe nxënësve.

Përmes një videomesazhi, Kushi kërkoi që vazhdohet me procesin e vaksinimit, mbajtjen e masakeve, dezinfektimin e mjediseve dhe ruajtjen e higjienës.

“Nisur nga shqetësimet tuaja të drejta, por sidomos nga përgjegjësia jonë për të garantuar cilësinë në sistemin arsimor, gjatë gjithë kësaj periudhe kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me MSHMS, Komitetin e Ekspertëve dhe Institutin e Shëndetit Publik për të rivlerësuar edhe njëherë së bashku të gjitha protokollet anti-COVID që zbatohen aktualisht në shkolla, e në mënyrë të veçantë me ruajtjen e distancës mes nxënësve, çka na ka detyruar që të aplikojmë mësimin me turne në disa shkolla të qyteteve më të mëdha të vendit.

Përgjegjësia jonë e përbashkët është edhe më e madhe për të zbatuar masat e nevojshme që mbrojnë shëndetin e të gjithëve: vazhdimi i procesit të vaksinimit; mbajtja e maskave; dezinfektimi i mjediseve; ruajtja e higjienës – në mënyrë që mos të jemi të detyruar t’i rikthehemi më skenarit të mësimit me turne. Faleminderit të gjithëve dhe suksese!”, tha Ministrja Kushi.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull